
Kolapsi i raundit të parë të negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani, nuk duhet të kishte habitur askënd. Qëndrimet e rrënjosura të të dyja palëve dhe retorika e ashpër e bënin të pamundur arritjen e një përparimi domethënës që në fillim. Edhe një raund i dytë bisedimesh, që raportohet se është vetëm disa ditë larg, është po ashtu i destinuar të dështojë. Negociatat dypalëshe nuk do të arrijnë paqen. Por një kornizë gjithëpërfshirëse rajonale mund ta bëjë këtë.
Çdo marrëveshje e zbatueshme duhet të arrijë njëkohësisht dy objektiva. Ajo duhet të vendosë bazat për paqe të qëndrueshme, duke i lejuar secilës palë ta paraqesë rezultatin si një sukses në vendin e vet. Ky ekuilibër delikat ndërlikohet më tej nga ndikimi i tërthortë, por vendimtar, i aktorëve të jashtëm, më së shumti Izraelit.
Thelbësisht, kriza aktuale nuk nxitet nga një mosmarrëveshje e vetme, por nga ndërthurja e katër çështjeve kryesore: Ngushtica e Hormuzit, programi bërthamor i Iranit, mungesa e një arkitekture rajonale sigurie që trajton raketat dhe luftën përmes grupeve të mbështetura nga jashtë, si dhe konflikti i pazgjidhur izraelito-palestinez. Përparimi në njërën nga këto fronte ka pak gjasa pa lëvizje paralele në të tjerat.
Ngushtica e Hormuzit është shfaqur si fokusi kryesor i krizës. Megjithëse ajo është rihapur që atëherë, mbyllja e përkohshme e ngushticës nga Irani — dhe bllokada detare pasuese e SHBA-së që synonte portet iraniane — nxorën në pah si cenueshmërinë e saj, ashtu edhe rrezikun e përshkallëzimit të shpejtë. Një zgjidhje më e qëndrueshme do të përfshinte vendosjen e ngushticës nën administrimin e përkohshëm të një koalicioni ndërmjetësuesish të besueshëm si Turqia, Pakistani, Malajzia dhe Indonezia. Nën kushte të përcaktuara qartë, ata mund të vendosnin një mision të përbashkët detar për të rikthyer kalimin e sigurt.
Por një marrëveshje e tillë do të kërkonte që SHBA-ja të angazhohej për një fund të menjëhershëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit, përfshirë ato të kryera në koordinim me Izraelin. Irani, nga ana tjetër, do të duhej të garantonte sigurinë detare dhe të përmbahej nga sulmet ndaj fqinjëve të tij. Vetë vendet e Gjirit, të përfshira në luftë kundër vullnetit të tyre, do të kishin motive të forta për të mbështetur një mekanizëm të tillë.
Për të garantuar legjitimitetin, nisma duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me mbështetje formale nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë vetoje. Përtej stabilizimit të menjëhershëm, kjo kornizë mund të hapë rrugën edhe për një regjim afatgjatë që rregullon kalimin përmes Ngushticës, duke përfshirë mekanizma për kompensimin e dëmeve të lidhura me luftën përmes të ardhurave detare.
Ndërsa ambiciet bërthamore të Iranit mbeten një pikë kryesore përplasjeje, ende ekziston një rrugë drejt uljes së tensioneve, me kusht që të dyja palët të adoptojnë një qasje reciproke. Irani duhet të rikonfirmojë angazhimin e tij të kahershëm për të mos ndjekur zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa SHBA-ja duhet të njohë zyrtarisht të drejtën e Republikës Islamike për energji bërthamore paqësore. Një njohje e tillë e ndërsjellë do t’u lejonte të dyja palëve ta paraqisnin rezultatin si një sukses diplomatik.
Marrëveshja e Teheranit e vitit 2010 — e negociuar nga Turqia dhe Brazili në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike — ofron një model të dobishëm. Si ministër i Jashtëm i Turqisë në atë kohë, unë ndihmova në ndërmjetësimin e marrëveshjes, e cila kërkonte që Irani të depozitonte uraniumin e tij të pasuruar në Turqi në këmbim të karburantit bërthamor për përdorim civil. Një version i përditësuar i asaj marrëveshjeje, i ndërmjetësuar sërish potencialisht nga Turqia ose Pakistani, mund të ofrojë një bazë premtuese për negociata të reja.
Pasi të vendoset një terren i përbashkët, fokusi mund të zhvendoset drejt krijimit të një rajoni pa armë bërthamore, përfshirë edhe ato që zotëron Izraeli, duke adresuar kështu shqetësimet më të gjera të sigurisë në rajon. Ndërsa thirrjet që Irani të heqë dorë nga kapacitetet e tij të raketave balistike pas sulmeve të vazhdueshme amerikano-izraelite nuk janë realiste, përparimi mbetet i mundur. Sfida kryesore qëndron në trajtimin e konflikteve përmes grupeve përfaqësuese (proxy) dhe mungesës së një kuadri të përbashkët sigurie.
Kjo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave dypalëshe SHBA-Iran. Krijimi i një arkitekture rajonale sigurie me shumë shtresa kërkon, së pari, hapa praktikë për ndërtimin e besimit mes Iranit dhe vendeve të Gjirit, me Turqinë, Pakistanin, Malajzinë dhe Indonezinë si ndërmjetësues. Një komision i përbashkët mund të ulë tensionet e menjëhershme, ndërsa vendos bazat për një marrëveshje më të përhershme.
Shtresa e dytë është një forum rajonal sigurie që bashkon Turqinë, Pakistanin, Egjiptin, Irakun, Sirinë, Jordaninë, Libanin dhe Jemenin, së bashku me shtetet e Gjirit dhe Iranin. Me kalimin e kohës, ky proces mund të evoluojë në një dialog të strukturuar rajonal, duke çuar drejt një ekuivalenti të Marrëveshjeve Helsinkit të vitit 1975 në Lindjen e Mesme.
Ashtu si në Evropën e Luftës së Ftohtë, një kornizë e ndërtuar mbi transparencë, përmbajtje të ndërsjellë dhe mekanizma verifikimi mund të ulë ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit. Traktati i vitit 1990 mbi Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë tregoi se edhe rajone thellësisht të ndara mund të bien dakord për kufizime të kapaciteteve ushtarake kur pranohet vulnerabiliteti i ndërsjellë.
Por çdo rend i qëndrueshëm rajonal duhet të trajtojë çështjen palestineze, pasi mohimi i vetëvendosjes së palestinezëve mbetet një shtytës themelor i paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme. Pushtimi 60-vjeçar i Bregut Perëndimor nga Izraeli – pavarësisht rezolutave të përsëritura të OKB-së – dhe operacionet e tij ushtarake në Gazë kanë përjashtuar krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm sigurie. Përpjekjet për ta anashkaluar konfliktin, si Marrëveshjet e Abrahamit, vetëm thjesht e kanë rritur pakënaqësinë.
Nevojitet urgjentisht një qasje e re. Izraelit duhet t’i ofrohet integrimi në një arkitekturë rajonale sigurie, përfshirë normalizim të plotë diplomatik dhe garanci formale, në këmbim të njohjes së shtetit palestinez dhe përfundimit të operacioneve të tij ushtarake në Liban.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili hyri në mandatin e tij të dytë duke synuar të fitojë Çmimin Nobel për Paqen, tani përballet me një zgjedhje vendimtare. Ai mund të vazhdojë një luftë pa qartësi strategjike që rrezikon ta zhytë rajonin – dhe botën – në kaos më të thellë, ose mund të shfrytëzojë mundësinë për një përparim diplomatik, duke nisur me një armëpushim dhe duke kulmuar në një paqe të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, politikëbërësit ndërkombëtarë duhet të ndjekin një nismë të koordinuar diplomatike për të orientuar politikat drejt de-përshkallëzimit.
Rivitalizimi i Aleancës së Qytetërimeve – e nisur nga Turqia dhe Spanja në vitin 2005 dhe më pas e institucionalizuar brenda OKB-së – mund të ofrojë një platformë ideale për një përpjekje të tillë. Një samit liderësh i thirrur nën kujdesin e saj do të sinjalizonte një angazhim të përbashkët për të kaluar nga menaxhimi i krizave drejt një rendi rajonal bashkëpunues. Pa një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, cikli aktual i përshkallëzimit do të vazhdojë dhe do të thellohet.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. A New Security Architecture for the Middle East







