Lajm16 Mar 2018

Kryebashkiaku i Lezhës arrestohet për tjetërsim tokash, 22 të tjerë nën akuzë

Kryebashkiaku demokrat, Fran Frrokaj dhe 22 zyrtarë të tjerë lokalë dhe përfitues të pronës u vendosën në pranga ose nën akuzë për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në zonën e Ranës së Hedhun në bregdetin e Shëngjinit. Frrokaj i mohon akuzat.  

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Posteri elektoral i kryebashkiakut të arrestuar të Lezhës, Fran Frrokaj.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj u arrestua të premten si pjesë e një rrjeti të gjerë zyrtarësh që Prokuroria e Lezhës i akuzon për tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorë në bregdetin e Shëngjinit. Përveç Frrokajt, Gjykata e Lezhës miratoi urdhër-arreste dhe masa sigurie edhe për 22 persona të tjerë; zyrtarë lokalë dhe përfitues të tokës.

Pas sekuestrimit në shtator 2017 të pesë parcelave të tokës në zonën e Ranës së Hedhun, Prokuroria e Lezhës deklaroi të premten se kryetari i Bashkisë Lezhë, nënkryetari dhe disa zyrtarë të tjerë lokalë kanë kryer përmes shpërdorimit të detyrës tjetërsimin e pronës, duke përdorur ligjin 7501.

Bazuar mbi këto akuza, Gjykata e Rrethit Lezhë miratoi më 15 mars masat e sigurisë së arrestit me burg për kryebashkiakun Fran Frrokaj, i kandiduar nga Partia Demokratike dhe 22 persona të tjerë kryesisht zyrtarë lokalë dhe përfitues të pronës.

Policia e Lezhës konfirmoi se kishte arrestuar 12 prej këtyre zyrtarëve, 7 prej të cilëve janë me masën e sigurisë “arrest në burg”, përfshi kryebashkiakun Frrokaj, nënkryetarin e Bashkisë  Enver Hafizi, juristin e bashkisë Artemis Haxhia,  kreun të Këshillit të Qarkut, Gjok Ndoka,  specialistin në Drejtorinë e Mbrojtjes  së Tokës, Dilaver Neli, inxhinierin e Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive, Enkelejd Zefi  dhe po ashtu Pjetër Gjonin, njëri prej përfituesve të pronës.

Pesë persona të tjerë që po ashtu u ndaluan nga policia, përfshi 3 zyrtarë të rangut të mesëm e të ulët të bashkisë dhe dy të moshuar  që akuzohen se kanë përfituar pronën u lanë në masë sigurie arrest shtëpie. 11 persona të tjerë mes të cilëve drejtues të ZVRPP-së, të bashkisë dhe Këshillit të Qarkut janë shpallur në kërkim.

Avokati i kryebashkiakut Frrokaj, Neshat Fana i tha BIRN se ai ende nuk ishte njohur me aktet, por shtoi se klienti i tij nuk i pranon akuzat. Sipas Fanaj, i mbrojturi prej tij thotë se përgjegjësia në këto raste bie mbi Këshillin e Qarkut dhe ZVRPP, që bëjnë verifikimin dhe rregjistrimin e pronave.

“I mbrojturi prej meje nuk ka as njohje, as interes dhe nuk ka as prova kundër tij që ta lidhin me këtë çështje,” tha Fana për BIRN. Ai shtoi se “Frrokaj pretendon se bashkia ka bërë thjesht kalim rutinë dokumentash dhe se nuk kishte as mundësitë dhe as autoritetin për të bërë verifikimin nëse këto dokumente ishin të falsifikuara dhe as të vendoste për rregjistrimin apo jo të tyre”.

Lezha është bashkia e tretë në rradhë e përfshirë në hetimet e tjetërsimit të pronave në bregdet, përmes trasferimit të tyre si toka bujqësore dhe ndarjes sipas ligjit 7501. Më herët skema të ngjashme u zbuluan në Kavajë, ku u arrestuan 11  persona dhe rezultoi se përfitues ndër të tjerë ishin edhe  familjarët e ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi. Po ashtu, një skemë e ngjashme u zbulua në Rrogozhinë, ku gjykata mori masë sigurie edhe ndaj kryebashkiakut i cili akuzohet për shpërdorim detyre.  Hetime të ngjashme ndërkohë janë kryer në Vlorë, ku tjetërsimi përfshinte pjesë të gadishullit të Karaburunit.

Abuzimet lidhen kryesisht me keqpërdorimin e ligjit 7501 “Për tokën”, i miratuar në 19 korrik 1991 dhe i ndryshuar 5 herë deri në vitin 2004, i cili ka rregulluar shpërndarjen e tokës bujqësore familjeve që ishin anëtare të ish kooperativave bujqësore. Në bazë të ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat. Zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave.

Vetëm në hetimet e dy viteve të fundit, prokuroria ka zbuluar disa qindra mijëra metra bregdet e pyje në zonën e bregdetit u tjetërsuan duke përdorur ligjin në fjalë dhe duke ndryshuar përmes pushtetarëve lokalë cilësimin e pronës nga tokë ranore apo pyll, në tokë bujqësore.

Hetimet për rastin e Lezhës u filluan nga prokuroria në shtator 2017, kur një person i cili kishte fituar pronësi në këtë zonë me vendim të gjykatës në vitin 2006, zbuloi se toka që i ishte njohur atij nga gjykata ishte rregjistruar në hipotekë në emra të disa familjeve të tjera. Prokuroria bëri me dije në një komunikim për shtyp pas vendimit për sekuestrim të pronës në shtator se gjeti një sipërfaqe më të madhe të tjetërsuar, ndërsa sipas saj hetimet kanë zbuluar implikimin e zyrtarëve vendorë në falsifikim.

“Praktikat dokumentare të dërguara nga Bashkia Lezhë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, përmbajnë aktin e marrjes së tokës në pronësi, vërtetimet e kufizimeve, konfirmimet e pasurisë, planet e rilevimit, të cilat janë të falsifikuara dhe janë përpiluar në emër të personave, të cilët nuk kanë qenë dhe nuk janë banorë të Fshatit Mali i Rencit”, thuhet në komunkikatën për shtyp të policisë ku njoftohet arrestimi i kryebashkiakut dhe zyrtarëve të tjerë.

Po ashtu aty bëhet me dije se sipas hetimeve, Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.

Ndërkohë, edhe sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Sipas Prokurorisë pronat e falsifikuara janë rregjistruar në zyrën vendore të hipotekës së Lezhës gjatë verës së vitit 2017. Prokuroria pretendon gjithashtu se hipoteka i ka regjistruar këto prona, pas rikonfirmimit të zërit kadastral nga ana e Bashkisë së Lezhës dhe Qarkut Lezhë.

Sipas policisë, pas regjistrimit të këtyre pasurive në Zyrën Vendore të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, në një kohë shumë të shkurtër përfituesit e kanë tjetërsuar pronësinë, “duke e shitur me çmime simbolike në emër të personave të tjerë apo edhe të lidhjeve të tyre familjare, sipas kontratave te bllokuara”.