Tre furra qeramike që besohet se i përkasin antikitetit të vonë u zbuluan në shtator 2017 ngjitur me Muzeun Arkeologjik në Durrës, por dy prej tyre u shkatërruan nga shirat në nëntor, ndërkohë që institucionet shtetërore dhe kompania private ia lënë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
Shirat në fund të muajit nëntor 2017 mbuluan me ujë zbulimet arkeologjike në gropat e hapura në një shesh ndërtimi pallatesh fare pranë Muzeut Arkeologjik në Durrës.
Tre furrat e qeramikës, që mendohet se i përkasin periudhës së antikitetit të vonë dhe që u zbuluan gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera nga kompania A.K.e.R sh.p.k, u shkatërruan pjesërisht. Dy prej tyre, sipas dokumeneteve që BIRN disponon u shkërmoqën si pasojë e qëndrimit në ujë, ndërsa një e tretë mbijetoi me dëmtime.
Shkatërrimi i furrave u bë fakt i pranuar dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, KKA, i drejtuar nga ministrja Mirela Kumbaro, i cili miratoi në janar një procesverbal të përpiluar me kërkesë të kompanisë së ndërtimit REI Shpk, të cilin BIRN e disponon, që kërkon ruajtjen “in-situ” të vetëm njërës prej tyre dhe mbetjeve të dy të tjerave.
Por ndërsa procesverbali pranon de facto humbjen e gjetjeve arkeologjike, interesimit të BIRN nëse ishin marrë masa apo nëse ishin identifikuar përgjegjës për këtë situatë, KKA dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) në varësi të saj, u përgjigjën në mënyrë evazive duke referuar kontratën me kompaninë ndërtuese dhe ligjin, sipas të cilave përgjegjësia “për ruajtjen nga kushtet atmosferike ishte e investitorit”.
E pyetur nga BIRN nëse ishin marrë masa apo ishin identifikuar përgjegjësi pas verifikimit të shkatërrimit, ASHA u përgjigj se “bazuar në ligjin “Për trashëgiminë kulturore”, të drejtën e vendosjes së gjobave e kanë inspektorët e institucioneve të specializuara…,” por pa referuar cilët ishin këto institucione.
Për të njëjtën pyetje, Ministria e Kulturës i shpjegoi BIRN në një përgjigje me shkrim hapat e ndërmarrë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, por jo përgjegjësit e shkatërrimit të dy furrave të qeramikës.
Nga ana e saj, kompania REI Shpk, e cila ka marrë leje ndërtimi në zonë dhe pajtoi A.K.e.R sh.p.k fajëson Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik për mosmarrje të masave.
Në të njëjtin procesverbal të hartuar nga tre restauratorë, në prani të dy konstruktorëve dhe administratorit të kompanisë, Dritan Meminaj më 21 dhjetor 2017, i cili u miratua nga KKA në janar 2018, fajësohet ASHA se “nuk reagoi” pas shkresave nga ndërtuesi që ngrinin alarmin se furrat po dëmtoheshin nga uji. Po ashtu, procesverbali fajëson KKA se nuk mori vendim në kohë për ruajtjen e furrave.
BIRN kontaktoi me telefon administratorin e kompanisë REI Sh.p.k, Dritan Meminaj, i cili tha se moti ishte shumë i keq, ndërsa ai kishte lajmëruar institucionet të shkonin në terren. Atij iu adresuan disa pyetje përmes emailit, por BIRN nuk mori përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.
Fatin e furrave të qeramikës të zbuluara në shtator 2017 pranë Muzeut të Arkeologjisë në Durrës e kanë pasur më herët edhe objekte të tjera arkeologjike të zbuluara në qytet. Siç ka gjetur BIRN në disa shkrime të mëparshme, mozaikë me vlera të veçanta, ndër më të njohurit ai i Meandrit, janë izoluar në bodrume pallatesh dhe madje disa prej tyre janë dëmtuar gjatë ndërtimeve.
Në vitin 2010, një zbulim i rëndësishëm arkeologjik, e cila njihet si Lagjja Romake u mbulua me betonin e një pallati pasi Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë në atë kohë dha leje ndërtimi me kushtin që një objekt i vetëm arkeologjik të mos mbulohej.
Probleme për gjetjet arkeologjike kanë sjellë edhe projektet publike. Më i njohuri ndër ta, ndërtimi i Velierës, solli protesta dhe një gjyq ende në vijim mes bashkisë së Durrësit dhe shoqërisë civile që akuzon këtë të fundit për dëmtimin e gjetjeve arkeologjike. Ndërkohë, BIRN gjeti në një shkrim të para pak kohëve se edhe dy projekte të tjera publike, për ndërtimin e një tuneli dhe ai i Pallatit të Drejtësisë në Durrës, rrezikonin një zonë të pasur me gjetje arkeologjike.
Gjetja dhe shkatërrimi
Tre furrat dolën si rezulat i kërkimeve arkeologjike të shpëtimit gjatë shtatorit të vitit të shkuar në sheshin e ndërtimit, ku firma “REI” sh.p.k pritet të nisë punimet për një pallat 5 katësh.
Gërmimet u realizuan nga ana e shoqërisë “A.K.eR.” Shpk Tiranë, me porosinë e kompanisë së ndërtimit „REI“ sh.p.k. Durrës dhe nën kontrollin e ASHA-s dhe KKA-së.
Nga dokumentet që ka siguruar BIRN prej Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike mësohet se gërmimet gjetën tre furra të qeramikës, tjegullave dhe tulla. Dy prej tyre të identifikuara me numrat “103” dhe “104”, të cilat sipas arkeologëve të “A.K.eR.” Shpk Tiranë, paraprakisht datohen prej antikitetit të vonë deri në mesjetën e hershme.
Furra e tretë me nr “106”, e cila sipas arkeologëve ishte me formë të ndryshme nga dy të parat mendohet se mund të ishte përdorur për prodhime të enëve prej qeramike. Arkeologët thonë se nuk mund të përcaktonin nëse ajo ishte e të njëjtës kohë me dy furrat e tjera apo më e hershme, por vënë në dukje se ishte më e veçantë nga të tjerat.
“Ndërtime me planimetri rrethore furrash qenë edhe në vetë periudhën romake të rralla, të cilat kryesisht u destinuan për djegien e enëve prej qeramike,” thuhet në raportin e “A.K.eR.” Shpk, i cili iu vu BIRN në dispozicion nga ASHA. Gërmimet zbuluan po ashtu edhe një skelet njeriu dhe një strukturë të ngjashme me pusin.
Rezultatet e këtij zbulimi në lagjen numër 1 të qytetit pranë shëtitores buzë detit nuk ishin surprizë, pasi nga gërmimet e viteve’ 80-90, në hapësirën e këtij trualli është gjetur një furrë për prodhimin e qeramikës e periudhës romake, e cila ndodhet sot e ekspozuar pjesërisht në Muzeun Arkeologjik.
Po ashtu, raporti i gërmimit dhe procesverbali i restauratorëve konfirmojnë se zona në fjalë është e pasur me furra të ngjashme.
Sa i përket rëndësisë së gjetjeve raportet janë evazive. Tek relacioni i vlerësimit për strukturat arkeologjike dhe gjendjen e tyre, hartuar nga tre ekspertët privatë, Gjerak Karaiskaj, Valter Shtylla dhe Lida Miraj të pajtuar nga firma ndërtuese, thuhet se “Të tre furrat janë dëshmi e prodhimit vendas prej qeramikës, nga antikiteti deri në mesjetë”.
Por në të njëjtin relacion duke iu referuar gjetjeve të “A.K.eR.” Shpk, thuhet se “tre furrat klasifikohen si ndërtime spontane pa pretendime arkitektonike, madje të një fushate porosie për prodhime qeramike me shpejtësi, ndoshta për ndërtimin e një objekti pranë tyre. Nga kjo pikëpamje, vlera e tyre i takon më shumë një dëshmie historike, se sa një vepre ekspozimi të nivelit arkitektonik”.
Nga ana e saj, ASHA në një përgjigje për BIRN tha se furrat e gjetura janë të veçanta, përsa i përket strukturave të ngjashme të gjetura në vend. “Nga verifikimi në arkivën e ASHA rezulton se nuk disponohet informacion mbi zbulimin e furrave të ngjashme në territorin e vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e ASHA.
Megjithatë, një furrë qeramike u gjet në këtë zonë dhe tani ruhet pjesërisht në Muzeun Arkeologjik aty pranë dhe përmendet edhe në raportet në lidhje me këtë zbulim.
Po ashtu „AKeR“ shpk në përfundimet e saj thotë se në të njëtën zonë mund të gjendeshin me siguri furra të ngjashme. “Disa prej tyre, si të thuash në radhën e një “baterie” ndodhen me siguri në rrëzën e kodrës prej argjile”, thuhet në raportin mbi gërminin e shpëtimit të nënshkruar nga drejtuesi i projektit Gjergj Frashëri dhe drejtuesja e gërmimit Dr. Antonia Schütz.
Përtej kësaj, 2 muaj pasi u zbuluan dy nga furrat antike të qeramikës u shkatërruan, ndërsa e treta pësoi dëmtime. Në një procesverbal të mbajtur për të treguar gjendjen e tyre prej tre ekspertëve Gjerak Karaiskaj, Valter Shtylla dhe Lida Miraj, thuhet se të treja furrat ishin dëmtuar gjatë shirave në fundin e nëntorit, ndërsa vihej në dukje se njëra prej tyre, ajo “106” ishte gjetur e dëmtuar dhe se po ashtu nuk kishte vlerë të ruhej.
Furra “103” sipas procesverbalit u bë “e paaftë për t’u ruajtur sepse e ka humbur të gjithë konsistencën e vet dokumentare”, pas shirave të fundit të nëntorit. Po ashtu raporti thotë se “është e palejuar të restaurohet, pasi çdo përpjekje për rindërtimin e saj “in situ” me pretendimet e rikthimit të një pjese të vlerave dokumentare të saj, do të ishte një falsifikim”.
Raporti, i cili u pranua nga KKA thotë se mundësia për ruajtjen “in situ”, kishte vetëm për mbetjet e Furrës nr. 104, e cila po ashtu u dëmtua, duke “humbur pjesë nga muri fundor (verior), fragmente nga qemeri i gojës (hyrjes) së zjarrit dhe pjesë të mbulesave të skarës në anën lindore të konstruksionit të saj”.
Shkaqet e dëmtimeve në raport cilësohen shirat e fundit të nëntorit dhe ujërat nëntokësorë/burimore dhe fakti se furrat duke u nxjerrë nga shpati i kodrës ku ishin ndërtuar nuk kishin themele të qëndrueshme.
Faji jetim
Rreziku për dëmtimin e furrave është bërë me dije menjëherë pas zbulimit të tyre nga gërmimet arkeologjike të shpëtimit. Në raportin e A.K.e.R shpk thuhet se gjatë gërmimeve ishin vënë në dijeni institucionet për prani të ujërave nëntoksore dhe burimore në zonë dhe “rrezikun për rrëshqitje të skarpatit”.
Po ashtu në raportin që i është dorëzuar ASHA, KKA dhe ndërtuesit në fund të shtatorit kërkohej ndërhyrje e shpejtë për të ruajtur gjetjet. “Tërheqim vëmendjen për një vendim sa më të shpejtë, me qëllim që të fillohen sa më parë masat përforcuese të skarpatit në anën veriore”, thuhet në rekomandimet e AKeR shpk, të cilat BIRN iu vunë në dispozicion nga ASHA.
Por në raportin “Relacion vlerësimi për strukturat arkeologjike të zbuluara në gjendjen e sotme”, mbajtur në 21 dhjetor 2018, raport mbi të cilin KKA vendosi në janar të këtij viti ruajtjen “in situ” të vetëm njërës prej furrave pas dëmtimit, thuhet se institucionet përgjegjëse nuk morën asnjë vendim për muaj me rradhë.
Në raport thuhet se megjithë paralajmërimet e herëpasherëshme dhe megjithëse ASHA dhe KKA morën në dorëzim rezultatet e raportit të gërmimit, një vendim për ruajtjen e tyre nuk u mor deri më 13 dhjetor 2017, ku siç vëren raporti KKA miratoi ruajtjen “in situ” të furrave “çka nuk përkonte në atë moment me realitetin e paranjoftuar”.
Raporti vëren se përfshi konkluzionet e A.K.e.R shpk, ASHA-ja dhe përmes saj KKA u njoftuan 4 herë për rrezikun që u kanosej gjetjeve arkeologjike, madje dy herë me urgjencë për shkak të situatës së krijuar nga reshjet. Në raport thuhet po ashtu se një grup pune i ngritur me vendim të KKA verifikoi situatën në terren në fund të tetorit, para shkatërrimit, por vendim për ruajtjen nuk pati as pas kësaj vizite. Në një shënim në kllapa, pjesë e proceverbalit raportuesit shkruajnë:“Këtu ngrihet pyetja, nëse anëtarët e Grup-punës ishin pajisur me aftësi teknike inxhinierie ndërtimore, konstruktive apo gjeologjike për të gjykuar mbi rrezikshmërinë e situatës?”.
Raporti fajëson ASHA se nuk reagoi dhe nuk u përgjigj as kur u njoftua nga kompania e ndërtimit se furrat kishin pësuar dëme, pas shirave të fundit të nëntorit.
Ndërkohë edhe Ministria e Kulturës në përgjigjen e saj për këtë çështje iu referua të njëjtit raport, i cili bën përgjegjës ASHA dhe KKA për mos marrje të një vendimi të shpejtë, por duke referuar pjesë të tjera të tij. Minstria i dërgoi BIRN të cituara pjesë nga raporti i tre ekspertëve, i cili më pas shërbeu si bazë për vendimin e KKA në janar, për ruajtjen “in situ” të vetëm njërës prej furrave.
Ministria citoi nga raporti pjesën ku restauratorët thonë se “strukturat e furrave janë të dobëta dhe si rezultat i kushteve të rënda atmosferike të datës 29-30 Nëntor 2017, këmbët e mureve të furrave Nr. 103, Nr. 106 janë shkriftuar, çka ka sjellë rrëzimin e mureve.”
Por ajo nuk iu përgjigj pyetjes se kush kishte përgjegjësi për mos reagimin në kohë të institucioneve siç thuhej në të njëjtin raport.
ASHA nga ana e saj tha se kishin zbatuar ligjin dhe ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm bazuar mbi ligj dhe po ashtu kishte njoftuar KKA pas vëzhgimeve në terren.
Përndryshe nga raporti që pretendon se dëmi erdhi pas mungesës së një vendimarrje dhe reagimi nga ASHA, agjencia thotë në përgjigjen e saj se ishte investitori ai që duhej të ruante objektet nga kushtet atmosferike.
Ajo po ashtu vuri në dispozicion kontratën e nënshkruar mes saj, kompanisë së ndërtimit dhe komanisë arkeologjike, ku këto të dyja marrin përsipër ruajtjen e gjetjeve arkeologjike nga moti. “Sigurimi i sheshit dhe ruajtja e gjetjeve arkeologjike që rrezikohen nga kushtet atmosferike janë përgjegjësi e investitorit dhe e subjektit arkeologjik”, thuhet në përgjigjen e ASHA.
Por as kjo e fundit dhe as ministria nuk janë në gjendje të thonë nëse në sheshin e ndërtimit kishte masa për ruajtjen e furrave nga dëmtimet prej shiut dhe as se kush duhej ta verifikonte këtë.
Për restauratorin Qazim Kërtusha, problemi qëndron pikërisht në faktin se nuk ishin marrë masa paraprake. “Gërmimet duhet të kenë elementin konservues. Problemi është përse nuk u morën masa për t’i mbrojtur pas zbulimit, duke hapur qoftë edhe një kanal kullues për ujërat ose duke vendosur motopompa”, thotë ai.
Edhe në procesverbalin e firmosur nga tre restauratorët, dy konstruktorë dhe administratorit Meminaj, nuk përmendet nëse ishte marrë ndonjë masë për tharjen e ujit nga gropa ku u gjetën tre furrat.
Ndërsa theksohen një sërë detajesh, përfshi sigurimin fizik të sheshit dhe faktin se furrat nuk mund të mbroheshin me tendë pasi në zonë kishte ujëra nëntokësorë, në procesverbal nuk thuhet nëse ishte vendosur pompë për tharjen e ujit apo nëse ishin hapur kanale kullimi.
Megjithatë KKA e pranoi këtë raport dhe vendosi në Janar për ruajtjen “in situ” të njërës prej furrave dhe vendosjen pranë saj të mbetjeve të të tjerave. Në mars, ajo po ashtu miratoi edhe projektin e kompanisë “REI” sh.p.k për konservimin e furrës së mbetur dhe i kërkoi kësaj kompanie “të kontraktojë një subjekt të licencuar, i cili duhet të kryejë konservimin dhe restaurimin e furrës Nr. 104 si dhe pjesëve të elementëve të furrave Nr. 103 dhe Nr. 106”.
Ndërkohë, fotot e bëra nga BIRN më datën 6 Maj tregojnë se furrat nuk i kanë shpëtuar ende plotësisht rrezikut nga uji.