
Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli të enjten vendimin e formës së prerë për çështjen penale lidhur me aferën e incineratorit të Tiranës, duke ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, duke e rikthyer atë në burg.
Në ndryshim nga vendimi i shkallës së parë, trupa gjyqësore e Apelit vendosi të shpallë fajtor edhe të pandehurin Jetmir Llapaj.
Vendimi u mor nga trupa e kryesuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi dhe me anëtare Nertina Kosovën dhe Daniela Shirkën.
Ish-ministri Koka u dënua me 3 vjet burgim më 16 prill 2025, masë që u reduktua në 2 vjet falë gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, u urdhërua shuarja e masës së sigurimit dhe lirimi i Kokës për këtë çështje me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit, por që atëherë u pengua nga dy dënime të mëparshme për kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit.
Gjatë gjykimit në Apel, prokurori i çështjes, Dritan Prençi kërkoi që të përsëritej pjesërisht gjykimi dhe dorëzoi prova që sipas tij ishin të nevojshme për përllogaritjen e masës së dënimit të Kokës. Sipas prokurorit Prençi, pas vendimarrjes së Gjykatës së Durrësit për lirimin me kusht të të pandehurit Lefter Koka në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nuk mund të ishte e zbatueshme shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”. Prençi pretendoi se masa e arrestit për këtë çështje ka qenë e pezulluar, pasi ishin duke u konsumuar masat për aferat e dy incineratorëve të tjerë, atij të Fierit dhe Elbasanit.
Avokati i Kokës, Maksim Sota, e cilësoi interpretimin e prokurorisë të pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me praktikën gjyqësore lidhur me rastet e mbivendosjes së masave të sigurimit me arrest. Ai argumentoi se objekt i këtij gjykimi është vendimi i Shkallës së Parë dhe jo masa e sigurisë që kundërshton SPAK. Po ashtu, ai kërkoi deklarimin e pafajëshëm të Kokës.
Kryesuesja Olldashi deklaroi gjatë shpalljes së vendimit se është lënë në fuqi masa e dënimit për ish-ministrin Lefter Koka, por u ndryshua disponimi lidhur me shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”. Bazuar në këtë vendimarrje, duhet që Koka të rikthehet në burg dhe të vuajë masën e dënimit të mbetur për aferën e incineratorit të Tiranës.
Gjykata ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë për pafajësinë e të pandehurit Jetmir Llapaj, duke e deklaruar atë fajtor për “shpëdorim detyre” në bashkëpunim dhe e dënoi atë me 1 vit burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbeten 8 muaj. Po ashtu, u caktua edhe dënimi plotësues për t’i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Për të pandehurit e tjerë që kishin ushtruar ankim, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha dhe Sidita Koplliku, u la në fuqi vendimarrja e Shkallës së Parë. Të pandehurit Bledar Karoli, Erjon MUrataj, Taulant Tusha, Namik Simixhi dhe VAlbona Ballgjini u dënuan përfundimisht me nga 2 vjet burg në Shkallën e PArë, ndërsa e pandehura Sidita Kopliku me 80 orë punë me interes publik. Ish-deputeti socialist, Allqi Bllako u gjykua veçmas për aferën e incineratorit të Tiranës dhe u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim.
Incineratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për trajtimin e mbetjeve urbane, por incineratori nuk u ndërtua asnjëherë, ndërsa dhjetra milionë euro të taksapaguesve u zhdukën pa asnjë gjurmë.
Kompania koncesionare e incineratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV u sekuestrua në gusht të vitit 2023 nga Prokuroria e Posaçme, pasi u zbulua se pronarët fundorë të saj ishin dy biznesmenët famëkeqë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Prokuroria e Posaçme arriti në konkluzionin se kompania koncesionare ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura dhe se u ndihmua nga zyrtarët publikë në përgatitjen e dokumentacionit dhe paraqitjen e ofertës që e shpalli atë fituese.







