Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi sot se kërkon zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjus Dako si dhe kërkon nga prokuroria hetim të çështjes pas dokumenteve gjyqësore të zbuluara nga BIRN që tregojnë se një letër mbështetëse e paraqitur në gjyq dhe e firmosur nga Dako i ka shërbyer gjykatës si argument për miratimin e kërkesës së Lulzim Berishës për liri me kusht.
“Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit”, deklaroi Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike sot. (15 dhjetor).
“Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve. Për këtë arsye, këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur t'i kërkojnë Kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit,” shtoi Basha.
BIRN zbuloi më 14 dhjetor listën e gjatë të vendimeve gjyqësore që sollën fillimisht anulimin e vendimit për dënimin e Lulzim Berishës, me burgim për jetë në burgim me 25 vjet burg si dhe më pas, ulje të njëpasnjëshme të masës së dënimit deri në lirimin e tij me kusht javën e kaluar. I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim, zbuloi BIRN.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako reagoi pas publikimit të investigimit nga Zëri i Amerikës dhe BIRN duke folur për televizionin Neës 24 në Tiranë ku tha se letra e firmosur prej tij qe një procedurë standarde e Bashkisë së Durrësit për rastet e të dënuarve me dënime alternative.
“Bashkia e Durrësit ka plotësuar procedura standarde dhe këto procedura kryhen për çdo të dënuar,” tha Dako. “Institucioni që unë drejtoj nuk ka bërë asnjë kompromis, pasi kjo është një referencë standarde si për të gjithë të dënuarit. Lulzim Berisha ka kërkuar të punojë vullnetarisht. Kërkesa e tij është bërë përmes një formulari tip,” tha ai.
Lulzim Berisha, i dënuar për një numër të madh vrasjesh të kryera gjatë fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, u rikthye në qendër të vëmendjes së publikut javën e kaluar pasi një numër i madh gjykatash, përfshirë Gjykatën e Lartë, e favorizuan atë me disa vendime të njëpasnjëshme deri në lirimin e tij pasi pati kryer efektivisht më pak se 11 vjet burg.