
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i zbuti më tej masat e sigurimit personal të caktuara më parë nga Gjykata e Durrësit, ndaj 8 prej të hetuarve për kontabandën e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës.
Nga hetimi i kryer u zbuluan shkelje masive të legjislacionit mjedisor nga kompanitë “Kurum International” dhe “Sokolaj” si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit dhe kompania koncesionare e terminalit lindor në portin e Durrësit. Prokuroria evidentoi si përgjegjës 33 persona, për të cilët u caktuan fillimisht 26 masa sigurimi personal “arrest në burg” dhe 7 “arrest në shtëpi”, prej të cilave u ekzekutuan 19 masa dhe të tjerët u shpallën në kërkim.
Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë të zhvilluar në Gjykatën e Durrësit më 6 shkurt, u ndryshuan shumica e masave të sigurimit personal ndaj të pandehurve të arrestuar, duke mbetur në burg 8 prej të hetuarve; 5 në arrest shtëpie dhe 5 të tjerë u lanë në detyrim paraqitje dhe i’u ndalua dalja jashtë shtetit dhe ndaj 1 prej të hetuarve u la vetëm masa detyrim paraqitje.
Në seancën e zhvilluar në apel më 10 mars në Apel, bazuar në ankimin e Prokurorisë së Durrësit kundër masave të ndryshuara në shkallën e parë, u vijua më tej me zbutjen e tyre për 8 persona të hetuar.
Apeli zëvendësoi masën e sigurimit “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” për drejtorin e departamentit të shitjeve në “Kurum”, Shaban Hyseni. Të tjera masa sigurimi “arrest në burg” u ndryshuan në “detyrim paraqitje” për tre punonjësit e degës së Dopganës Durrës, Indrit Likaj, Edmond Voda dhe Shkëlqim Jakupi. Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Po ashtu, u zëvendësua “arresti në shtëpi” me “detyrim paraqitje” për punonjësen e drejtorisë së inspektimit në AKM, Kejdi Ahmetaj dhe kontabilisten e shoqërisë Sokolaj, Mirjeta Zotaj. Ahmetaj përfitoi zbutje të masës fillimisht në Shkallën e Parë, kur nga “arrest në burg”, u la në shtëpi.
Apeli ka liruar nga burgu kundrejt garancisë pasurore në vlerën 20 mijë euro administratorin e kompanisë koncesionare EMS APO, Florian Çimo dhe punonjësin e kësaj shoqërie, Gazmend Sina.
Ndërkohë, Apeli la në burg aksionerin e agjencisë doganore “Joti Spedition”, Mikail Hila, si dhe masat e ndryshuara nga Shkalla e Parë për specialisitin e zyrës së mjedisit në “Kurum”, Rami Bunga dhe punonjësin e Degës së Doganës Durrës, Helidon Hila, nga “arrest në burg” në atë shtëpiak.
Po ashtu, u miratua masa “detyrim paraqitje” për zyrtarët e sektorit të lejeve mjedisore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Evis Mellonashi dhe Bujana Tonçiça dhe ndaj punonjësit doganës Durrës, Julian Kapedani. Dy të parët u lanë fillimisht në arrest shtëpie ndërsa Kapedani në burg, por masat u zëvendësuan në Shkallën e Parë me “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Apeli e hoqi për këta të hetuar masën që i ndalonte të dilnin jashtë shtetit.
Kontrabandimi i mbetjeve drejt Tajlandës në korrik të vitit 2024 shkaktoi një alarm ndërkombëtar, pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” e akuzoi Shqipërinë se po shkelte konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Mbërritja e akt-ekspertimit të mbetjeve nga Italia ishte prova e fundit e një serie veprimesh hetimore të kryera nga Prokuroria e Durrësit, e cila kërkoi në gjykatë 33 masa sigurie për drejtuesit e kompanisë turke “Kurum”, drejtuesit e kompanisë eksportuese “Sokolaj” si dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, drejtorisë së Doganave në Durrës si dhe punonjësit e disa kompanive të tjera të akuzuara për shkelje të legjislacionit mbi trajtimin e mbetjeve.
Eksportimi i 102 konteinerëve drejt Tajlandës në korrik të vitit 2024 tregoi se i gjithë zinxhiri mjedisor për monitorimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri nuk funksionin – ndërkohë që kompani private dhe zyrtarë publikë akuzohen se janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm.
Në qendër të skemës qëndrojnë kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj” shpk, të cilat edhe pse ishin në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve, akuzohen se kanë kryer falsifikime dhe veprime të tjera për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve, duke shmangur detyrimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare për trajtimin e tyre.







