
Gjykata e Posaçme pranoi të premten kërkesën e përfaqësuesit ligjor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për shtyrjen e seancës me qëllim njohjen me aktet e dosjes. Sipas avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, ai po punon çdo ditë së bashku me avokatë të tjerë për t’u njohur me aktet e dosjes, pasi janë 60 mijë faqe dhe mbi 1000 prova.
Ndreca pretendoi gjithashtu se Veliajt nuk i janë vendosur në dispozicion rreth 24 fashikuj. Ai kërkoi një afat dy javor për të realizuar shqyrtim paraprak të dosjes, për të kuptuar se çfarë mungon dhe çfarë duhet të kërkojë, si dhe të ketë mundësi për të hartuar një plan për realizimin e mbrojtjes efektive.
Kërkesa e Ndrecës u pranua nga trupi gjykues, duke shtyrë për herë të katërt seancën që do të vijojë më datë 15 prill. Ndreca është avokati i tretë i zgjedhur nga Veliaj.
Ndërkohë, gjatë seancën u zhvilluan diskutime mes avokatit Maksim Haxhia dhe prokurorit të çështjes Ols Dado, lidhur me caktimin e një avokateje kryesisht për të pandehurin Fatjon Baçi, pasi avokati kryesisht i kërkuar më parë nuk ishte paraqitur.
Avokati Haxhia vërejti si ai është kryetar i Dhomës së Avokatisë dhe se ka detyrim të këqyrë rolin e avokatëve në zbatimin e procesit të rregullt ligjor. Ai pyeti nëse avokatja kryesisht e caktuar seancën e të premtes, ishte njohur apo jo me dosjen. Po ashtu, Haxhia shtoi se ka një Komision Disiplinor që trajton raste të tilla.
Avokatja e caktuar kryesisht nuk dha ndonjë përgjigje për pyetjen e ngritur nga Haxhia, ndërkohë që prokurori Ols Dado solli në vëmendje se ndodheshin në ambjentet e Gjykatës së Posaçme dhe jo të Dhomës së Avokatisë. Ai tha se Haxhia në këtë proces është legjitimuar vetëm në cilësinë e avokatit të të mbrojturve prej tij.
Qëndrimi i avokatit Haxhia u mbështet dhe nga Ndreca, i cili u shpreh se në cilësinë e kryetarit të Dhomës së Avokatisë, ai e ka detyrim të këqyrë ecurinë e procesit të rregullt ligjor, duke nënvizuar se kjo lidhet edhe me mënyrën se si një avokat e ushtron detyrën.
Gjyqtarja Engjëllueshe Tahiri u tërhoqi vëmendjen palëve dhe konstatoi se tagrat e tjerë të palëve që nuk lidhen me procesin, nuk mund të ndikojnë. “Legjitimimi në gjykim është vetëm për atë që është legjitimuar nga gjykata. Fokusohuni për atë qe jeni legjitimuar, dhe vijoni me kerkesat paraprake”, kërkoi Tahiri.
Në vijim, avokatët e shtatë të pandehurve dhe katër shoqërive, përkatësisht mbrojtësit e biznesmenit Elman Abule dhe shoqërisë së tij Rametal shpk; Fatmir Bektashi dhe Kontakt shpk; Frosina Bollo dhe OJF Frobolous; Mirton Lija e Lani shpk; Klotilda Bushkës, Adela Kondakçiut e Fatjon Baçit, konfirmuan kërkesat për gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes. Shumica e tyre kërkoi veçimin e çështjes nga gjithë të pandehurit e tjerë dhe kalimin për kompetencë në Juridiksionin e Përgjithshëm.
Gjykata u tërhoq dhe vendimin lidhur me kërkesat për ndarjen e gjykimit do ta njoftojë më datë 15 prill, kur u caktua të zhvillohet seanca e radhës.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.







