Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta tha nga Lezha se do armatoste popullin nëse policia nuk arrestonte dhunuesit e kryeplakut të Rraboshtës, ngjarje për të cilën LSI akuzon eksponentë të Partisë Socialiste ndërsa kjo e fundit i mohon akuzat.
Presidenti i zgjedhur Ilir Meta kërcënoi se “do të armatoste popullin”, pas vizitës në shtëpinë e Gjovalin Gjinit, kryeplak i Rraboshtës në Lezhë, i cili sipas LSI u dhunua një natë më parë nga 4 persona të maskuar, të lidhur me Partisë Socialiste. “I gjithë populli do të armatoset po nuk i lidhi policia ata zagarë. Ja po ta them unë dhe do ta armatos unë popullin po nuk i lidhi policia”, tha Meta pasi doli nga shtëpia e simpatizantit të LSI.
Sulmi me mjete të forta ndaj Gjinit u raportua mbrëmjen e të premtes, ndërsa dy kandidatë për deputetë të LSI akuzuan njerëz të Partisë Socialiste nga spitali i Lezhës, ku kryeplaku mori mjekimin. Kandidati i LSI-së në Lezhë dhe ish-kryebashkiaku Viktor Tushaj tha për mediat se ishin “të bindur që eksponentë të rëndësishëm të PS-së janë përfshirë në ngjarje”, ndërsa kërkoi distancim nga kryesuesja e listës së PS për Lezhën ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Pjerin Ndreu, kandidati i PS-së në Lezhë reagoi dhe i quajti akuzat “lajthitje ose përpjekje për t’u kacavjerrë pas një konflikti për të përfituar politikisht”. Ndreu po ashtu i kërkoi policisë të zbardhte ngjarjen dhe tha se “PS i hidhte poshtë me neveri këto hamendësime” dhe se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë.
Por sot në mëngjes, ndërsa vizitoi në shtëpinë e tij Gjovalin Gjinin, Ilir Meta iu rikthye akuzave ndaj PS për sulmin, ndërsa sulmoi edhe policinë se nuk po vepronte për të arrestuar autorët. “Populli i Lezhës ka të drejtë t’u thotë banditëve, të cilët duan të dhunojnë dhe t’i thotë edhe Policisë së Shtetit nëse është Policia e Shtetit, që të veprojë”, tha Meta. Ai tha se “të gjithë e dinë kush janë këta persona”.
Më tej Meta akuzoi shefin e kamisariatit të Lezhës se mbronte personat në fjalë, ndërsa kërcënoi se nëse policia nuk ndërhynte do i bënte thirrje popullit të Lezhës të dilte para komisariatit dhe të merrej me shefin e policisë. “Ia kam thënë ministrit, drejtorit të Policisë i di edhe shefi i komisariatit që ka ardhur që t’i mbrojë, pasi një i afërm i tij kandidon për Rilindjen. Shpresoj që të mos i bëj thirrje popullit të Lezhës që të dalë para komisariatit të Lezhës dhe të merret me shefin e policisë së Lezhës”, deklaroi Meta.
Policia që njoftoi se po hetonte çështjen për të zbuluar autorët, kërkoi që ajo të mos përfshihej në retorikën politike. Në njoftimin për shtyp mbi ngjarjen, policia e Lezhës, përndryshe nga sa deklaroi Meta, thotë se i dhunuari ka thënë se nuk i njihte autorët. “Shtetasi Gj.Gj., pas marrjes së ndihmës mjekësore është larguar për në banesën e tij pa dëmtime të rrezikshme për jetën, si dhe ka deklaruar se personat autorë nuk i ka njohur dhe se nuk ka asnjë konflikt me ndonjë person konkret”, thuhet në komunikatën për shtyp të policisë.
Kryeplaku i fshatit Rraboshtë në Lezhë, njëherazi edhe pjesë e shtabit të kandidatit të LSI-së në këtë qark është dhunuar fizikisht mbrëmjen e së premtes. Gjovalin Gjini dëshmoi se po blinte në një prej dyqaneve në qendër të fshatit kur i janë afruar 4 persona të cilët e kanë goditur menjëherë dhe më pas ata janë larguar me automjetin e tyre me shpejtësi. Gjini është mjekuar në spitalin e Lezhës dhe më pas është larguar në shtëpi.
Lezha ka qenë një pikë e nxehtë edhe në zgjedhjet e 2013-tës. Një eksponent i LSI u vra pranë një qendre votimi ditën e zgjedhjeve. Atëherë për ngjarjen u akuzuan persona pranë Partisë Demkratike, por çështja mbetet ende e pazbardhur.
Turp te keni pse nuk thue ti vet se do marr armen e do luftoj me partin socjaliste po do armatosni popullin turp turp e mate padhe turpin ata qe nigjojn ty e shum si ty jena shqiptar dhe ne kohen e turkut e tregum se kush jemi