
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të mërkurën më 18 mars kalimin për gjykimin në themel të çështjes penale në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Po ashtu, të pandehur në këte çështje janë edhe nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, pas shtyrjeve të seancës paraprake për shtatë muaj e gjysmë.
SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive për episode që lidhen me çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkonjeksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi Monika Kryemadhin.
Pas seancës në Gjykatën e Posaçme, avokati i Metës, Kujtim Cakrani deklaroi për gazetarët se hetimi është i mangët, por pavarësisht kësaj çështja kishte kaluar për gjykim. E pandehura Kryemadhi përsëriti akuzat për një proces politik, me të cilin tha që do të përballet në gjykatë.
Sipas SPAK, Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim. Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
Prej tetorit të vitit 2024, ish-presidenti Ilir Meta, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kryetarit të Partisë së Lirisë, gjendet në burg, pasi gjykata pranoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj tij. Kërkesat e njëpasnjeshme për caktimin e një mase më të butë, janë rrëzuar nga gjykatat. Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura si të montuara politikisht.







