
Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Etleva Deda, shpalli të hënën më 9 shkurt vendimin për kalimin për gjykim të çështjes penale për korrupsion e pastrim parash në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ish-deputetes socialiste Klotilda Bushka dhe 15 personave të tjerë, përfshirë pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë të çiftit të parë të kryeqytetit.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Vendimi për kalimin e çështjes për gjykim u shpall të hënën, pas shtyrjes së 11 seancave për arsye të mosparaqitjes së avokatëve, apo për t’u dhënë kohë atyre për të përgatitur kërkesat e tyre në seancën paraprake.
Për shtyrjet e seancave, SPAK u ankua më 5 dhjetor, duke e akuzuar Veliajn dhe mbrojtësit e tij se, me mungesa të pajustifikuara dhe kërkesa të padrejta, kanë penguar përfundimin e gjykimit paraprak për kalimin e çështjes për gjykim brenda afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas SPAK, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj kanë marrë më 24 korrik një kopje të akteve të procedimit penal, pa asnjë shpenzim. Po ashtu, u nënvizua fakti se i njëjti avokat i Veliajt, që ka nënshkruar marrjen e akteve, në një kërkesë të mëvonshme për vendosje në dispozicion të një kopjeje të akteve për hetime shtesë, në shkresën e tij shprehet se më 23 korrik janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal.
Prokurorët e çështjes theksuan atëherë se mënyra vijuese e ndërveprimit, pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe nuk përfshin prokurorinë.
Mbrojtësi i Veliajt, Artan Gjermëni, i tha BIRN në një komunikim të mëparshëm se i pandehuri kërkoi të njihet me aktet në dosje, gjë që sipas tij i është mohuar nga gjykata. Ai shpjegoi se materialet u janë dhënë në formë elektronike dhe janë 61 mijë faqe. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i mundëson Veliajt njohjen me këto akte, duke ngritur pretendime për ndalime në rregullore e protokoll.
Gjermëni tha se në seancën e fundit gjykatës iu kërkua të veprohej si në rastin e Ilir Beqajt, të cilit iu mundësua njohja me aktet në ambientet e gjykatës.
Kërkesa të njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve. Ndërkohë, më 26 janar, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin për shqyrtim në seancë plenare të ankesës së Veliajt ndaj vendimmarrjes së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për masën e sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij më 9 shkurt të vitit të kaluar, si dhe ndaj tre vendimeve pasuese deri në Gjykatën e Lartë, që e lanë në fuqi. Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja do të shqyrtohet mbi bazë dokumentesh.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.
Për mbrojtjen e tij, Erion Veliaj i shtoi grupit të avokatëve të tij edhe studion “Mishcon de Reya LLP” – një firmë ligjore britanike me zyra në Londër dhe Singapor.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, mbrohet nga avokati Maksim Haxhia.







