
Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli të mërkurën më 25 mars vendimin për lënien në fuqi të dënimeve të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe vartësit të tij, Vasillaq Strakosha, të akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me paligjshmëritë e kryera në procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për familjet bujqësore.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Engert Pëllumbi.
Jorgo dhe Strakosha u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar duke përfituar uljen e 1/3-ës së dënimit. Përfundimisht, Jorgo Goro u dënua nga Shkalla e Parë me 1 vit e 4 muaj burg dhe Strakosha me 1 vit heqje lirie. Po ashtu, u caktua dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare – masa që u lanë në fuqi nga Apeli të mërkurën.
Në këtë çështje Goro akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në cilësinë e kreut të Bashkisë së Himarës lidhur me procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.
Ky është dënimi i dytë për Goron. Ai u arrestua në mars të vitit 2024, si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, i shpallur investitor strategjik nga qeveria “Rama”. Edhe për këtë çështje, Goro u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet e 20 ditë burg.







