
Vendimi u mor pas një nisme të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi ndërhyrjen e Kolegjeve për të adresuar praktika të ndryshme dhe shpesh të paqarta në arsyetimin dhe zbatimin e kësaj mase, që konsiderohet më e rënda ndaj të dyshuarve.
Në arsyetimin e tyre, Kolegjet vlerësojnë se deri më tani gjykatat nuk kanë analizuar në mënyrë të mjaftueshme alternativat ndaj “arrestit në burg”, duke u mbështetur shpesh në formulime të përgjithshme. Sipas tyre, kjo qasje bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet e Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Kolegjet e Bashkuara qartësojnë se kufizimi më i rëndë i lirisë personale kërkon shqyrtim real të alternativave, arsyetim të individualizuar dhe përgjegjësi konkrete të prokurorisë për të justifikuar nevojën e arrestit në burg,” tha Gjykata e Lartë në njoftim për shtyp.
Vendimi përcakton tre rregulla kryesore.
Së pari, gjykatat kanë detyrimin të shqyrtojnë në mënyrë reale masat alternative më pak kufizuese dhe të arsyetojnë konkretisht pse ato nuk janë të mjaftueshme në një rast të caktuar. Arsyetimi duhet të jetë i individualizuar dhe i mbështetur në fakte.
Së dyti, “arresti në burg” duhet të mbetet masë përjashtimore. Rrezikshmëria e personit nuk mund të deduktohet vetëm nga natyra e veprës penale apo niveli i dënimit, por duhet të bazohet në një vlerësim të plotë të rrethanave konkrete, përfshirë sjelljen dhe profilin personal të të dyshuarit.
Së treti, barra e provës për nevojën e kësaj mase i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet ta verifikojë dhe arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit, pa u kushtëzuar nga qëndrimi i të pandehurit.
Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke rrëzuar rekursin e prokurorisë si të pambështetur në ligj.
Vendimi pritet të shërbejë si udhërrëfyes për gjykatat, duke synuar një praktikë më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë personale.







