Ku duhet ta përqendrojë vëmendjen komuniteti global në 15 vitet e ardhshme? Shëndeti, ushqimi dhe arsimi mund të duken si zgjidhje të qarta; më befasuesja, ka shumë mundësi që aksesi në internetin me bandë të gjerë të bëhet prioritet kryesor.
Merrni parasysh këtë fakt të thjesht: duke trefishuar aksesin e internetit përmes celularit gjatë 15 viteve të ardhshme bota e zhvilluar mund të bëhet 22 trilionë dollarë më e pasur. Një përmirësim i tillë në jetët dhe mundësitë e fitimit për të varfrit mund të ndihmojë tërthorazi me sfida të tjera; mbi të gjitha, njerëzit me më shumë perspektiva priren të jenë më të shëndetshëm, të ushqehen më mirë dhe të jenë më të edukuar.
Ky diskutim ka rëndësi, sepse 193 qeveritë kombëtare të botës do të takohen në Kombet e Bashkuara në shtator për të përfunduar një listë të synimeve të zhvillimit që bota t’i përmbushë deri në 2030. Instituti im i kërkimit, Konsensusi i Kopenhagenit, i ka kërkuar 60 ekipeve ekonomist, përfshirë disa laureatë të Nobelit, të investigojnë cilat synime do të bënin më shumë të mira për çdo dollar të shpenzuar, për të ndihmuar këtë takim të bëjë zgjedhjet më të mira.
Në një analizë të re, Emmanuelle Auriol dhe Alexia Lee Gonzalez Fangalone nga Shkolla e Ekonomiksit të Tuluzit sugjerojnë se interneti me bandë të gjerë mund të jetë një nga investimet më të mira për të ardhmen. Qartësisht, prezantimi i shpejtë i shërbimeve të internetit me bandë të gjerë ka transformuar jetët e njerëzve në botën e industrializuar; ekziston çdo arsye për të pritur që vendet në zhvillim mund të përfitojnë të paktën po aq shumë.
Aksesi në informacionin e tregut, për shembull, mund të sigurojë që fermerët që shesin kultivimet e tepërta të mos u bëhet hile nga tregtarë të paskrupullt dhe që peshkatarët të mund ta zbarkojnë në port peshkun duke ofruar çmimin më të mirë. Një raport i McKinsey vlerëson se afrimi i internetit me bandë të gjerë në botën e zhvilluar në nivelet e botës industriale mund të shtojë 400 miliard dollarë në vit në PBB globale dhe mund të krijojë më shumë se dhjetë milionë vende pune.
Ngjashmërisht, Banka Botërore ka treguar se një rritje prej 10 për qind në penetrimin e internetit me bandë të gjerë e shtoi rritjen e PBB me 1.4 për qind në shtete me të ardhura të ulta –të mesme.
Kjo nënkupton se dhënia fund e ndarjes së vazhdueshme dixhitale mes rajoneve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim të botës mund t’i japë një shtytje të madhe zhvillimit. Për shembull, penetrimi i internetit mobil me bandë të gjerë është 83 për qind te të parat, por vetëm 21 për qind te të fundit.
Teksa qeveritë në Europë dhe gjetkë vazhdojnë të investojnë në internetin me bandë të gjerë më të shpejtë dhe më të mirë, përfitimet më të mëdha do të vijnë gjithmonë nga ofrimi i aksesit në internet të njerëzve që nuk e kanë tashmë, shumica e të cilëve jetojnë në vendet në zhvillim. Në fakt, vendet në zhvillim mund ta kapërcejnë botën e zhvilluar duke shkuar drejt e te interneti me bandë të gjerë, e duke shmangur kështu nevojën për kabllo të shtrenjta me fibër optike për ‘miljen e fundit’ – ose pikën e aksesit në rrjet.
Përdorimi i celularëve po përhapet tashmë shpejt në vendet në zhvillim, duke e bërë infrastrukturën fikse të modës së vjetër të panevojshme; shërbimet e të dhënave mund të përdorin të njëjtin sistem. Në Kinë, tre të katërtat e përdoruesve të internetit hyjnë që tani online nëpërmjet celularëve; në Etiopi dhe Ugandë, katër nga pesë përdorues bëjnë të njëjtën gjë. Ndaj, duke marrë parasysh përhapjen e telefonisë mobile dhe përparimet e fundit teknologjike në rrjetet mobile, prezantimi i internetit mobil me bandë të gjerë duket një zgjidhje me kosto efektive.
Studimi i Auriol dhe Fanfalone tregon se rritja e internetit mobil me bandë të gjerë rreth trefish në rajonet në zhvillim – nga 21 për qind në 60 për qind – do të kushtojë plot 1.3 trilion dollarë, teksa një sasi domethënëse e infrastrukturës shtesë duhet për të krijuar rreth tre miliard lidhje të tjera interneti. Por kjo do të shtojë gjithashtu rritjen e PBB. Deri në 2020, përfitimet do të jenë rreth 500 miliard dollarë në vit, dhe do vazhdojnë të rriten çdo vit. Gjatë dekadave të ardhshme, përfitimi total do arrijë rreth 22 trilion dollarë. Si rezultat, çdo dollar i shpenzuar në internetin mobil me bandë të gjerë në botën në zhvillim do të sjellë një fitim prej 17 dollarë. Ky duket si një investim vërtet i zgjuar.
Sigurisht, interneti me bandë të gjerë është një teknologji e tillë revolucionare që është e vështirë t’i parashikosh ndikimin e plotë ekonomik, që do të variojë nga rrethanat vendase. Çfarë tregon studimi Auriol-Fanfalone është se prezantimi i aksesit në internet është para e shpenzuar mirë. Punët krijohen direkt në organizatën që ofron rrjetin dhe tërthorazi në zinxhirin furnizues.
Me t’u vendosur, interneti me bandë të gjerë ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonominë e gjerë. Kompanitë bëhen më eficente dhe inovative. Të gjithë këta faktorë rrisin ritmin e zhvillimit ekonomik.
Përveç pasojave direkte në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës, interneti me bandë të gjerë mund të ketë disa përfitime shumë të rëndësishme për Vendet më Pak të Zhvilluara (LDC). Nëntëqind milionë njerëz jetojnë në LDC dhe, siç thekson Pantelis Koutroumpisi i Kolegjit Imperial të Londrës, vetëm 6.7 për qind janë përdorues të internetit. Nga ana tjetër, rreth 60 për qind e këtyre njerëzve përdorin një celular. Ata mund të përfitojnë nga smartfonët me përshtatje të thjeshta që mund të përdoren në një gamë të testeve shëndetësore nëpërmjet ekranit (për shembull, për sëmundjet kardiovaskulare, HIV dhe patogjenë të tjerë apo malaria), me rezultatet që i dërgohen menjëherë spitaleve për një përgjigje imediate.
Përfitimet e mundshme të internetit mobil me bandë të gjerë për Vendet më Pak të Zhvilluara shkojnë edhe më tej. Aksesi në internet mund të ofrojë material arsimues dhe të përmirësojë shkollimin. Dhe mund të afrojë në kohë reale, shërbime transporti të kërkuara për zonat e largëta.
Me internetin një burim kaq të rëndësishëm në botën moderne, interneti me bandë të gjerë është bërë një teknologji jetësore, premtues për të nxitur rritjen ekonomike, për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria dhe për të përmirësuar shëndetin e tyre, ushqimin dhe arsimimin. Kur qeveritë të përfundojnë caktimin tjetër të synimeve të zhvillimit global, ka një mundësi të madhe që aksesi në internetin me bandë të gjerë të jetë mes tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate.