
Gjashtë vjet më parë, kur u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ishte një yll në ngritje. Fundjavën e kaluar, ajo u rikthye në gjirin e partisë, pas një mandati pesëvjeçar si presidente.
Gjashtë vjet më parë, Osmani krijoi një aleancë me Albin Kurtin. Fundjavën e kaluar, ajo iu kthye kundër kryeministrit, i cili ia kishte mohuar një mandat të dytë si presidente e Kosovës, dhe përqafoi sërish trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, themeluesit të ndjerë të LDK-së dhe, për shumë kosovarë, babait të kombit të tyre.
Në një fjalim të dielën, duke konfirmuar rikthimin e saj në LDK, Osmani tha se “rruga e tyre” – duke iu referuar Kurtit dhe partisë së tij Vetëvendosje – është një rrugë që e kthen vendin në zgjedhje çdo tre muaj.
“Kurse rruga tjetër, rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës. Është rruga e shtetit serioz. Është rruga e aleancave të forta, e respektit ndërkombëtar”, tha Osmani në fjalimin e saj para mbështetësve të LDK-së. “Rruga e Kosovës që nuk përkulet kurrë, por as nuk vetizolohet. E Kosovës që u ndërtua nga populli i saj me mbështetjen e mërgatës sonë të jashtëzakonshme. E unë sot bashkë me ju kam zgjedhur këtë rrugë. Kam zgjedhur këtë rrugë për t’ia hapur bashkë një kapitull të ri Kosovës.”
Pyetja tani është nëse rikthimi i Osmanit në LDK do t’i sjellë partisë më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, të tretat në më pak se 16 muaj, pasi partia ra në një minimum historik prej 13 për qind në dhjetor. Edhe Osmani pritet të përfitojë nga ky rikthim.
“Rezultatet e zgjedhjeve do ta përcaktojnë ndikimin e rikthimit të Osmanit dhe për Lumir Abdixhikun si kryetar partie, sepse mund të legjitimojnë politikën e tij të ‘ribashkimit’ të partisë,” tha Belgzim Kamberi, menaxher projekti në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë.
Sipas tij, Osmani mund të fitojë legjitimitet të ri në raport me LDK-në, “jo vetëm për të tashmen, por edhe në raport me të kaluarën e saj”, tha Kamberi për BIRN.
E braktisur nga Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje
Vjosa Osmani u largua nga posti më 4 prill. Ajo kishte shprehur dëshirën për të kandiduar sërish, por Vetëvendosja, e cila e kishte mbështetur kandidaturën e saj të parë për presidencë në vitin 2021, këtë herë propozoi kandidatë të vetët. Kur ata nuk arritën të siguronin mbështetjen e parlamentit, Osmani shpërndau parlamentin më 5 mars. Dekreti i saj u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Ata dështuan.
Në dhjetor, Vetëvendosja fitoi bindshëm me 51 për qind të votave. Megjithatë, pragu për zgjedhjen e presidentit është më i lartë dhe Kurti nuk arriti të sigurojë mbështetje nga opozita.
Vjosa Osmani akuzoi Albin Kurtin se kishte tradhtuar votuesit e Vetëvendosjes vetëm për ta “eliminuar” atë si presidente – një presidente që, sipas saj, “ulet me presidentin e SHBA-së”.
Në të vërtetë, përmes pjesëmarrjes në Bordin e Paqes të Donald Trump, Osmani e rriti ndjeshëm profilin e saj, por u kritikua nga kundërshtarët që thonë se Trump nuk ka bërë shumë për paqen globale.
Pa mbështetjen e Kurtit apo një partie të fortë të saj, rikthimi i Osmanit në LDK kishte kohë që qarkullonte si mundësi.
Avokate me profesion, karriera e saj politike nisi në zyrën e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku shërbeu si shefe kabineti.
Duke ndihmuar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Osmani u zgjodh deputete e LDK-së dhe u bë gruaja e parë që mbajti postin e kryetares së Kuvendit në shkurt 2020. Në zgjedhjet e atij viti, ajo mori më shumë vota se çdo kandidat tjetër në Kosovë – mbi 300 mijë.
Në nëntor 2020, kur presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqjen për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë, Osmani u bë presidente në detyrë, por tashmë kishte nisur ndarjen me LDK-në.
Partia e kishte penguar kandidimin e saj për kryetare të LDK-së në vitin 2015, për shkak të tensioneve midis saj dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa. Megjithatë, në vitin 2017 Osmani tregoi fuqinë e saj elektorale duke u bërë kandidatja e dytë më e votuar e LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme të atij viti, pavarësisht se ishte renditur e 81-ta në listën e kandidatëve.
Në vitin 2019, nën presionin publik, LDK-ja e zgjodhi atë kandidate për kryeministre, por ajo humbi ngushtë ndaj Vetëvendosjes.
Më pas, në mars, Osmani u rreshtua me Kurtin kundër partisë së saj gjatë mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë në kohën e pandemisë së COVID-19. Kur refuzoi të mbështeste një kabinet të LDK-së në qershor, Osmani u përjashtua nga partia.
Ajo krijoi partinë e saj, Guxo, e cila garoi në koalicion me Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021. Një muaj më pas, me Vetëvendosjen në pushtet, parlamenti e zgjodhi presidente.
Pa rol formal, deri tani
Analisti politik Ylli Hoxha tha se LDK-ja “ka potencialin” të rikuperohet nga humbja e rëndë e dhjetorit, por roli i Osmanit mund të dalë si pengesë pas zgjedhjeve.
“Përfshirja e Vjosa Osmanit në listën e kandidatëve e bën më të vështirë një koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve me Vetëvendosjen,” tha Hoxha për TV Dukagjini, duke shtuar se është “e vështirë” të imagjinohet që Kurti t’ia rikthejë asaj presidencën.
Po ashtu, ekspertja politike Arta Tahiri Beqa tha se është herët për të pritur që Osmani të marrë ndonjë rol zyrtar brenda LDK-së pas tensioneve të tyre të mëparshme.
“Mendoj se për momentin nuk mund të flasim për përfshirjen e Osmanit brenda partisë në ndonjë pozitë,” tha Tahiri Beqa. “Zgjedhjet po afrojnë shpejt dhe forcat politike duhet të angazhohen për maksimizimin e votës.”
“Çdo rikthim duhet të kalojë përmes procedurave të caktuara, jo në baza ad-hoc siç ndodh zakonisht me partitë politike këtu. Gjithsesi, është në dorën e LDK-së të vendosë.”
Kamberi u pajtua.
“Duket se fokusi do të jetë më shumë te rezultati i zgjedhjeve sesa te ndonjë politikë paszgjedhore,” tha ai. “Për momentin, si për Abdixhikun ashtu edhe për Kurtin, është thelbësore të arrihet një rezultat i mirë zgjedhor.”







