
Bashkija e Durrësit Durrës me 22-VIII-922
Nr. 583
Prefektures
Kemi nderin t’ju njoftojme se, ne fushen e Teqevet, afer Gropes q’asht tue u çelunë per me i shtie Bombat dhe gjylet e lanuna prej Qeveries Austro Ungare, jane gjetun do copa shtamash dhe qyta te punuem ne kohnat e vjetra, merren vesht qi jane punue në periuden e Grekrvet te vjeter, prej lulesh e punime te tjera qi kane persiper, perveç ketyne shifen dhe kater Dhama te dame dhe te shtrume me mosaik, nji metro perfund ketyne dhomave d.m.t. në dhee mbrenda, jane gjetun copat shtamash etj. qi thame nalt, te cilat me të vertet nuk kane no nji kushtim, dhe asn do nji randesi te madhe por vetem kujtojme se me keto argjilogu, qi do ngarkohet, ka me pasun letesina mi hetimet qi ka me bamun per Historine e kohes vjeter te ketij vendi, sendet qi tregohen nalt, jane mbledhe, dhe ruhen ne ketë Bashkie. Prandaj lutena te njoftohet ne Ministriet Kompetente.
Kryetari Bashkies
Arc, K. Paftali (d.v.)
Kështu njoftonte Bashkia e Durrësit Prefekturën e të njëjtit qytet për këtë zbulim shumë të rëndësishëm në vitin 1922. Vetëm dy ditë më pas, Prefektura e Durrësit njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme për zbulimin në fjalë.
Ky është, ndoshta, rasti më i hershëm i një “gërmimi shpëtimi” arkeologjik të kryer nga Bashkia e Durrësit. Në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në hapat e parë të ndërtimit të tij, punonjësit e qytetit kuptuan se çfarë vlere kishte ajo që fshihej nën tokë. Ishte një gjest i thjeshtë, por me një domethënie të madhe: ruajtja e historisë.
Zbulimi nuk duket se përfundoi atë vit. Një fotografi ajrore e vitit 1928 tregon qartë konturet e një ndërtese të madhe. Ambientet organizoheshin rreth një hapësire qendrore në formë peristili dhe përfshinin edhe një hapësirë gjysmërrethore monumentale – një eksedër. Ishte, me shumë gjasë, një banesë e rëndësishme e qytetit antik.
Pothuajse një shekull më vonë, në vitin 2012, një studim gjeofizik i realizuar së bashku me kolegë italianë në lulishtet pranë Muzeut të Dëshmorëve konfirmoi atë që dokumentet e vjetra dhe fotografitë ajrore vetëm e sugjeronin.[1] Nën tokë ndodhet një nga banesat më luksoze të Durrësit antik. Të dhënat tregojnë praninë e një vile me peristil katror, me gjasa e dekoruar me kolonadë, rreth së cilës zhvillohej një korridor që lidhej me një seri ambjentesh të tjera. Një hapësirë e dytë, ndoshta një atrium, shërbente si qendër shpërndarëse e ambienteve. Në krahun jugor shtrihej një eksedër (ambjent në formë të harkuar) me përmasa të konsiderueshme.

Por kjo zonë nuk mbaron këtu.
Vetëm pak metra më në perëndim, aty ku sot ndodhet parkimi i automjeteve, në vitet ’80 u zbuluan nga Fatos Tartari ambiente të një tjetër banese luksoze.[2] Mure të ruajtura deri në 1.5 metra lartësi, piktura murale me motive floreale dhe dysheme me mozaik bardhë e zi tregojnë nivelin e lartë të jetesës në Durrësin antik. Objektet e gjetura i përkasin periudhës perandorake romake dhe dëshmojnë për një jetë urbane të zhvilluar.
Duke vazhduar edhe pak më tej, në vitet 2017–2018, arkeologë shqiptarë dhe francezë zbuluan nën lulishten e Muzeut të Dëshmorëve një termë publike, luksoze, të periudhës perandorake romake.[3] Dysheme mermeri të bardhë, mure të dyfishta që lejonin lëvizjen e personelit pa shqetësuar frekuentuesit aristokratë dhe një cilësi ndërtimi shumë e lartë. Për nga niveli i luksit, kjo termë tejkalon edhe termat e më të njohura, që gjenden poshtë Pallatit të Kulturës. Ndoshta kemi të bëjmë me një financim perandorak, dhe me shumë mundësi një nga termat publike më të hershme të Dyrrachiumit.
Të gjitha këto tregojnë një gjë të thjeshtë: kjo zonë e Durrësit nuk është një hapësirë e zakonshme urbane. Është një arkiv i gjallë i historisë së qytetit. Sot, në këtë territor ndodhen tre lulishte publike. Kjo është një mundësi e rrallë. Imagjinoni një park ku gjelbërimi bashkëjeton me historinë. Ku nën hijen e pemëve mund të shihen muret e një vile antike. Ku historia nuk është vetëm në libra, por në sytë e përditshmërisë sonë.
Zbulimi dhe ekspozimi i pjesshëm i termave dhe vilës antike do ta kthente këtë zonë në një park arkeologjik urban. Do të rriste vlerat turistike të qytetit. Do të sillte ekonomi. Por mbi të gjitha, do t’i kthente qytetarëve historinë e tyre. Prania e strukturave monumentale të periudhës perandorake romake, banesave luksoze dhe infrastrukturës publike, si termat, e bën këtë hapësirë një potencial unik për zhvillimin e një poli të integruar kulturor dhe arkeologjik. Një ndërhyrje e mirëplanifikuar do të mund të shndërronte këtë zonë në një park arkeologjik urban, ku ruajtja, ekspozimi dhe interpretimi i monumenteve do të bashkëjetonin me funksionet rekreative dhe sociale të qytetit.
Një projekt i tillë do të përfaqësonte jo vetëm një investim në trashëgiminë kulturore, por edhe një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm urban, turizmin kulturor dhe rritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët.
[1] Artikulli i plotë: D. Malfitana, E. Shehi, G. Leucci, G. Cacciaguerra, N. Masini, G. Scardiozzi, G. Fragalà, C. Santagati, M.E. Musumeci, « A Late Roman villa in Durrës (Albania). Digital restitution from an integrated archaeological, remote sensing and geophysical research ». Në D. Malfitana, G. Cacciaguerra (ed.), Archeologica classica in Sicilia e nel Mediterraneo. Didattica e ricerca nell’esperienza mista CNR e Università, Catania, 2014, f. 269-286.
[2] F. Tartari, Përmbledhje Studimesh, Durrës 2008.
[3] Artikulli i plotë : C. Abadie-Reynal, E. Shehi, B. Shkodra, A. Lefebvre, K. Velo, « Recherches archéologiques franco-albanaises de Dyrrachium : résultats de la campagne de 2018 », Dialogues d’histoire ancienne 44-2, 2018, f. 320-333.







