Është e lehtë ta diskutosh sulmin vdekjeprurës mbi Charlie Hebdo si një sulm mbi lirinë e shprehjes. Por a duhet të jemi të befasuar që një organizatë globale terrorizmi e njohur për mohimin brutal ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore do të sulmonte një media që ishte e specializuar në provokimin e saj?
Po aq sa media sociale në botën arabe/myslimane ka bërë rutinë deklamimin anti-semit, ashtu ekziston një industri globale të mediave të dedikuara ndaj gjërave anti-myslimane. Çdo javë, gazetarët, blogerët, postuesit e Twitterit francezë, europianë (dhe së fundmi indianë) shprehin të gjitha llojet e gjërave që janë ofenduese apo provokuese për myslimanët – ose të paktën për shumicën e atyre që janë të përkushtuar dhe fanatikë.
Ka mijëra uebsajte, programe radio dhe rrjete televizive që janë specializuar në propagandën anti-myslimane dhe anti-islame. Hashtagu i Twitterit #killallMoslems (vritini të gjithë myslimanët) ka qarkulluar që prej 2011. Teksa ky bollëk i ofendimit mund të ngushëllojë të gjithë ata që shqetësohen rreth lirisë së fjalës, nuk më jep asnjë qetësi mua si një mysliman evropian.
Dyshimi i Europës ndaj islamit nuk është i ri, sigurisht, dhe dikush mund të thotë se ndjesia është e përbashkët. Por niveli i provokimit anti-mysliman është bërë i paprecedent së fundmi. Në Gjermani, lëvizja e ashtuquajtur Pegida tani mban marshime anti-myslimane të përjavshme në disa qytete (ndonëse, për të qetë të drejtë, tubime më të mëdha, dhe pothuajse e gjithë elita politike e Gjermanisë, kanë dalë kundër marshuesve Pegida).
Vitin e kaluar, kryebashkiaku i Sarge-les-le Mans, një qytet francez me 3500 banorë dhe me 180 studentë myslimanë, kërkoi të imponojë mishin e derrin në të gjitha shkollat. Disa vite më herët, presidenti i atëhershëm francez, Nikolas Sarkozi iu bashkua një fushate që synonte të ndalonte markën Mish Hallall, gjë që u bë çështje elektorale.
Minoritetet janë shënjestra të lehta gjithkund (dukshëm, kristianët dhe hebrenjtë nuk kanë jetë të lehtë në vendet me shumicë myslimane në kohën tonë).
Dhe, duke marrë parasysh fushatën e frikës së propaganduar nga Al Kaeda dhe anëtarëve të saj, në njërën anë, dhe racistëve të krahut të djathtë, në anën tjetër, shumë njerëz nuk janë në dijeni se myslimanët janë në fakt një pakicë e vogël në vendet europiane dhe perëndimore. Kjo është arsyeja përse tallja e Charlie Hebdo me besimet e shenjta të pakicave (hebre, myslimanë dhe homoseksualëve) nuk është një akt i trimërisë. Shumica e njerëzve përmbahen ndaj provokimeve të tilla jo sepse janë hajvanë, por sepse ata besojnë, afërmendsh, që një sjellje e tillë nuk i shërben asnjë qëllimi të mirë apo të dobishëm.
Myslimanët europianë nuk janë më pak paqësor sesa fqinjët e tyre jo-myslimanë. Pothuajse të gjithë aktet terroriste të kryera nga myslimanët në Europë dhe në shtetet e tjera kanë qenë punë e anëtarëve të një organizate mëmë – Al Kaedës.
Ndonëse përhapja e madhe e kësaj organizate është për t’u shqetësuar, është gjithashtu qetësuese të dihet se sa e limituar është ideologjia e dhunës te myslimanët, veçanërisht në Perëndim. Në fakt, nuk ka organizata të vërteta islamike terroriste të ndonjë rëndësie të madhe në Europë të zhvilluara në atë vend. Myslimanët europian të radikalizuar duhet të shohin gjetkë.
Për të qenë të sigurt, shtetet me shumicë myslimane nuk janë të njohura për afeksionin e tyre për lirinë e fjalës. Por, përpara sulmit mbi Charlie Hebdo, ia vlen të theksohet se, përveç Irakut dhe Sirisë të shkatërruara nga lufta, më shumë gazetarë janë vrarë çdo vit në Filipinet kryesisht katolike sesa në çdo shtet tjetër me shumicë myslimane.
Fatkeqësisht, siç na ka treguar vrasja tmerruese e 77 personave nga Anders Breivik në shtetin tim të adoptuar të Norvegjisë, mjafton vetëm një organizatë apo një individ për të kryer një krim, cilido qoftë niveli i arsimit apo standardet e jetesës. Ende, teksa ujqit e vetmuar si Breivik janë të vështirë për t’u pikasur, anëtarët aktiv të organizatave terroriste janë më të lehtë për t’u gjurmuar dhe monitoruar.
Këtu u bënë më shqetësuese sulmet në Paris. Ishte një rast i një dështimi katastrofik të shërbimeve të sigurisë dhe shërbimeve informative që lejoi një grup prej katër vetësh që ishin të njohur për policinë si anëtarë të një organizate terroriste aktive globalisht të operonin me lehtësi relative në kryeqytetin e Francës. Përse ishin ata pa kontroll? Përse nuk u vëzhguan dhe u ndaluan ata më herët? Sa persona të tillë, të njohur për policinë janë atje jashtë?
Ky është një diskutim që duhet bërë. Përqendrimi i debatit vetëm mbi islamin dhe myslimanët dhe e ardhmja e reformimit fetar, integrimit dhe bashkekzistencës është një mënyrë për të kamufluar dështimin. Myslimanët janë tashmë shumë pjesë e çdo sfere të jetës në Europë, përfshirë aparatin e sigurisë dhe ushtrinë. Myslimanët europianë janë integruar në shoqëritë e tyre si profesionistë, atletë, akademikë dhe drejtues civil.
Nëse pritet që ne myslimanët europianë të identifikohemi me shtetësinë tonë dhe identitete të tjera laike, atëherë miqtë tanë europianë nuk duhet të na kategorizojnë sipas identiteti fetar. Askush nuk duhet të prezumojë se myslimanët europianë duhet të kërkojnë falje apo të shpjegojnë veprimet e organizatave terroriste me një ideologji të ngjashme me fenë kult, ashtu si askush nuk priti që norvegjezët të kërkonin falje për Breivik. Al Kaeda dhe anëtarët e saj janë njohur për tërheqjen e individëve të zhgënjyer mes myslimanëve dhe jomyslimanëve europianë po ashtu.
Nëse mbyllim sytë, mund të mendojmë që sulmet e Parisit ekspozuan një kontradiktë midis islamit dhe lirisë së shprehjes dhe midis myslimanëve dhe europianëve. Nëse i hapim sytë dhe fillojmë të shohim në shkakun dhe pasojën, ne mund të shmangim humnerën për ku na drejton një verbëri e tillë. Sulmet e Parisit shënjestruan njerëz të pafajshëm kudo dhe publiku meriton përgjigje se puna e kujt ishte për të parandaluar incidente të tilla të ndodhin.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Ripublikimi i këtij materjali nuk lejohet pa autorizimin e Project Syndicate.