
Shumica e nxënësve mësojnë se Toka është rreth 25,000 milje në perimetër (40,000 kilometra). Por nuk mësojnë se ekonomia globale varet nga vetëm rreth 100 milje prej këtij perimetri.
Bllokimi i dy kalimeve të ngushta ujore – Ngushtica e Hormuzit dhe Ngushtica e Tajvanit – mund ta kthejë ekonominë globale disa dekada pas në kohë; në skenarin më ekstrem, jo në “Epokën e Gurit” siç ka kërcënuar presidenti amerikan Donald Trump për Iranin, atëherë të paktën në mesin e shekullit të 20-të, përpara se Rolling Stones të dëgjoheshin për herë të parë në radio.
Gjatë muajit e gjysmë të fundit, Irani e ka shndërruar Ngushticën e Hormuzit, e cila është rreth 21 milje e gjerë në pikën më të ngushtë, në një zonë lundruese përplasjesh. Trafiku detar ka rënë ndjeshëm, me cisterna nafte që qëndrojnë të pasigurta dhe në pritje, ndërsa anije të shpejta iraniane dhe dronë sillen si piratë. Ky ngërç ka ngadalësuar ekonominë botërore, pasi një pjesë e madhe e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon përmes kësaj ngushtice.
Kjo nuk është thjesht një krizë e Lindjes së Mesme. Është një provë reale për një konflikt të mundshëm në Azi, duke i dhënë Kinës një model të mundshëm veprimi për një krizë rreth Tajvanit. Ngushtica e Tajvanit, me rreth 81 milje gjerësi në pikën më të ngushtë, funksionon si një pikë strategjike e ngjashme me Hormuzin, por me rëndësi kritike për industrinë e gjysmëpërçuesve. Kompania TSMC prodhon mbi 90% të çipave më të avancuar në botë – “trurin” e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale, avionëve luftarakë dhe telefonave inteligjentë.
Shtetet e Bashkuara, të alarmuara nga rreziqet e sigurisë kombëtare që sjell varësia nga çipat e huaj, miratuan në vitin 2022 Aktin CHIPS dhe Shkenca për të nxitur ndërtimin e fabrikave brenda vendit. Pavarësisht planeve për fabrika të reja në Teksas, Ohajo dhe Nju-Jork, SHBA-ja ende varet fort nga importi i çipave – ashtu si shumica e vendeve të tjera. Prandaj, një bllokadë ose pushtim kinez i Tajvanit do ta privonte botën nga “sistemi nervor” teknologjik i shekullit XXI. Humbjet globale mund të arrinin deri në 10 trilionë dollarë. Ky nuk është recesion; kjo është një ndalesë kardiake e zinxhirëve të furnizimit.
Presidenti Xi Jinping nuk dëshiron të mbahet mend në historinë 4,000-vjeçare të Kinës si njeriu që ndërtoi bateri makinash më të mira se Elon Musk. Kopjet e Tesla-s janë gjëra të vogla. Xi synon të arrijë atë që premtoi Mao Zedong: një Kinë të vetme, pa përjashtime, pa një ishull rebel që sfidon lidershipin e Partisë Komuniste. Ai kërkon të thyejë një ngërç 75-vjeçar duke i rikthyer pasuesit e Chiang Kai-shek nën kontrollin e Pekinit.
Parandalimi nëpërmjet forcës ose kanosjes zhduket nëse Xi Jinping arrin në përfundimin se Shtetet e Bashkuara mund të hezitojnë, të reagojnë në mënyrë të paqartë ose të hyjnë në pazare pas një sulmi ndaj Tajvanit. Nëse fuqia detare më e madhe në botë nuk është në gjendje të shoqërojë në mënyrë të sigurt transportin e cisternave të naftës përmes një fuqie rajonale të dëmtuar, flotat e së cilës janë reduktuar në mjete të vogla lundruese të ngjashme me ato që mund të marrësh me qira për pushime në Nantucket, pse do të besonte Xi se SHBA-ja do të rrezikojë aeroplanmbajtëse, nëndetëse dhe mijëra jetë amerikane për të thyer një bllokadë kineze ndaj Tajvanit?
Në një skenar të tillë, Tajvani duket më pak si një kështjellë dhe më shumë si një pikëpyetje. Teoricienët e lojërave e quajnë këtë problem “angazhim i besueshëm” – kundërshtari duhet të jetë i bindur se veprimi yt është i sigurt dhe i pakthyeshëm, përndryshe e gjithë logjika e parandalimit bie.
Historia e ka treguar shpesh këtë dinamikë. Kur Benito Mussolini sfidoi Lidhjen e Kombeve në Etiopi dhe pa mungesën e reagimit efektiv, Adolf Hitler nxori përfundimet e tij. Kur Gamal Abdel Nasser mori kontrollin e Kanalit të Suezit, Britania dhe Franca u tërhoqën nën presionin e Dëight D. Eisenhower. Më vonë, veprimet e Vladimir Putin në Krime erdhën pas sinjaleve të përziera perëndimore në krizat e mëparshme, përfshirë Sirinë e Bashar al-Assad. Në këto raste, pasi humbet njëherë, besueshmëria nuk rikthehet lehtë.
Zgjidhja e propozuar është e drejtpërdrejtë, e dhimbshme dhe e vonuar. Shtetet e Bashkuara duhet të rihapin Ngushticën e Hormuzit në mënyrë vendimtare dhe të dukshme përmes eskortave detare, pastrimit të minave dhe neutralizimit të pikave strategjike të kontrolluara nga Irani si Abu Musa dhe Tunbet e Mëdha dhe të Vogla. Pasi ngushtica të sigurohet, SHBA-ja duhet të dërgojë edhe anije historike me vela që zakonisht lundrojnë çdo 4 korrik në Nju-Jork. Asgjë nuk e sinjalizon më qartë “hapjen për biznes” sesa anije me vela të shekullit të 18-të që kalojnë në një korridor detar pranë pozicioneve të shkatërruara të artilerisë iraniane.
Në planin afatgjatë, SHBA-ja duhet të përshpejtojë ndërtimin e flotës, të rrisë rezervat e municioneve precize dhe të mbështesë ndërtimin e më shumë tubacioneve në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më gjerë. Në vitin 2020, Forumi i Gazit të Mesdheut Lindor u krijua nga vende që rrallë bien dakord me njëra-tjetrën – si Greqia, Egjipti, Izraeli dhe Autoriteti Palestinez – për të shfrytëzuar burime të reja gazi natyror. Megjithatë, administrata e presidentit Joe Biden u tërhoq nga mbështetja për projektin e një tubacioni nga Izraeli drejt Evropës, ndonëse projekte të tilla do të mund të ulnin varësinë nga Ngushtica e Hormuzit.
Zgjedhja duket e qartë: ose rihapja e ngushticës me forcë, ose rreziku që Xi Jinping të caktojë një datë për një pushtim të mundshëm të Tajvanit, ndërsa diplomatët evropianë lëshojnë deklarata të forta pa pasoja reale. Duke refuzuar kërkesat për mbështetje më të drejtpërdrejtë, Bashkimi Evropian paraqitet si një përfitues i sistemit global, i gatshëm të mos mbajë barrën e mbrojtjes së tij. Kjo ndodh pavarësisht se SHBA-ja ka vepruar për dekada si “policia detare” e botës, duke garantuar hapjen e rrugëve të transportit që i kanë lejuar vendeve evropiane dhe aziatike – përfshirë Kinën – të përfitojnë nga energjia e lirë dhe tregtia globale.
Lajmi i mirë është se Shtetet e Bashkuara ende kanë marinën më vdekjeprurëse në botë dhe fuqinë ekonomike për të përballuar më gjatë se çdo rival tjetër. Kriza me Irani i ka shërbyer administratës së Donald Trump si një provë e parë në praktikë, ndërsa Tajvani shihet si testi vendimtar. Xi Jinping dhe lidershipi kinez kanë analizuar me kujdes veprimet e Trump-it para dhe gjatë përshkallëzimit me Iranin. Në këtë kuadër, sjellja e tij e paparashikueshme e Trump-it dhe vendimet e tij të vështira për t’u parashikuar mund të mos jenë një dobësi, por një avantazh strategjik.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Hormuz Today, Taiwan Tomorroë







