Ndryshe nga Lindja e Mesme e vjetër, fati i të cilës u përcaktua nga fuqitë Perëndimore dominuese (Britania e Madhe dhe Franca pas Luftës së Parë Botërore dhe SHBA-të nga vitet 1940 deri vonë), kjo e reja nuk ka një hegjemon të jashtëm për ta stabilizuar atë. Dhe, pa një fuqi dominuese rajonale, një vakum i rrezikshëm strategjik është shfaqur.
Lindja e Mesme e “re” është aktualisht në shfaqje çdo ditë. Ndryshe nga Lindja e Mesme e Vjetër, fati i të cilës përcaktohen ng fuqitë Perëndimore dominuese (Britania e Madhe dhe Franca pas Luftës së Parë Botërore dhe SHBA-të nga vitet 1940 deri vonë), kjo e reja nuk ka një hegjemon të jashtëm për ta stabilizuar atë. Dhe, pa një fuqi dominuese rajonale, një vakum i rrezikshëm strategjik është shfaqur.
SHBA-të dukshëm nuk janë më të gatshme – ose të afta – të luajnë rolin e tyre. Megjithëse Amerika nuk do të tërheqë forcat e veta të armatosura nga rajoni tërësisht, ndërhyrjet e drejtpërdrejta ushtarake, veçanërisht ato me trupa tokësore, nuk janë në axhendë, veçanërisht si pasojë e telasheve të hasura në Irak. Amerika nuk do të jetë një lojtar ushtarak për aq kohë sa balanca strategjia e rajonit të mos vihet në diskutim më mënyrë themelore (gjë që shpjegon sulmet ajrore të SHBA-ve kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri). Me përjashtim të kësaj, SHBA-të tashmë janë duke luajtur në nivelin e diplomacisë për të zgjidhur, ose së paku për të përmbajtur, një kërcënim thelbësor strategjik – që përbëhet nga rreziku i programit bërthamor të Iranit.
Aktorë të ndryshëm shtetërorë apo joshtetërorë janë përpjekur për të mbushur boshllëkun e krijuar nga kujdesi i kohëve të fundit të SHBA-ve: Irani dhe Arabia Saudite. Këto vende luftojnë për supermaci rajonale dhe tashmë po përplasen në mënyrë indirekte në fushëbetejat e Libanit, Irakut, Sirisë e, së fundmi, Jemenit. Në të vërtetë, rebelimi i Huthit në Jemen shënon një fazë të re në një konflikt më të gjerë rajonal. Ai nuk po ndodh thjeshtë në jug të Gadishullit Arabik, drejtpërsëdrejti në kufijtë e Arabisë Saudite; ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e mbretërisë e ka nxjerrë të hapur rivalitetin e saj me Iranin.
Si gjithmonë në Lindjen e Mesme, faktorë fetarë dhe etnikë luajnë një rol të madh në këtë rivalitet. Ndarja Shia-Suni brenda Islamit po refektohet në gjeopolitikën e rajonit. Për më tepër, ndërsa Irani është një vend Shia, shumica dërrmuese e arabëve janë Suni, duke përforcuar dallimet etnike të Iranit.
Interesat gjeopolitikë, sektarizmi sektor dhe etniciteti përbëjnë në këtë mënyrë një përzierje të rrezikshme në Lindjen e Mesme të re. Dhe, për shkak se historia ka treguar se ndërhyrjet ushtarake nga jashtë as nuk mund të zgjidhin dhe as nuk kanë përmbajtur konflikte të tilla, fuqitë rajonale do të duhet ta zgjidhin mes vetes këtë problem, gjë që është e lehtë të thuhet por e vështirë të bëhet. Kjo mund të kërkojë një fazë të gjatë dhune të paparashikueshme, gjë që nënkupton një rrezik të lartë për përshkallëzim, ndoshta edhe drejt një konflikti botëror; dhe sipas të gjitha gjasave kjo do të sjellë katastrofa njerëzore në ato përmasa që ne po i shohim në Siri sot.
Edhe nëse përshkallëzimi nuk lejohet të ndodhë përtej Lindjes së Mesme, rreziqe domethënëse ekonomike janë të pranishme duke parë rolin e rezervave energjetike të rajonit dhe rëndësinë e tyre në ekonominë botërore. Çmimet botërore të naftës de facto përcaktohen në Gadishullin Arabik dhe nga vendet fqinje në Gjirin Persik dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti.
Në kuptimin e sigurisë ndërkombëtare, një luftë afatgjatë për dominim rajonal do të rrisë kërcënimin e terrorizmit botëror për shkak se të dyja palët po përdorin grupime ekstremiste që kërkojnë të legjitimojnë veprimet e tyre përmes argumenteve fetare. Një rrezik akoma më i madh është që lojtarët kyçë në këtë konflikt të kërkojnë të armatosin veten me bomba atomike. Një garë për armë bërthamore në rajon të karakterizuar nga destabiliteti afatgjatë mund të kthehet në një makth botëror.
Pra nuk është aksidentale që krahas përplasjes së drejtpërdrejtë ushtarake të fuqive rajonale në Jemen, bashkësia ndërkombëtare, udhëhequr nga SHBA-të, është përpjekur të negociojë një marrëveshje bërthamore me Iranin. Marrëveshja kuadër, e cila qe produkt i këtyre bisedimeve që kanë zgjatur prej 12 vjetësh (dhe në të cilat unë mora pjesë herë pas here) synon ta vendosë programin bërthamor të Iranit nën mbikëqyrje ndërkombëtare, për rrjedhojë për të përmbajtur rrezikun për destabilitet rajonal dhe botëror. Në shkëmbim, sanksionet ndërkombëtare ekonomike mbi Iranin do të hiqen.
Axhenda e Amerikës ka shkaktuar kritika masive nga aleatët e saj të ngushtë në rajon, Izraeli dhe Arabia Saudite. Por kritika të tilla bazohen në qëllime iluzionare. Pranimi i këtyre kritikave thjeshtë do të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktin me Iranin, i cili nuk do të braktisë kurrë tërësisht teknologjinë bërthamore dhe aktivitetet bërthamore. Opsioni i vetëm realist për të shmangur një garë bërthamore armatimesh në rajon është mbikëqyrja ndërkombëtare – sa më e gjerë dhe gjithëpërfshirëse të jetë e mundur.
Por ky objektiv, nëse arrihet ndonjëherë, nuk do të kënaqë as Izraelin dhe as Arabinë Saudite, për shkak se që të dyja kanë frikë ndaj çdo marrëveshjeje që mund të ndihmojë Iranin në përpjekjet për të themeluar dominancë rajonale. Kështu rezultati final mund të jetë një ndryshim de facto i partnerëve strategjik të SHBA-ve – një zhvillim që në fakt sakaq ka filluar të bëhet i dukshëm në luftën aktuale kundër Shtetit Islamik në Irak.
Strategjia e Iranit në të gjithë këtë nuk ka qenë shumë e mençur: ndërhyrjet e saj ushtarake në Siri, Liban, Irak dhe Jemen mbartin rreziqe të mëdha. Kjo është bërë e dukshme me krijimin e kohëve të fundit të një force ushtarake pan-Arabe, veprim që dukshëm është kundër Iranit dhe që duhet t’i japë udhëheqësve iranianë arsye për të rimenduar mbi politikën e tyre.
Lindja e re e Mesme nuk ka nevojë as për një garë bërthamore dhe as për urrejtje fetare dhe nuk ka nevojë gjithashtu për një politikë të jashtme të bazuar te ndërhyrjet ushtarake. Në vend të këtyre, ajo kërkon fuqi për t’u ulur dhe për të negociuar dhe për të zhvilluar sisteme për siguri kolektive që i shërbejnë interesave të ligjshme të të gjitha palëve të përfshira. Pa diplomaci dhe vullnet për të punuar drejt mirëkuptimit të ndërsjelltë, siç ndodhi me marrëveshjen kuadër të negociuar me Iranin, Lindja e Mesme e Re do të mbetet një fuçi baruti për politikën botërore – një fuçi baruti fitili i së cilës është ndezur sakaq.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Iran Versus Saudi Arabia