Reforma në drejtësi ka hyrë në fazën kritike të miratimit, ndërkohë që askush nuk është i sigurtë se politika shqiptare-përfituese direkte e sistemit të rrënuar të drejtësisë do të votojë për të pastruar vetveten.
Pas një pune komplekse prej një viti e gjysmë me reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar është i pasigurtë nëse projektligji i ndryshimeve kushtetuese do të miratohen brenda pranverës në parlament.
Arsyeja, sipas tij gjendet tek “konflikti i interesit” që politika ka me reformën.
“Ka pasur mjaft rezistencë nga të gjitha anët e politikës dhe sot ka njerëz që janë të pakënaqur me atë që po ndodh,” i tha Xhafaj BIRN.
Pas një rrugëtimi të gjatë, reforma në drejtësi ka arritur në pikën e saj të vlimit. Projektligji i ndryshimeve kushtetuese, i rishikuar së fundmi nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS kërkon 94 vota në Kuvend, të cilat ende nuk i ka.
Partia Socialiste në qeveri dhe aleatja e saj e lëkundur, LSI kanë deklaruar se janë të gatshëm të votojnë 100 për qind draftin e fundit. Të dyja bashkë ato bëjnë 84 vota.
Votat shtesë kërkohen bashkë me konsensusin në kampin e opozitës, e cila nuk ka dalë ende me një qëndrim përfundimtar për paketën e ndryshimeve kushtetuese. Kryetari i PD, Lulzim Basha tha gjatë një interviste televizive se “ekspertët e PD po analizojnë draftin dhe do të dalin me një qëndrim të shtunën”.
Njësoj si PS dhe LSI, edhe Basha e cilësoi reformën si tepër të rëndësishme për vendin. Por lëvizjet e shqetësuara të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ekspozojnë pengesat që ky projekt po has në prapaskenë.
Të mërkurën, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin i drejtuan politikës shqiptare deklarata të ashpra për bllokimin e reformës në drejtësi. Të pranishëm në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ata garantuan se “nuk do lejojnë që reforma të dështojë”.
“Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian,” tha Lu.
Zigzaget e dialogut
Paketa e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi krijon premisat e pastrimit të sistemit gjyqësor nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar si dhe i hap rrugën ngritjes së një strukture të pavarur për hetimin e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve “të paprekshëm” në Shqipëri.
E imponuar si kushti kyç për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, reforma besohet se do të këpusë fijet që lidhin politikën me gjyqësorin në Shqipëri dhe do t’i hapë rrugë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Fatmir Xhafaj, jurist në profesion dhe funksionar i mazhorancës i tha BIRN se vjeshtën e vitit 2014 u përballën me dilemën nëse Shqipëria duhej të bënte tre-katër ligje për të kënaqur Brukselin apo“një operacion të thellë” për ndryshimin e sistemit kanceroz të drejtësisë në vend.
Një vit e gjysmë më pas, Xhafaj- jo pak i paragjykuar gjatë procesit, nuk e fsheh krenarinë për produktin thuajse final që ka në duar; një dokument 45 faqësh që nëse miratohet, hedh themelet e rimëkëmbjes së shtetit ligjor në Shqipëri.
Që prej vjeshtës 2014, procesi i reformës në drejtësi ka kapërcyer një sërë pengesash, të cilat e kishin burimin tek besimi i ulët mes palëve dhe mungesa e kulturës së dialogut në politikën shqiptare.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar rekrutoi një numër të madh ekspertësh vendas për të hartuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjet organike të institucioneve të reja. Vendet e opozitës në komision mbetën bosh për disa muaj, ndërsa në qershor 2015, opozita iu bashkangjit procesit me ndërhyrjen e ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe BE.
Xhafaj i tha BIRN se reforma në drejtësi nisi si një produkt shqiptar, ndërsa i njeh vetes meritën e përfshirjes së ambasadorëve në proces, marsin e vitit 2015. Sipas tij, “ndërkombëtarët i dhanë procesit besimin dhe garancinë” që zor se mund të gjendej mes politikanëve rivalë.
Ndryshe nga Xhafaj, opozita gjykon se pikënisja e njëanshme e procesit dhe mungesa e sinqeritetit politik sollën mungesë besimi dhe mosmarrëveshje mes palëve, duke shtyrë në kohë miratimin e reformës.
Eduard Halimi, nënkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i tha BIRN se pika e dobët e procesit ishte qëndrimi i mazhorancës për të ecur me drafte të njëanshme, “një hile” sipas tij për kapjen politike të drejtësisë.
“Nëse nuk do të kishte protagonizëm, arrogancë dhe arbitraritet në hartimin e draftit kushtetues, por bashkëpunim të sinqertë politik atëherë drafti do të ishte miratuar në vjeshtën e kaluar,” tha Halimi.
I vetëdijshëm për mosbesimin, Xhafaj mohon megjithatë që të ketë pasur presion apo ndikim politik mbi punën e ekspertëve të nivelit të lartë.
“Edi Rama ka zero ndikim mbi procesin. Ilir Meta nuk më ka ardhur kurrë në zyrë për reformën. E di që shumë nuk e besojnë, por janë rreth 15 ekspertë ndërkombëtarë që mund të dëshmojnë për këtë,” i tha ai BIRN.
Në mungesën e një tradite të besimit politik, palët i njohën Komisionit të Venecias rolin e arbitrit dhe u besuan ekspertëve ndërkombëtarë kontradiktat mes tyre. Drafti final i 4 majit 2016 duket se ka sheshuar ndasitë e mëdha mes mazhorancës dhe opozitës për paketën e ndryshimeve kushtetuese.
Halimi i tha BIRN se ndërsa “hiletë” kanë rënë, është koha për të diskutuar me sinqeritet politik për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe të qëndrueshme për të ardhmen.
“Projekti i sotëm ndryshon qartësisht nga projekti qeveritar i vitit të kaluar dhe është koha për një dialog politik të sinqertë për të proceduar me shpejtësi,” tha Halimi për BIRN.
Drafti final
Dokumenti parlamentar i 4 majit 2016, i cili po qarkullon në tavolinat e ekspertëve të partive dhe kancelaritë perëndimore është varianti i rishikuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT pas opinionit përfundimtar të Venecias. Projektligji për ndryshimet kushtetuese përmban tekst në ngjyrë të zezë për pikat e dakordësuara, në ngjyrë të kuqe për rekomandimet e Venecias dhe blu për shqetësimet e ngritura nga opozita.
Projektligji ngrihet mbi tre shtylla kryesore; emërimet në arkitekturën e re të institucioneve të drejtësisë, hetimi penal që përfaqësohet nga struktura e posaçme antikorrupsion, SPAK dhe procesi i skanimit (vetingut) të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi dyshimet për korrupsion dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin për SPAK, një strukturë e pavarur që do të mbështjellë rreth vetes gjykatën e shkallës së parë dhe të apelit, prokurorët specialë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit-përgjegjëse për hetimin e politikanëve, njerëzve të drejtësisë dhe zyrtarët e nivelit të lartë.
Sipas projektit, kompetencat e SPAK do të shtrihen nga Presidenti deri tek drejtuesit e institucioneve qëndrore-peshq të mëdhenj të cilët në dy dekadat e tranzicionit shqiptar kanë fituar statusin e të paprekshmëve nga drejtësia.
Strukturat që do të realizojnë procesin e vetingut janë përshkruar me detaje në draftin e përpunuar nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, duke reflektuar sugjerimet e Komisionit të Venecias. Sipas draftit, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do të hetohen për burimet e pasurisë, lidhjet me krimin e organizuar dhe kapacitetin professional për të gjetur vend në sistemin e ri. Në këtë proces do të përfshihen edhe ndihmësit ligjorë nëpër gjykata, “rezervuar” nga i cili synohet të dalin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj.
Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Posaçëm e cilëson procesin e vetingut si thelbësor për suksesin e reformës, ndërsa i ndan gjyqtarët në tre kategori. Ai është i bindur se gjyqtarët e ndershëm janë përfituesit e parë të reformës.
“Gjyqtarët i ka mbytur e keqja, siç mbyt një pikë naftë një ton me ujë,” thotë Xhafaj, ndërsa sugjeron që gjyqtarët e korruptuar duhen larguar pa asnjë kompromis.
Eduard Halimi bie dakord që thelbi i reformës qëndron tek lufta ndaj korrupsionit përmes SPAK dhe pastrimin e gjyqësorit nga elementët e korruptuar.
“Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, skaneri i tyre, vendosja në karantinë, do të bëjë largimin e të korruptuarve dhe të paaftëve dhe frymëzimin e të ndershmëve për të ecur para,” thotë ai.
Emërimet në gjyqësor mbetet sërish pika e ndarjes mes mazhorancës dhe opozitës e që pritet të testojë aftësinë e politikës shqiptare për kompromis.
Drafti i rishikuar i ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS adreson shqetësimet e opozitës për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Tribunalin e Drejtësisë dhe Këshillin e Emërimeve në Gjyqësor. Ai parashikon hapësira për marrëveshje, përmes mundësisë së hetimit të Inspektorit të Përgjithshëm nga një deputet i Komisionit të Ligjeve, ndërsa ndryshon formulën e përbërjes së Tribunalit dhe Këshillit të Emërimeve për të shmangur koorporatizmin në gjyqësor.
Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë lënë në fuqi shumicën parlamentare prej 3/5 në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë-institucione që do të vendosin për emërimet dhe shkarkimet në sistem do të kenë nga 11 anëtarë secili. Gjashtë prej anëtarëve do të zgjidhen nga komuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pesë anëtarët e tjerë do të zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në vazhdimësi, opozita ka kërkuar shumicën prej 2/3 me argumentimin se mazhoranca aktuale, e cila i ka 3/5 e votave në Kuvend do të kapte këto dy institucione.
“Opozita nuk ka këmbëngulur tek 2/3, nuk e ka patur dhe nuk e ka kusht,” i tha Halimi BIRN-it. Duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, ai thotë se duhen gjetur zgjidhje të tjera, që garantojnë pjesmarrjen e opozitës dhe pamundësojnë kapjen politike.
Në opinionin përfundimtar, Komisioni i Venecias ka lënë të hapura tre mundësi mbi të cilat palët duhet të diskutojnë dhe të gjejnë kompromis. Dy prej varianteve i japin rol opozitës përmes grupimit të votave, ndërsa varianti i tretë parashikon që anëtarët juristë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë të zgjidhen tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita.
Opsioni i fundit, ai që i ndan 3 me 2 anëtarët juristë është i vetmi variant që Fatmir Xhafaj përjashton.
“Këta anëtarë do të vijnë në Kuvend si profesionistë dhe do të dalin që andej si përfaqësues partiakë. Për opozitën, oktapodi i kapjes së drejtësisë bëhet qingj, nëse përveç Ramës dhe Metës, e kap edhe Basha,” kundërshton Xhafaj.
Në kërkim të votave
Ndërkohë që në paketën e ndryshimeve kushtetuese mbeten 4-5 pika të hapura, Shqipëria është në garë me kohën për miratimin e reformës në drejtësi. Në vjeshtë, vendi pret nga Brukseli dritën jeshile për hapjen e negociatave dhe një përgjigje e tillë është premtuar të vijë vetëm nëse parlamenti shqiptar voton para pushimeve të verës projektligjin kushtetues.
Përveç kushtit të Brukselit, kancelaritë perëndimore në Tiranë kanë siguruar tashmë fonde për ngritjen e SPAK-ut dhe udhëheqjen e procesit të vetingut për gjyqtarët. Dyshues ndaj politikanëve shqiptarë, ata kanë zbritur tashmë në terren për të siguruar votat, para se projektligji të futet në axhendën parlamentare.
Në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi, opozita kërkoi kohë deri të hënën për të studiuar draftin e rishikuar nga ekspertët. Kryetari i PD, Basha deklaroi të enjten në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut se përgjigja e tyre do të jetë gati të shtunën.
Pas pranisë në Komisionin e Reformës, ambasadorët Lu dhe Vlahutin tentuan të siguronin fletë-hyrje në grupet parlamentare të Partisë Socialiste, asaj Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Intergrim. Misioni i tyre më i fundit kërkon një deklarim të hapur të votës të secilit prej tyre.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Xhafaj i tha BIRN se “pavarësisht pakënaqësive, votat e mazhorancës janë kompakte pro reformës në drejtësi”. Ai shtoi se tani është kuptuar nga të gjithë se pa reformën në drejtësi, askush nuk mund të mirëqeverisë në Shqipëri.
“Është fakt që vendimi politik i opozitës, i ndikuar nga segmente brenda saj e kanë zvarritur procesin,” tha ai.
I pyetur nga BIRN, Eduard Halimi mohoi kategorisht se opozita po pengon miratimin e reformës në drejtësi.
“Opozita nuk e ka penguar në asnjë moment reformën në drejtësi. Opozita ka qenë konstruktive në çdo ditë saj, ka kontribuar dhe kërkuar bashkpunim çdo ditë të reformës. Pse? Sepse opozita është e interesuar që të luftojë korrupsionin, pasi para se gjithash mundësi për t’u korruptuar ka qeveria,” tha Halimi.
Pavarësisht deklaratave publike, diplomatët e huaj dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend janë dyshues te vullneti i klasës politike shqiptare për ta votuar këtë reformë.
Dhjetra përfaqësues të shoqërisë civile, të rretheve akademike dhe të komunitetit të biznesit iu bashkuan nismës së fondacionit SOROS, për të shtyrë përpara miratimin e reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi lidhet thelbësisht me proceset e brendshme demokratike dhe zhvillimore të vendit dhe zvarritja e mëtejshme ose dështimi i klasës politike në miratimin e saj do të ketë pasoja të rënda…” thuhet në deklaratë.
Nga Brukseli, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein i tha BIRN se “gjithkush në Shqipëri duhet të kuptojë se shansi është tani”.
“Nëse ata (deputetët) nuk e finalizojnë këtë punë në parlament, atëherë Shqipëria do të humbiste momentumin e vet. Më pas, 2 vjet, 3 vjet, nuk di të them se sa kohë do të marrë hapja e negociatave,” përfundoi ai.