
Shkruar nga: Xhorxhina Bami, Milica Stojanovic, Ada Petriczko, Andrea Braschayko dhe Gian Marco Moisé.
Më shumë se tre vjet pasi iu largua luftës në Ukrainë, gazetarja Daria Meshcheriakova vendosi vitin e kaluar të kthehej në atdhe nga Holanda.
“E di që tingëllon pak absurde. Nuk ka kuptim”, tha Meshcheriakova për BIRN, duke shpjeguar se që nga kthimi në Ukrainë, “po fshihem në banjë gjatë sulmeve ajrore ruse sepse nevojitet një mur i dytë që të mos lëndohesh nga xhami, nëse ai thyhet.”
Megjithatë, ajo nuk është penduar. “Kam absolutisht më shumë dhe mundësi më të mira për të zhvilluar karrierën dhe për të fituar më shumë para në Ukrainë sesa në Holandë”, tha ajo.
Miliona ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të pushtimit rus. Lufta nuk tregon shenja përfundimi, por shumica e refugjatëve ukrainas ende dëshirojnë të kthehen.
Sipas një raporti të vitit 2024 nga European Bank for Reconstruction and Development (EBRD), rreth 60 për qind e refugjatëve ukrainas “shpresojnë të kthehen një ditë”, ndërsa më pak se 10 për qind dëshirojnë të qëndrojnë përgjithmonë në vendin pritës.
Në mënyrë të ngjashme, dy të tretat e 146 ukrainasve që iu përgjigjën një pyetësori online të BIRN-it për jetën e tyre në vendet pritëse në Evropë, thanë se po shqyrtojnë kthimin në atdhe.
Shumica dërrmuese e refugjatëve ukrainas në Evropë mbulohen nga një skemë mbrojtje e përkohshme, e miratuar në BE-ja, por edhe nga disa vende jashtë BE-së, si Moldavia. Kjo u jep atyre akses në tregun e punës, kujdes shëndetësor, shkolla dhe strehim, pa kaluar nëpër procedurat standarde të azilit.
Disa vende ofrojnë përfitime shtesë. Në Gjermani, ata kanë të drejtë për Bürgergeld (“të ardhura qytetare”), si dhe ndihmë për koston e jetesës dhe mbështetje për të moshuarit ose për personat me aftësi të kufizuara për të siguruar të ardhura. Në Poloni, ata mund të përfitojnë ndihmë financiare dhe disa përfitime sociale, përfshirë kujdesin mjekësor, ndërsa në Çeki janë gjithashtu të pranueshëm për asistencë monetare.
“Janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar që refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë të kenë qasje në shërbime bazë, si strehimi, kujdesi shëndetësor, arsimi, mbrojtja sociale dhe punësimi”, thuhet në Planin Rajonal të Reagimit për Refugjatët 2025–2026 të UNHCR, të publikuar në janar 2025.
Megjithatë, UNHCR paralajmëroi se “familjet e refugjatëve vazhdojnë të përjetojnë nivele të larta të cenueshmërisë ekonomike”.
Vendet më të pasura të Evropës Perëndimore shpenzojnë më shumë për integrimin. Olga Tokariuk, eksperte për Ukrainën në Chatham House, një institut kërkimor për çështje ndërkombëtare me bazë në Londër, i tha BIRN-it se “disa vende, si Gjermania ose Norvegjia, kanë programe më të zhvilluara për integrimin e refugjatëve sesa të tjerat, duke ofruar kurse falas të gjuhës, mbështetje për kërkimin e punës, klasa integrimi në shkollat lokale, etj.”
“Vende të tjera, si ato të Evropës Qendrore, nuk e ofrojnë këtë mbështetje, ndërkohë që presin që ukrainasit të integrohen plotësisht dhe ndonjëherë madje të asimilohen, gjë që shumë ukrainas e kundërshtojnë”, shtoi Tokariuk.
Shumë refugjatë ukrainas ende përballen me vështirësi për të përmbushur nevojat bazë, çka mund ta bëjë edhe më të vështirë integrimin në vendet pritëse. Si të huaj që mund të mos kenë njohuri të mira të gjuhës vendase, refugjatët përballen me pengesa të parashikueshme në kërkimin e punës – veçanërisht në vende që nuk kanë mjaftueshëm vende pune as për qytetarët vendas.
Plani Rajonal i Reagimit për Refugjatët 2025–2026 i UNHCR-së, i publikuar në janar, shpjegon se “përfshirja ekonomike mbetet një sfidë e rëndësishme për refugjatët”, me një normë të përgjithshme punësimi në Evropë prej rreth 45 për qind. “Duke iu referuar vetëm kërkuesve aktivë të punës, papunësia e refugjatëve mbetet në 14 për qind, krahasuar me 5.1 për qind te shtetasit e vendeve pritëse”, shton ai.
Disa refugjatë ukrainas ankohen edhe për diskriminim në paga. “Ukrainasit vërtet paguhen më pak. Këtë e di me siguri”, tha Nadia, një luleshitëse 38-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve nga Hersoni në Ukrainë, e cila tani jeton në Szczecin, në Poloni. “Ne bëjmë të njëjtën punë, por fitojmë më pak. Qoftë pastrim apo çfarëdo pune tjetër, unë gjithmonë fitoj më pak se kolegia ime polake, edhe kur ajo punon më pak se unë.”
E djathta ekstreme po i kthen refugjatët në shënjestra
Në aspektin numerik, Gjermania ka pranuar numrin më të madh të ukrainasve. Rreth 1.2 milionë ukrainas kanë status të mbrojtur refugjati atje. Polonia ka pranuar rreth 1 milion, ndërsa Çekia rreth 375,000 dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja rreth një çerek milioni secila. Vende të tjera që kanë pranuar më shumë se 100,000 ukrainas përfshijnë Rumaninë, Italinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Holandën.
Kostoja e ofrimit të mbështetjes për këta refugjatë ka qenë e madhe. Miliarda euro janë shpenzuar nga vendet kryesore pritëse. Ndërkohë, rritja e kostos së jetesës në mbarë Evropën ka ulur simpatinë ndaj të gjithë refugjatëve dhe azilkërkuesve – madje ka nxitur edhe pakënaqësi aktive dhe diskriminim.
Në Poloni, disa politikanë të djathtë i stigmatizojnë ukrainasit si barrë për financat publike. Një numër në rritje polakësh i akuzojnë ukrainasit për mosmirënjohje dhe ndjenjë të rreme privilegji, sipas një sondazhi të vitit 2025 nga Qendra Mieroszewski, siç theksoi Zoriana Varenia, gazetare dhe shkencëtare politike nga Kievi.
Varenia, e cila shkoi në Poloni menjëherë pas pushtimit të plotë në shkurt 2022, shkruan për Nova Polshcha, një faqe interneti e përqendruar në dialogun polako-ukrainas. Kur mbërriti, miqtë polakë e ndihmuan të gjente punë dhe strehim. Tani ajo thotë se është e shqetësuar nga retorika në rritje kundër ukrainasve në hapësirën publike, e nxitur nga politikanë të djathtë, ndonjëherë si taktikë elektorale.
“Menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale (në maj-qershor 2025), pashë një video të një tubimi kundër emigrantëve pranë Rotundës, në Varshavë, ku kaloj çdo ditë për në punë – burra dhe gra që bërtisnin sharje kundër ukrainasve. Ishte e frikshme të kuptoje se kjo lloj urrejtjeje mund të ishte kaq afër”, tha Varenia për BIRN.
“Shumë ukrainas, si unë, preferojnë ta mbajnë kokën ulur. Thjesht nuk duam të bëhemi shënjestra”, shtoi ajo.
Tetiana Klaban, 45 vjeçe, e cila mbërriti që në vitin 2014 dhe u vendos në qytetin polak Police, ku krijoi marrëdhënie mbështetëse në komunitet, tha se Polonia atëherë ishte si “një vend tjetër”.
“Gjithçka filloi të ndryshojë para zgjedhjeve të fundit presidenciale. Dikur shkoja në palestër në mbrëmje pa frikë, por tani nuk ndihem më e sigurt”, tha Klaban. “U them miqve të mi se duhet të jemi shumë të kujdesshëm të mos flasim ukrainisht ose rusisht me zë të lartë me fëmijët tanë në publik, sepse mund të ketë agresion të tmerrshëm.”
Tokariuk, nga Chatham House, u pajtua se “qëndrimet ndaj ukrainasve në Poloni janë përkeqësuar ndjeshëm që nga viti 2022.
“Refugjatët ukrainas në Poloni akuzohen në mënyrë të rreme – si nga politikanë të ekstremit të djathtë dhe konservatorë, ashtu edhe në rrjetet sociale – se kanë qasje të privilegjuar në kujdes shëndetësor dhe arsim, se rrisin çmimet e banesave dhe nivelet e krimit, se rëndojnë buxhetin e vendit (pavarësisht dëshmive se ukrainasit, në fakt, kontribuojnë më shumë në ekonominë polake sesa marrin në mbështetje shtetërore) dhe se dështojnë të integrohen (që shpesh nënkupton ‘asimilim’, pra, kërkesa të raportuara që të ndalojnë së foluri ukrainisht në publik dhe madje edhe në shtëpi)”, shpjegoi Tokariuk.
Fajësohen për rritjen e qirave dhe çmimeve
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Moskës, rritja e kostos së jetesës në mbarë Evropën ka ushqyer ngritjen e partive të së djathtës ekstreme, mbështetësit e të cilave shpesh favorizojnë Rusinë mbi Ukrainën, duke e bërë jetën edhe më të vështirë për refugjatët ukrainas.
Disa nga vendet ish-sovjetike ku kanë shkuar ukrainasit kanë gjithashtu komunitete të mëdha pro-ruse. Moldavia, një vend i vogël dhe i varfër me vetëm 2.4 milionë banorë, që strehon rreth 130,000 ukrainas me status të mbrojtur refugjati, është një prej tyre. Një pjesëmarrës në sondazhin e BIRN-it përmendi se kishte dëgjuar retorikë anti-ukrainase nga “njerëz të fiksuar me propagandën ruse” në Moldavi.
“Shumë prej jush kanë ardhur këtu dhe për fajin tuaj, qiratë dhe çmimet janë rritur. Ne po ju ushqejmë dhe mbështesim… Shkoni dhe mbrojeni vendin tuaj”, tha një tjetër ukrainas në Moldavi, sipas një përgjigjeje në sondazhin online të BIRN-it.
Pengesa gjuhësore është një problem tjetër që pengon ukrainasit të gjejnë punë në Moldavi, ku norma e papunësisë është 3.5 për qind. Një pjesëmarrës u ankua për “probleme në gjetjen e punës për shkak se nuk di rumanisht (gjuha kryesore e Moldavisë).”
Një studim i Këshillit Norvegjez për Refugjatët në qershor 2025 për ukrainasit që jetojnë në Moldavi arriti në përfundimin se edhe refugjatët që kanë punë shpesh marrin paga të ulëta dhe kanë kontrata të përkohshme, që nuk mbulojnë domosdoshmërish shpenzimet e tyre.
Neil Brighton, drejtori për Moldavinë i Këshillit Norvegjez për Refugjatët, tha për BIRN se “shumë familje punojnë shumë, por mbeten të cenueshme financiarisht sepse të ardhurat e tyre thjesht nuk përputhen me shpenzimet e domosdoshme si qiraja, ushqimi, kujdesi shëndetësor dhe shërbimet utilitare”.
“Kjo është veçanërisht e vërtetë për të moshuarit, nënat e vetme dhe familjet që jetojnë me persona me aftësi të kufizuara. Të dhënat tregojnë se mjetet e jetesës nuk mund të shihen të izoluara. Ato lidhen ngushtë me strehimin, kujdesin për fëmijët, dokumentacionin, nevojat shëndetësore dhe, natyrisht, gjuhën. Të gjithë këta faktorë janë të ndërlidhur në mënyrën se sa mirë një familje mund të rindërtojë stabilitetin”, shpjegoi ai në përgjigje me shkrim.
Brighton gjithashtu vuri në dukje se “refugjatët më të moshuar mbeten veçanërisht të varur nga mbështetja humanitare sepse nuk mund të kenë qasje në burime të qëndrueshme të ardhurash.”
Statusi i mbrojtur nuk do të zgjasë përgjithmonë
Megjithëse shumica e refugjatëve ukrainas kanë status të mbrojtur përkohësisht në vendet pritëse, kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë. Në BE, mbrojtja e përkohshme do të zgjasë vetëm deri në mars 2027 dhe në Moldavi deri në mars 2026. Kjo ngre një nga shqetësimet kryesore për ukrainasit, sipas UNHCR: “Çfarë vjen më pas?”
Një propozim i Këshillit të BE-së, miratuar në shtator të kaluar, rekomandon “një tranzicion gradual, të qëndrueshëm dhe të mirëkoordinuar” nga mbrojtja e përkohshme, i cili mund t’u lejojë refugjatëve ukrainas të marrin leje qëndrimi bazuar në punësim, arsimin ose lidhjet familjare.
“Edhe pse marsi 2027 tingëllon larg, ai nuk është kaq larg”, tha për BIRN Gemma Woods, oficere ligjore e lartë në UNHCR.
“Nëse dëshironi të ndryshoni statusin ligjor ose të aplikoni për një leje pune, duhet kohë, duhet kuptuar procesi. Kështu që shumë njerëz po kontaktojnë dhe pyesin: ‘Çfarë mund të bëj, cilat janë opsionet e mia?’” shtoi Woods.
Ndërkohë, shumë refugjatë shpresojnë që të vijë paqja dhe se më në fund do të mund të kthehen në shtëpi. Rritja e ndjenjës kundër refugjatëve dhe diskriminimi në disa vende thjesht e ka forcuar këtë dëshirë.
Gazetarja Daria Meshcheriakova ka pasur një përvojë më të mirë si refugjate
Pavarësisht kësaj, ajo gjithmonë donte të largohej – jo vetëm për t’u kthyer në shtëpi, tha ajo, por për të kontribuar dhe “për të bërë një vend më të mirë”.
Në Kosovë, një mirëseardhje për gazetarët refugjatë
Gjatë kohës që jetonte në Holandë si refugjate, gazetarja ukrainase Daria Meshcheriakova kaloi gjithashtu kohë në Kosovë në kuadër të një skeme unike pune të quajtur Programi Gazetarët në Rezidencë në Kosovë.
Nën këtë skemë, 20 gazetarëve ukrainas iu dhanë 1,000 euro për të ndihmuar në zhvendosjen e tyre, një rrogë prej 500 eurosh në muaj dhe 300 euro për qira gjatë një qëndrimi gjashtëmujor në Kosovë. (Në dhjetor 2022, programi u zgjerua gjithashtu për pesë gazetarë afganë.)
Programi, i themeluar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe financuar nga qeveria e Kosovës, ishte i vogël por shumë i mirëpritur.
Tetiana Kraselnykova, e cila u zhvendos në Kosovë si pjesë e programit, së bashku me djalin e saj nëntëvjeçar, e përshkroi atë si “një përvojë të jashtëzakonshme”.
Ajo u zhvendos në gusht 2023 dhe që atëherë djali i saj mësoi shqip, ndërsa ajo gjithashtu arriti të mësojë bazat e gjuhës shqipe dhe filloi të bashkëpunojë me gazetarë të tjerë ukrainas në Kosovë për të themeluar shoqatën Urat e Miqësisë, duke punuar për të luftuar propagandën ruse dhe për të organizuar ngjarje kulturore ukrainase.
Ajo gjithashtu ka marrë mbështetje financiare dhe për shëndetin mendor që kur është zhvendosur në Kosovë nga Asociacioni i Gazetarëve dhe qendra për refugjatë e Kosovës, e cila ofroi klasa integrimi, duke u treguar pjesëmarrësve “të gjitha gjërat që duhej të dinim rreth zhvendosjes në një vend tjetër”, tha ajo.
Ky artikull u prodhua në kuadër të MOST – Media Organisations for Stronger Transnational Journalism, një Partneritet Gazetarie i financuar nga programi Creative Europe që mbështet mediat e pavarura të specializuara në raportimin ndërkombëtar.







