
Shqipëria ka shënuar rritje në pikët për publikimin e dokumenteve të buxhetit të shtetit, por llogaridhënia e ekzekutivit për mënyrën se si buxheti shpenzohet, roli mbikëqyrës i parlamentit dhe pjesëmarrja e publikut lënë për të dëshiruar.
Gjetjet e Anketës së Buxhetit Transparent (OBS) 2025 për rajonin e Ballkanit dhe Turqinë, një vlerësim global i kryer nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit (IBP), që u prezantuan të mërkurën në Tiranë, vënë në dukje se Shqipëria ka arritur të grumbullojë 64 nga 100 pikë në indeksin e transparencës fiskale, duke shënuar përparim nga viti 2023, kur ishte vlerësuar me 57 pikë.
Megjithatë, raporti vë në dukje se ky përparim në letër nuk është i mjaftueshëm për të rritur besueshmërinë e publikut dhe vendit i mbetet shumë për të bërë sa i përket fazës së fundit të ciklit buxhetor, që ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe llogaridhënien pas auditimit.
Raporti vë në dukje se pjesëmarrja e publikut në buxhetim është mbi mesataren e rajonit. Vlerësimi mbetet megjithatë në nivele të ulëta, pasi Shqipëria ka marrë 17 pikë nga 100 të mundshmet për këtë indikator. Gjetjet po ashtu kritikojnë mungesën e rolit të parlamentit në kontrollin e zbatimit të buxhetit.
“Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare gjatë zbatimit të buxhetit mbetet thelbësor, së bashku me sigurimin e transparencës më të madhe në rregullimet e buxhetit brenda vitit dhe krijimin e mekanizmave më sistematike dhe transparente për të ndjekur dhe raportuar publikisht mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit”, thuhet në një përmbledhje të raportit për Shqipërinë të ndarë për mediat.
Ndërkohë, raporti i OBS 2025 zbulon një kontrast të thellë mes performancës së institucioneve mbikëqyrëse dhe reagimit të qeverisë. Ndërsa institucioni i auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, vlerësohet me një performancë të fortë prej 78 pikësh nga 100 të mundshme, reagimi pas këtyre auditimeve është pothuajse inekzistent. Sipas raportit, mbetet një “boshllëk kyç në ndjekjen dhe raportimin sistematik nga ekzekutivi mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit”. Anketa vë në dukje se sistemi për të gjurmuar nëse qeveria i ka korrigjuar shkeljet e gjetura është i pazhvilluar dhe, mbi të gjitha, i mbyllur për sytë e publikut.
Përfaqësuesit e Partneritetit Ndërkombëtar të Buxhetit theksojnë se kjo mungesë transparence në fazën post-audituese e kthen mbikëqyrjen në një proces formal pa dhëmbë.
“Kjo çon në humbjen e kredibilitetit të sistemit,” shpjegon në një intervistë Nermin Kujoviç, udhëheqës i programit për Ballkanin Perëndimor në IBP. “Rekomandimet e auditimit janë të pavarura dhe objektive dhe synojnë të adresojnë mangësitë. Megjithatë, në shumë raste ato nuk zbatohen dhe nuk ka pasoja për moszbatimin e tyre. Kjo tregon mungesë vullneti institucional dhe dobëson funksionin e mbikëqyrjes,” tha Kujoviç.
Mungesa e transparencës pasqyrohet jo vetëm në injorimin e auditimit, por edhe në mënyrën sesi qeveria menaxhon devijimet buxhetore përgjatë vitit. Edhe pse Shqipëria është ndër vendet e pakëta në rajon që publikon Raportin e Mes-Vitit, qeveria sërish nuk i shpjegon qartë dhe në mënyrë të kuptueshme ndryshimet e prioriteteve apo rishikimet buxhetore.
“Shpesh ndodh që buxheti të miratohet me një qëllim të caktuar, ndërsa gjatë vitit, përmes rishikimeve, ndryshojnë prioritetet, pa pasur mundësi për ta ndjekur këtë proces në mënyrë transparente,” shton Kujoviç.
Një shqetësim tjetër madhor i ngritur në raport janë rreziqet fiskale, të cilat mbahen jashtë syrit të publikut, kryesisht ato që lidhen me borxhin e ndërmarrjeve shtetërore dhe shpenzimet e prapambetura. OBS 2025 thekson se zbulimi i këtyre rreziqeve është jetik, pasi “këto rreziqe në fund përballohen nga qytetarët.”
Rezultatet theksojnë faktin se kalimi i pragut formal të publikimit të disa dokumenteve nuk po krijon besim te qytetarët.
Për të dalë nga ky “iluzion llogaridhënieje”, Anketa e Buxhetit Transparent i bën thirrje qeverisë shqiptare të kalojë nga përputhshmëria formale në kredibilitet real. Raporti rekomandon krijimin e mekanizmave transparentë ku ekzekutivi të raportojë publikisht dhe hap pas hapi për buxhetin apo masat e marra pas auditimeve.







