
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të shtunën, më 21 shkurt, të pranojë kërkesën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të caktuar ndaj tij në tetor të vitit 2024 për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Nëpërmjet dy kërkesave të njëpasnjëshme, Çyrbja kërkoi shuarjen e masës së caktuar ndaj tij dhe lirimin e menjëhershëm, me argumentin se kishte përfunduar dënimin me 2 vjet burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë më 3 nëntor të vitit të kaluar.
Trupi gjykues i Apelit të Posaçëm, i përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj, e rrëzoi të premten të njëjtën kërkesë të dorëzuar nga Çyrbja më 18 shkurt. Por avokati i ish-deputetit socialist dorëzoi një kërkesë të përsëritur pasditen e së premtes, e cila u pranua të shtunën pasi u përllogarit se ishte përfunduar kryerja e dënimit.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024 dhe një vit më vonë u deklarua fajtor dhe u dënua me 3 vjet burg për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Çyrbja u dënua përfundimisht me 2 vjet burg.
Gjykata vendosi gjithashtu dënimin e Altin Hajrit, një personazh i dyshuar për krim të organizuar, me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha, u caktua një dënim prej 2.6 vitesh burg.
Hetimet ndaj Çyrbjas zbuluan lidhje të thella dhe bashkëpunim mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
Të pandehurit u akuzuan se në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021 janë vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga të pandehurit te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin.
Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.







