Megjithë shkeljet e pretenduara ligjore dhe protestat qytetare, ndërtimi i pesë kullave 17-katëshe tek diga e Liqenit Artificial po vazhdon të ecë përpara, falë një vendimi gjykate dhe pingpongut politik mes bashkisë dhe qeverisë.
Në njërin prej të paktëve rripa toke të mbetur bosh në Tiranë, makineritë këmbehen ngeshëm, teksa hapin gropën ku parashikohet të ngrihen pesë kulla 17-katëshe prej betoni.
Kantieri i punimeve ndahet me rrugën automobilistike nga një mur i lartë teneqeje, por 10 metra më larg mbi digën e Liqenit Artificial, njerëzit ndalin vrapin dhe vëzhgojnë me bezdi lëvizjet e kamionëve të mbushur me dhe.
Projekti i pesë kullave, i miratuar me vendim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha më 1 gusht të vitit 2014 ka bërë shumë armiq dhe rivalë. Një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile protestojnë prej një viti kundër ndërtimit që ndodhet në kufi me të vetmin park të Tiranës. Ekspertët u bien kambanave të alarmit për rrezikun që i kanoset digës, e bashkë me të edhe liqenit të mpakur të kryeqytetit.
Bashkia e djathtë dhe qeveria e majtë gjenden prej muajsh në një “luftë të ftohtë” për projektin, që vazhdon megjithatë të ecë përpara. Për shkak të kësaj përplasjeje, kompania ndërtuese Gener2 ndodhet në një proces gjyqësor me Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Përmes një vendimi të 14 janarit 2015, INUK e shpalli të paligjshme lejen e ndërtimit dhe urdhëroi bllokimin e punimeve. Dhjetë ditë më pas, Gjykata Administrative e Tiranës e rrëzoi bllokimin, duke i hapur dritën jeshile punimeve të kompanisë.
BIRN ka siguruar vendimin e Gjykatës Administrative, përmes së cilës gjyqtari Avni Sejdi argumenton se bllokimi i punimeve në projektin që vlen 100 milionë euro dëmton kompaninë. Ndryshe sipas gjyqtarit, vazhdimi i punimeve nuk cenon interesin publik.
Ky argument cilësohet qesharak nga një grup aktivistësh të rinj që protestojnë prej një viti kundër ndërtimeve tek diga e Liqenit Artificial.
“Kur pallatet të jenë bërë fakt, Tirana do të hyjë në historinë e njerëzimit si qyteti i vetëm që nuk ka një park për qytetarët e vet,” thotë pedagogu Ervin Goci për BIRN.
Gjyqi i projektit 100 milionë euro
Në vendimin për bllokimin e punimeve tek Diga e Liqenit, INUK rendit 14 shkelje ligjore të Bashkisë së Tiranës, që sipas tij e bëjnë nul lejen e ndërtimit. Por kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt e çoi çështjen në Gjykatën Administrative, ku kërkoi zhbllokimin e punimeve.
Përmes vendimit të shpallur më 23 janar 2015, gjyqtari Avni Sejdi rrëzon INUK-un dhe i jep të drejtë kompanisë të vazhdojë punimet. Për pasojë, gropa e themeleve rrëzë digës së Liqenit Artificial po thellohet dita-ditës.
Në vendimin e gjykatës, dy janë argumentet mbi të cilat është vendosur sigurimi i padisë; dyshimi i arsyeshëm për mundësinë e shkaktimit të një dëmi të rëndë për kompaninë dhe moscenimi i interesit publik.
“Objekti i parashikuar, në bazë të Lejes Zhvillimore është në shumën e 100 milionë eurove dhe deri në këtë fazë, nga ana e kompanisë janë bërë shpenzime të konsiderueshme në punime dhe studime të kryera,” thuhet në vendim.
Sipas tij, kompania Gener 2 kishte shpenzuar rreth 183 milionë lekë dhe kishte parapaguar 71 milionë të tjera për materiale, deri në momentin e vendimit të Gjykatës Administrative.
Një tjetër argument, që anoi peshoren e gjykatës nga vazhdimi i punimeve ishin dy kredi bankare të marra nga kompania, në vlerën e 4 milionë eurove.
Gjyqtari çmon në të njëjtin vendim se nuk cenohet interesi publik. Argumenti i përdorur për të justifikuar këtë qëndrim është vendimi i KRRTRSH-së i vitit 2006, që e kthen këtë tokë në kufi me Parkun e Tiranës në një zonë ndërtimesh.
Ky vendim i Gjykatës kundërshtohet nga ekspertët, të cilët pretendojnë se vendimi i 2006-s i ish-kryeministrit Berisha rrëzohet nga Plani Urbanistik i Tiranës, i hartuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha.
Ambientalisti Sazan Guri, pjesëtar i grupit të punës që ka bëri vlerësimin mjedisor të Planit Urbanistik të Tiranës pohon për BIRN-in se në këtë zonë nuk parashikohen ndërtime.
“Plani Rregullues i Tiranës e parashikon si zonë rekreative dhe jo ndërtimesh,” thotë Guri.
Vendimi i Gjykatës Administrative nuk e ka mbyllur konfliktin mes kompanisë dhe qeverisë së majtë për kompleksin e pallateve. Aktualisht, INUK e ka kundërshtuar vendimin në Apel dhe ka nisur një proces të gjatë themeli në shkallën e parë të gjyqësorit.
Ndërkohë, situata juridike e lejes së dhënë nga Bashkia e Tiranës është rënduar edhe më tej nga një kthesë e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha. Në shtator të vitit 2014, Bashkia e Tiranës i dërgoi këtij komiteti studimin hidro-teknik të sigurisë së digës së liqenit dhe kërkoi miratimin e tij.
Ky studim u miratua më 23 shtator 2014 nga Komiteti i Digave, por një kontroll i mëpasëm i Zyrës së Antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave zbuloi shkelje ligjore në këtë vendim.
“Dokumenti i miratuar nga KKDM nuk ishte hartuar nga një studio ligjore e licensuar dhe u votua pa kuorumin e nevojshëm,” thuhet në aktin e kontrollit të Zyrës së Antikorrupsionit.
Më 6 janar 2015, Komiteti i Digave u mblodh sërish dhe hodhi poshtë dy vendimet e mëparshme, që i hapnin rrugën ndërtimit të kompleksit.
Kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave, Maksim Muçi i tha BIRN-it se dy vendimet u rrëzuan pasi ishin marrë në kundërshtim me rregulloret përkatëse.
“Ne nuk miratojmë leje ndërtimi, por japim mendimin tonë nëse objekti e dëmton apo jo digën,” thotë Muçi. “Në këtë rast, kemi njoftuar Bashkinë e Tiranës se ne nuk e miratojmë studimin,” shton ai.
Me drojën se mos institucioni që drejton interferon në çështje politike, Muçi pohon se KKDM ka vendosur të bëjë një kontroll në Bashkinë e Tiranës gjatë muajit qershor. Në këtë periudhë, Bashkia do të jetë e përfshirë në zgjedhjet për kryetarin e ri.
Papajtueshmërinë e digës së Liqenit me kompleksin 100 milionë euro të pallateve e përforcon edhe inxhinieri me përvojë të gjatë në sigurinë e digave, Kristo Goga.
“Diga është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe poshtë tyre nuk mund të ndërtohet kurrsesi,” thotë Goga për BIRN. “Këta duan të bëjnë shakara dhe po i bëjnë në sy të të gjithëve,” shton ai.
Pingpongu politik
Zanafilla e planeve për pallate në tokën e lakmuar poshtë digës së liqenit nis dhjetë vite me parë, me një vendim të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe ka përfshirë hierarkinë më të lartë të elitës politike të vendit.
Me një vendim të vitit 2004, ish-kryeministri Nano e nxori këtë hapësirë nga kufiri i Parkut të Madh të Tiranës, duke e klasifikuar si zonë sportive.
Dy vite më pas, në 2006, ish-kryeministri Sali Berisha e çoi këtë hapësirë më pranë biznesit të ndërtimit, kur përmes një vendimi të KRRTRSH-së e shpalli zonë ndërtimesh.
Në vitin 2008, ish-kryebashkiaku i Tiranës, aktualisht kryeministër, Edi Rama prezantoi projektin e një studioje të huaj për zonën, ku parashikohej ngritja e kullave që shkonin deri në 40 kate. Projekti nuk u realizua dhe në kapërcyell të vitit 2010, teksa politika po hynte në vitin e zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike denoncoi Ramën se e kishte miratuar këtë projekt në favor të klientëve të tij në biznes.
Në vitin 2011, mbrojtja e Parkut të Liqenit dhe zhbërja e projektit të ndërtimeve ishte një ndër kuajt e betejës elektorale të Lulzim Bashës, që e ngjitën atë në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Do të zhbëj projektet e shumëkatësheve dhe ajo hapësirë do t’u kthehet qytetarëve të Tiranës si zonë e gjelbër,” ishte premtimi i kryebashkiakut të ri.
Premtimi u mbajt deri në vitin 2014, kur situata u kthye përmbys. Kryebashkiaku Basha firmosi ndërtimin e 5 kullave në favor të kompanisë Gener 2, ndërsa deputetë të Partisë Socialiste nisën një fushatë denoncimi kundër ndërtimeve.
Bashkia e Tiranës u mbrojt me faktin se toka ishte private dhe se ajo nuk cënonte hapësirat publike pranë Parkut të Liqenit. “Projekti aktual nuk prek asnjë centimetër të parkut të Liqenit por ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportive, si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike,” ishte qëndrimi i Bashkisë.
E ndërsa palët fajësojnë njëra-tjetrën, nisma “Qytetarët për parkun” vazhdon e vetme protestat përballë Bashkisë dhe Kryeministrisë. Me moton “Zero park, zero vota”, grupi i protestuesve synon të ndalë projektin me vlerë 100 milionë euro, që rëndon dendësinë e ndërtimeve rreth Parkut të Liqenit.
“Protestat tona nuk do të ndalen ndaj kësaj masakre që po i bëhet parkut të vetëm të Tiranës,” thotë pedagogu Ervin Goci. “Do vijë një ditë kur pallatet të jenë bërë fakt, dhe këtyre u mbetet të thajnë liqenin për të mos i rrezikuar,” përfundon ai.