
Jashtë sezonit kulmor turistik, Ivana Misiçit i duhen vetëm disa minuta për të përshkuar pesë kilometrat nga shtëpia e saj në Zupa Dubrovacka deri te muret mesjetare të Qytetit të Vjetër të Dubrovnikut, ku deri vonë punonte në një butik që shiste kravata.
Megjithatë, sapo vijnë pranvera dhe vera, gjithçka ndryshon krejtësisht.
“Gjatë sezonit, më duhet një orë për të arritur në qytet, por nëse ndodh ndonjë problem diku, një aksident trafiku, një rrëshqitje dheu në rrugë – dhe ka vetëm një rrugë për të hyrë në qytet – ndonjëherë më duhen dy orë,” tha 47-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve.
Pastaj fillon kërkimi për një vend parkimi.
“Sezoni këtu fillon në prill dhe unë nuk gjej dot vend parkimi që tani,” tha Misiç për BIRN muajin e kaluar. “Është normale për ne të kalojmë dy orë në makinë çdo ditë, edhe pse shumicën e atyre dy orëve i kalojmë në radhë ose duke qëndruar pa lëvizur,” tha ajo, duke iu referuar atyre që udhëtojnë drejt Qytetit të Vjetër.
Në skajin jugor të Kroacisë, Dubrovniku është qyteti më i vizituar në Kroaci dhe një nga më të vizituarit në botë për numër turistësh në raport me popullsinë.
Vitin e kaluar qyteti regjistroi mbi 1.3 milionë vizitorë. Sa i përket netëqëndrimeve, numri arriti mbi 4.2 milionë, shifër që u tejkalua vetëm nga Rovinji në veri të vendit.
Sipas Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian, në vitin 2024 Kroacia renditej e 14-ta për numrin e mbërritjeve turistike ndër 27 vendet anëtare të BE-së dhe shtatë vende të tjera ku operon Eurostat. Vendi me 3.8 milionë banorë regjistroi rreth 20.2 milionë ardhje turistësh, ose 5.3 turistë për çdo banor.
Turizmi mbetet një shtyllë kryesore e ekonomisë kroate, por rritja e tij ka sjellë pasoja të dukshme për destinacionet më të njohura: çmime të larta, mbipopullim, ndotje akustike, infrastrukturë të tejngarkuar dhe zhdukjen graduale të mënyrës tradicionale të jetesës në rrugicat e qyteteve të vjetra të Adriatikut dhe në ishujt dikur të qetë.
Ky artikull mbështetet në dëshmitë e më shumë se 180 personave nga tetë vende – Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Franca, Spanja dhe Polonia – të cilët iu përgjigjën një pyetësori të BIRN mbi jetën në qytete dhe qyteza të mbushura me turistë.
Problemet janë pothuajse të njëjta kudo. Disa vende kanë provuar të kufizojnë ndikimin përmes tarifave për vizitorët, kuotave për anijet turistike dhe kufizimeve për qiratë afatshkurtra.
Megjithatë, eksperti i marketingut turistik Edvin Jurin thotë se ajo që duhet të ndryshojë është “mentaliteti” i njerëzve.
“Nuk kemi kulturën e ruajtjes së qëndrueshme të hapësirës,” tha ai për BIRN. “Jemi bërë të fokusuar vetëm te pasuritë e paluajtshme: shitja pronën e gjyshit një investitori që fiton për metër katror.”
“Sa më të vështira kohët, aq më e madhe lakmia,” tha Jurin. “Dhe lakmia është ajo që e shkatërron më shumë hapësirën.”
“Njerëz të vërtetë që jetojnë jetë të vërteta”

Manos Venieris jeton në lagjen qendrore Koukaki të Athinës, pranë kodrës së Akropolit.
37-vjeçari tha se turizmi masiv po “prish seriozisht rutinën tonë të përditshme” në lagje.
“Zhurma e vazhdueshme nga valixhet me rrota dhe karrocat e bagazheve, ditë e natë, është bërë e padurueshme. Ndërtesa jonë praktikisht është kthyer në hotel, pasi 60 deri në 70 për qind e apartamenteve tani jepen me Airbnb,” tha ai.
“Si pasojë, ka zhurmë të vazhdueshme nga turistët që shijojnë pushimet deri vonë natën, ndërkohë që banorët e vërtetë përpiqen të jetojnë normalisht vetëm matanë murit.”
Zozefina Valopetropoulou, një kameriere 45-vjeçare që punon në qendër të Athinës, tha se ndërthurja e turizmit me teknologjinë po cenon privatësinë e saj, sidomos kur turistët i bëjnë fotografi pa lejen e saj.
“Është një situatë e pakëndshme që po ndodh gjithnjë e më shpesh,” tha Valopetropoulou për BIRN.
Gjysma e të anketuarve thanë se mund t’i shijojnë thesaret kulturore apo natyrore pranë të cilave jetojnë vetëm herë pas here, zakonisht kur sezoni turistik ka përfunduar. Rreth gjashtë për qind thanë se nuk mund t’i shijojnë fare.
Borja Rodríguez, inxhinier kompjuterik në Barcelonë, jeton pranë bazilikës ikonike të Gaudit, Sagrada Familia. Ai punon kryesisht nga shtëpia, ndaj nuk përballet me problemin e udhëtimit për në punë, por edhe ecja në lagjen e tij është bërë e vështirë.
“Kur dal për vrap, zakonisht kaloja nga Carrer Marina (ana e ‘fasadës së vjetër’ të bazilikës),” tha ai. “Ishte gjithmonë pak bezdisëse për shkak të numrit të madh të njerëzve që ecnin pa vëmendje, por më pëlqente të kaloja andej sepse është lagjja ime dhe nuk duhet të detyrohem ta shmang.”
“Prej shtatë apo tetë muajsh, nuk mund të ec më as aty; hyrja në atë segment lejohet vetëm për vizitorët e bazilikës, gjë që më detyron të përdor rrugë të tjera dhe më ndryshon rutinën.”
Një tjetër banor i Barcelonës, Daniel Pardo, zëdhënës i Asamblesë së Lagjeve për Uljen e Turizmit (ABDT), tha se numri i turistëve në qytet është pothuajse në të njëjtat nivele si në vitin 2019, para pandemisë COVID-19.
Gjatë pandemisë, tha ai, “banorët arritën të rimerrnin hapësirat që ishin pushtuar plotësisht nga turizmi”.
“Papritur, njerëzit u rikthyen në sheshe dhe vende publike nga të cilat më parë ishin dëbuar. Ishte si një kthim te përdorimi normal dhe i përditshëm i qytetit.”
Pas heqjes së kufizimeve për pandeminë, “ri-turistifikimi” ndodhi shumë shpejt, tha Pardo për BIRN, duke nxitur edhe reagime kundërshtuese.
Në Tenerife, në Ishujt Kanarie, inxhinieri 35-vjeçar Diego Gutierrez tha se dikur kishte zona të dedikuara posaçërisht për turistët dhe të tjera, si qyteti i tij Santa Cruz de Tenerife, që nuk ishin të tilla. Por kjo po ndryshon tani.
“Këtu kishim zona ekskluzivisht për turistët, si jugu i ishullit – zona shumë e njohur Las Americas, Santiago del Teide… Ndërsa tani Santa Cruz, që ishte një qytet ku ne mund të ndërtonim jetën tonë, po orientohet gjithnjë e më shumë drejt turizmit, sidomos me terminalin e ri të anijeve turistike.”
“Sigurisht, kjo sjell më shumë të ardhura për qytetin, por në lagje, në vendet e zakonshme të komunitetit – furra e bukës, tezga e frutave apo restoranti ku ke shkuar gjithmonë – po sheh gjithnjë e më shumë zinxhirë biznesesh që mund t’i gjesh edhe në Madrid apo Palma de Majorka… Në fund, të krijohet ndjesia se qytetet po humbasin personalitetin e tyre.”
Çmimet dhe strehimi

Si guidë turistike, Vesna Celebiç e siguron jetesën falë atraksionit unik të Dubrovnikut. Por ajo nuk është e verbër ndaj çmimeve.
“Bëj shaka me turistët duke u thënë se uji është falas, por jo tualeti, ndaj duhet t’i menaxhojnë mirë shpenzimet dhe të pinë më pak ujë,” tha ajo për BIRN, duke e cilësuar çmimin prej 17 eurosh për një hamburger në Qytetin e Vjetër si “jo normal”.
“Vitin e kaluar, katër amerikanë më pyetën ku mund të hanin për më pak se 100 euro,” tha Celebiç. “E vetmja mundësi ishte një furrë buke. Katër hamburgerë dhe katër Coca-Cola kushtonin aq.”
Çmimet, sidomos ato të pasurive të paluajtshme, po i detyrojnë banorët vendas të largohen.
Mes vitit 2011 dhe regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, popullsia e Dubrovnikut, përfshirë edhe Qytetin e Vjetër, ra me 5.4 për qind, nga 28,434 në 26,922 banorë.
Për të lehtësuar presionin mbi banorët lokalë, autoritetet e Dubrovnikut ndaluan në vitin 2014 dhënien e lejeve për apartamente të reja brenda mureve të Qytetit të Vjetër.
“Qëllimi është të ruajmë një qytet të gjallë dhe kemi një strategji të qartë për mënyrën si do të ecim përpara,” tha kryebashkiaku i atëhershëm i qytetit, Mato Frankoviç.
Qyteti vendosi gjithashtu të drejtën e përparësisë për blerjen e pronave brenda qendrës historike dhe, që nga viti 2023, çdo vit ndahen fonde për blerjen e pronave që më pas u jepen me qira familjeve të reja që duan të jetojnë aty.
“Prioritet nuk është pronësia, por fakti që njerëzit të jetojnë realisht aty, të krijojnë familje dhe të mos i përdorin pronat vetëm për qira turistike,” tha Miroslav Draskoviç, drejtor i Bordit Turistik të Dubrovnikut.
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në pyetësorin e BIRN-it thanë se qiraja që paguajnë është rritur gjatë pesë viteve të fundit.
“Nëse pronari i shtëpisë do të më nxirrte tani jashtë, nuk do të mund të qëndroja më në këtë lagje,” tha Paloma Lopez, nëpunëse civile në Sevilje të Spanjës jugore.
Blerja e një shtëpie nuk është alternativë për të, tha ajo.
“Tashmë konsiderohet normale që njerëzit të blejnë shtëpi me ndihmën e prindërve,” tha Lopez për BIRN. “Por shumë njerëz nuk e kanë këtë mundësi. Ka plot njerëz që punojnë, por prindërit e tyre nuk mund t’i ndihmojnë financiarisht. Prindërit e mi, për shembull, janë 80 vjeç dhe nuk mund të më japin para për një shtëpi. Kanë punuar gjithë jetën, por nuk kanë kursyer 300 mijë euro. Dhe unë jam në një moshë ku nuk ka kuptim të marr një kredi gjigante. Kështu përfundon i bllokuar në një lloj kurthi.”
Për 17 për qind të të anketuarve, të shkosh në një restorant të lagjes qoftë edhe një herë në muaj është përtej mundësive ekonomike. Rreth një e pesta thanë se i presin flokët në pjesë të tjera të qytetit ku jetojnë, ndërsa shtatë për qind thanë se duhet të dalin jashtë qytetit për këtë.
Lopez, në Sevilje, tha se nuk shkonte më në tregun ushqimor të lagjes së saj.
“Ai është kthyer në një vend vetëm për njerëzit që vijnë të blejnë për tri ditë gjatë qëndrimit në një Airbnb,” tha ajo. “Nuk i plotëson më nevojat e një familjeje që dëshiron të bëjë pazarin javor. Jo më. Tani është si La Boquería në Barcelonë: praktikisht ekziston për turistët, ndaj funksioni i tij ka ndryshuar.”
Zgjidhjet?
Në prill, Komiteti për Transportin dhe Turizmin i Parlamentit Evropian, TRAN, miratoi një plan për të lehtësuar presionin mbi destinacionet e mbingarkuara turistike duke forcuar lidhjet me rajonet më pak të njohura dhe duke vendosur rregulla më të rrepta për qiratë afatshkurtra.
Duke theksuar se modeli aktual, ku 80 për qind e udhëtarëve përqendrohen në vetëm 10 për qind të destinacioneve turistike në botë, është i paqëndrueshëm, Parlamenti bëri thirrje për “decentralizimin e turizmit”, duke orientuar flukset turistike larg brigjeve të mbipopulluara dhe qendrave historike të qyteteve drejt zonave rurale, maleve dhe rajoneve të largëta, si edhe duke nxitur forma alternative turizmi – nga eno-gastronomia te çiklizmi.
Plani parashikon krijimin e një kuadri të unifikuar evropian për qiratë afatshkurtra, duke u dhënë autoriteteve lokale mjete më të qarta për të kufizuar numrin e ditëve të dhënies me qira, për të vendosur kuota dhe për të zbatuar sisteme më të rrepta licencimi.
Një kartë digjitale, që do të shërbejë si dëshmi e arsimimit, certifikimeve dhe përvojës profesionale, synon t’ua lehtësojë profesionistëve nga vende si Kroacia apo Italia gjetjen e punës në Austri ose Greqi, duke zbutur presionin sezonal në tregun e punës.
Damir Kresiç, drejtori i Institutit të Turizmit në Kroaci, një institucion publik i financuar nga shteti, tha se planifikimi më i mirë është çelësi për luftimin e mbiturizmit.
Ai përmendi shembullin e Parkut Kombëtar të Liqeneve të Plitvicës, i cili vendosi blerjen online të biletave për të kontrolluar numrin e njerëzve që ndodhen në park në të njëjtën kohë. Sipas tij, kjo ndihmon në menaxhimin e problemit të të ashtuquajturve “turistë tranzit” – “njerëz që udhëtojnë nga zonat e brendshme drejt bregdetit”.
“Tani ata mund të planifikojnë sa bileta do të shesin dhe e dinë saktësisht kapacitetin e tyre, pra sa persona mund të jenë në parkun kombëtar në të njëjtën kohë,” tha Kresiç për BIRN.
Në Dubrovnik, guida turistike Vesna Celebiç tha se problemi më i madh i qytetit janë turistët që vijnë vetëm për një ditë, si ata që mbërrijnë me anije turistike.
“Problemi është se njerëzit që vijnë vetëm për një ditë zakonisht qëndrojnë në pjesën e sheshtë të qytetit dhe lëvizin brenda një zone shumë të kufizuar,” tha ajo. “Ata që qëndrojnë disa ditë eksplorojnë më shumë, ngjiten në shkallët (drejt mureve të Qytetit të Vjetër). Kjo është arsyeja pse pasagjerët e kroçerave janë problematikë: grupe të mëdha mbërrijnë njëkohësisht dhe në të njëjtin vend.”
“Më parë, anijet turistike qëndronin vetëm pesë ose gjashtë orë, gjë që krijonte turma të mëdha. Vizitorët zbrisnin nga porti, shkonin drejt Qytetit të Vjetër, hanin një akullore dhe ktheheshin sërish në anije.”
Autoritetet në Dubrovnik kanë vendosur kufizime për mbërritjen e anijeve turistike.
“Dy kroçera të mëdha mund të hyjnë në të njëjtën kohë dhe tani anijet qëndrojnë shumë më gjatë se më parë,” tha Draskoviç nga Bordi Turistik i Dubrovnikut. “Më parë, shumë kompani mbërrinin në orën 8 të mëngjesit dhe largoheshin në mesditë. Tani duhet të qëndrojnë tetë orë në port.”
Qëndrimet më të gjata sjellin dy përfitime: së pari, pasagjerët kanë kohë për ekskursione të tjera dhe nuk nxitojnë të gjithë menjëherë drejt qytetit; së dyti, vizitat në Qytetin e Vjetër shpërndahen më mirë gjatë ditës.
Autoritetet në Spanjë kanë reaguar gjithashtu ndaj pakënaqësisë lokale për mbiturizmin, veçanërisht në ishujt Balearikë dhe Kanarie, si edhe në qytete si Barcelona, San Sebastiani dhe Malaga.
Që nga 1 prilli i këtij viti, Barcelona ka rritur ndjeshëm taksën turistike, ku vizitorët paguajnë tashmë nga 10 deri në 15 euro për person, për natë, në varësi të cilësisë së akomodimit.
Këto tarifa mund të mos i pengojnë turistët të vizitojnë qytetin, por ato do të financojnë përpjekjet e autoriteteve lokale për të zbutur ndikimin e turizmit, riparuar dëmet dhe pastruar mbeturinat.
Një taksë turistike, e njohur si ecotasa, është vendosur gjithashtu në Ishujt Balearikë, si edhe në qytete si Santiago de Compostela, A Coruna dhe rajoni i Valencias. Ndërkohë, në Barcelonë, një grup pune i bashkisë përpiqet të frenojë përhapjen e dyqaneve të suvenireve në Ciutat Vella, Sagrada Familia dhe Park Güell.
Guida turistike nga Dubrovniku, Vesna Celebiç, paralajmëroi se çdo zgjidhje duhet të testohet dhe do të kërkojë kohë për të dhënë rezultate. Sipas saj, “zgjidhjet e përkohshme” nuk do të jenë të mjaftueshme dhe nevojitet një qasje afatgjatë.
“Duhet të punojmë që tani për të kuptuar si do të jetë situata pas pesë vitesh,” tha ajo.
Ky artikull u realizua në kuadër të MOST – Media Organisations for Stronger Transnational Journalism, një partneritet gazetaresk i financuar nga programi Creative Europe, që mbështet mediat e pavarura të specializuara në raportimin ndërkombëtar.







