Një president i ri si dhe rezultatet solide të luftës ndaj korrupsionit ishin arritjet kryesore të 2014. Përndryshe, do të kishte qenë situata e zakonshme politike dhe ekonomike.
Mirë se vjen, Zoti President
Sondazhet e zgjedhjeve presidenciale të 16 nëntorit të Rumanisë parashikuan të gjitha një fitore të pastër për Kryeministrin dhe liderin Social Demokrat, Viktor Ponta. Por sondazhet e kishin gabim.
Rumunët në fakt zgjodhën Klaus Iohannis, 55 vjeç, kreu i Partisë Liberale Kombëtare në opozitë, PNL dhe një anëtar i komunitetit të vogël etnik gjerman të Rumanisë. Iohannis mori 54.4 për qind të votave, një boshllëk prej 10 për qind në raundin e dytë dhe 2 milionë vota të reja. Pjesëmarrja ishte mbi 64 për qind.
Iohannis, një luterian, është i pari anëtar i një pakice etnike dhe i pari i krishterë jo-ortodoks që shërben si president i historisë paskomuniste të Rumanisë. “Një tjetër lloj Rumanie po fillon tani,” tha ai.
Larg nga mohimi i rrënjëve të tij, Iohannis e bëri fushatën e vet elektorale rreth historisë së tij etnike gjermane, duke nënvijëzuar reputacionin e komunitetit për dobi dhe ndershmëri. Si kryebashkiak i Sibiut në Transilvani prej 14 vjetësh, Iohannis luftoi korrupsionin, duke e kthyer qytetin historik në një magnet për biznes dhe turizëm.
25 vite pas rënies së regjimit komunist, shumë rumunë ndihen optimistë se shteti i tyre më në fund po merr një hap në drejtimin e duhur.
Ndarjet e koalicionit
Ishte një vit i ndryshëm për qeverinë, e drejtuar nga Paria Social Demokrate, PSD. Në shkurt, partneri kryesor i koalicionit qeverisës, Partia Liberale Kombëtare, PNL, la qeverisjen. Ndarja e la qeverinë me një shumicë të brishtë.
Tre muaj më pas, koalicioni i PSD dhe dy parti të vogla sikur e morën veten, vetëm pas fitores së zgjedhjeve të Parlamentit Europian, me rreth 37.5 për qind të votave. Më pak se 15 për qind e votave shkuan për PNL e opozitës, që shpejt u përball me një krizë lidershipi kur kryetari i partisë, Crin Antonescu dha dorëheqjen prej rezultateve të dobëta.
Pas zgjedhjeve presidenciale që rezultuan një surprizë prej mundjes së Kryeministrit dhe liderit Social Demokrat, Victor Ponta, koalicioni qeverisës u nda përsëri.
UDMR, partia kryesore etnike hungareze, që iu bashkua qeverisë në fillim të 2014, lajmëroi më 27 nëntor se do të largohej nga qeveria. Partia Popullore, një parti e vogël e drejtuar nga manjati i medias, tërhoqi mbështetjen parlamentare më 2 dhjetor, duke hapur rrugën daljeve të tjera. Koalicioni qeverisës tani ka 58 për qind të vendeve në parlament, nga 65 për qind që kishte përpara zgjedhjeve presidenciale.
I dobësuar nga ndarjet, Ponta kërkoi për mënyra të reja për të mbajtur koalicionin të bashkuar. Më 15 dhjetor ai lajmëroi një riorganizim dhe një votëbesim në parlament për rregullimin e ri ministror.
Rumania do të hyjë në vitin 2015 duke u përballur me një periudhë të bashkëjetesës politike mes presidentit të qendrës së djathtë dhe qeverisë së qendrës së majtë.
Shqetësimet për Ukrainën
Situata komplekse në Ukrainën fqinje kërkoi një përgjigje. Në një mendje me BE-në dhe SHBA-në, Rumania në mars e deklaroi referendumin e bashkimit të Krimesë me Rusinë të paligjshëm. Mbështeti plotësisht sanksionet e Perëndimit dhe BE-së ndaj Moskës si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Ukraina.
Shqetësimi i Bukureshtit reflektonte faktin se, pas marrjes së Krimesë nga Ukraina, Rusia mund të provonte të njëjtën gjë me Moldavinë, ku trupat ruse janë stacionuar në provincën autonome të Transdniester.
Më 15 shtator, Agjencia Rumune e Inteligjencës, SRI, tha se do të ishte koordinatorja e një fondi besimi të krijuar nga shtetet anëtare të NATO-s për të zhvilluar mekanizma të mbrojtjes kibernetike për Kievin. Rumania do të sigurojë menaxhim projekti dhe stërvitje për specialistët ukrainas për të siguruar rezultatet e sistemit.
Më 11 tetor, Marina Amerikane krijoi një bazë të re të mbrojtjes raketore në Deveselu, në Rumaninë jugore. Baza është një nga dy zonat e zbulimit evropiane për mbrojtjen raketore të NATO-s, një skemë e parë me dyshim nga Rusia.
Baza do të ketë 200 deri në 500 ushtarakë amerikanë, civilë dhe të punësuar të tjerë. Një zonë e dytë, në Poloni, pritet të fillojë nga puna në 2018.
Çështjet e korrupsionit
Arrestimet e zyrtarëve publikë për akuza korrupsioni vazhduan në 2014. Më 6 janar, gjykata e lartë e Rumanisë burgosi ish-kryeministrin, Adrian Nastase, me katër vjet për ryshfet.
Nastase ishte tashmë i dënuar me tre vjet për shantazh, por sipas ligjit ai duhet të shërbejë dënimin më të gjatë. Gruaja e tij, Dana Nastase, u dënua me tre vjet burg për bashkëpunim në ryshfet, me një lirimi me kusht prej 8 vjetësh. Gjykata gjithashtu konfiskoi 0.4 milionë euro nga familja Nastase.
Prokurorët thanë se mes 2002 dhe 2004 Adrian Nastase mori të mira dhe para me vlerë 630 mijë kur ishte kryeministër. Në gusht, Nastase u lirua nga burgu për sjellje të mirë.
Nastase, 63 vjeç, kishte vuajtur vetëm shtatë muaj prej dënimit 4-vjeçar, por ai ishte mbi 60, ndaj mori ulje të dënimit. Ishte i dyti dënim që Nastase merrte në vitet e fundit. Në qershor 2012, ai mori 2 vjet burg për korrupsion.
Gjithashtu në janar, Relu Fenechiu, një figurë e lartë e Partisë Liberale dhe ish-ministër i transportit, u burgos me pesë vjet për përfshirjen në shitjen e pajisjeve elektrike të dorës së dytë si të reja.
Dënime të rëna u dhanë në mars ndaj tetë zyrtarëve të lartë të futbollit që u shpallën fajtor për evazion me taksat dhe pastrim parash.
U deshën rreth shtatë vjet që çështja të dilte përpara gjykatës së apelit të Rumanisë për një vendim përfundimtar, por më 3 mars, gjykata burgosi tetë zyrtarë të lartë drejtues dhe menaxhues që u shpallën fajtor për parregullsi në transferimin e lojtarëve të futbollit jashtë shtetit.
Në qershor, Mircea Basescu, vëllai i vogël i presidentit Traian Basescu, u arrestua për akuzën se mori 250 mijë euro në shkëmbim të një premtimi për të ndërhyrë në lirimin e një të dënuari për vepër kriminale. Presidenti Basescu ka mohuar çdo përfshirje me çështjen.
Më 15 gusht, një gjykatë burgosi Dan Voicelescu, një biznesmen të pasur, manjat i medias dhe politikan, me dhjetë vite për përfshirje në shitje me mashtrim të një institucioni shtetëror, pastrim parash dhe përdorim të influencës. Voiculescu është themelues i Partisë Konservative, që është një partner i koalicionit qeverisës.
Më 25 gusht, një gjykatë dënoi George Copos, një biznesmen të pasur, ish-zëvëndës kryeministër dhe shef i klubit të futbollit Rapid Bukuresht, me katër vite burg për evazion me taksat. Copos u dënua për mashtrim me 1 milion euro taksa pasi një prej kompanive të tij i shiti një hapësirë Lotarisë shtetërore Rumune.
Ish-shefat e Gulagëve në gjyq
25 vite pas rënies së regjimit komunist, Rumania më në fund filloi të dënojë njerëzit për krimet më të këqija të asaj periudhe.
Më 24 shtator, filloi gjyqi i Alexandry Visinescu, një ish-komandat burgu i akuzuar për vrasje makabre të të paktën 12 të burgosurve politikë nga komunistët. Ishte i pari gjyq i një kreu të tillë qelie të periudhës komuniste në Rumani. Mes 1956 dhe 1963, Visinescu drejtoi burgun famëkeq Ramnicu Sarat ku liderët rumunë të para-komunizmit dhe intelektualët u burgosën.
Dy ish-shefa të tjera burgjesh të periudhës komuniste, IOan Ficior dhe Florian Cormos, gjithashtu akuzohen për shkaktim të vdekjes dhe tortura të të burgosurve politikë. Të dy i kanë mohuar akuzat.
Në prill, Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, IIÇMER, publikoi një listë të 35 personave që akuzohen për përfshirje në izolimin dhe torturimin e disidentëve gjatë kohës së komunizmit.
Raportet sugjerojnë se rreth 12,000 nga një total prej 617 mijë të burgosur politikë vdiqën në gulagët rumunë. Shumica ishin politikanë, priftërinj, shkrimtarë dhe diplomatë, por disa ishin edhe fshatarë.
Protestat mjedisore
Më 3 qershor, 2014, parlamenti refuzoi një ligj të minierave që do t’i mundësonte Burimeve Gabriel të Kanadasë fillimin e projektit të diskutueshëm të minierave të arit në qendër të Transilvanisë. Refuzimi pezulloi të gjithë projektin. Deputetët munden teoritikisht që të hartojnë një draft për legjislacionin e ri në një datë tjetër. Kjo ka pak gjasa të ndodhë shpejt.
Burimet Gabriel kishin një licencë për të kërkuar rezerva ari nëpërmjet degës së saj rumune Korporata e Arit Rosia Montana, RMGC, që e mori lincencën 15 vite më parë. Por kompania po luftonte të merrte të gjithë lejet mjedisore dhe arkeologjike. Kundërshtarët thanë se përdorimi i planifikuar i ciandinës për të nxjerrë arin ishte një kërcënim për mjedisin e gjerë dhe zonat arkeologjike të afërta.
Në muajt e parë të 2014, mijëra njerëz protestuan nëpër Rumani, kundër planeve të gjigantit amerikan të naftës Chevron për të filluar kërkimin e depozitave të gazit natyror në Pungesti, në lindje.
Aktivistët shprehën frikën se teknikat e përdorura për nxjerrjen e gazit do të ndotnin ujin dhe ajrin. Më 7 maj, pavarësisht protestave të vazhdueshme për kërkimin e gazit natyror, Chevron filloi kërkimin e parë në Rumani. Kompania ka siguruar lejet për të eksploruar gazin natyror në verilindje të Rumanisë, si dhe në bregdetin rumun të Detit të Zi.
Zyrtarët rumunë, përfshirë kryeministrin Ponta, kanë thënë se kërkimi i gazit natyror do t’i lejonte Rumanisë të ulë varësinë ndaj importeve të shtrenjta të gazit nga Rusia.