Grabitës të armatosur mbajtën peng për disa orë tre të rritur dhe fëmijët e familjes së një tregtari në Bulqizë. Policia ende nuk ka identifikuar autorët. Anëtarët e familjes Mira i thanë BIRN se u mbajtën lidhur për disa orë, ndërsa grabitësit i rrahën dhe thyen shtëpinë. Grabitja e familjes Mira ka shtuar pasigurinë në Bulqizë, ku pak kohë më parë u rrëmbye edhe një 15-vjeçare.
Ahmet Mira me të shoqen po ktheheheshin në shtëpi si pas çdo ditë pune, por para portës së oborrit, tre persona veshur me të zeza dhe me maska në kokë i sulmuan. Çifti u përpoq të rezistojë. “Më goditën mua të pari, u mundova të rezistoja, por sa mund të rezistosh kur janë tre veta”, tregoi Mira për BIRN.
Zhurma bëri që fëmijët e çiftit të dilnin jashtë. Bashkëshortja e tij tentoi të shkëputej dhe të fuste fëmijët në shtëpi për t’i mbrojtur, por një nga grabitësit e qëlloi pas shpine duke e lënë pa frymë. Pas kësaj çifti është dorëzuar.
Policia konfirmoi në një njoftim për shtyp denoncimin e bërë të premten në mbrëmje. Ajo njoftoi shoqërimin e tetë personave dhe shpalljen e një të nënti në kërkim, por BIRN mësoi se deri të dielën asnjë nuk ishte arrestuar, ndërsa viktimat nuk i kanë identifikuar dot sulmuesit.
Ndërkohë në fillim të shtatorit në Bulqizë u rrëmbye edhe një 15 vjeçare. Autorët përdorën të njëjtën formë duke kërcënuar me armë familjarët. Policia njoftoi arrestimin e katër personave dhe një tjetër u shpall në kërkim. Vajza u kthye në shtëpi pas disa ditësh.
Megjithatë pas kësaj në qytet pati prezencë të shtuar policie, përfshi edhe patrullim nga forcat e RENEA-s që qëndruan aty deri disa ditë më parë. BIRN mësoi se prania e specialeve lidhej me raportime të problemeve të ngjashme dhe mungesës së sigurisë në zonë, por situata nuk duket se ka ndryshuar.
Biznesmeni Mira, pronar i disa pikave të tregtisë me pakicë dhe një restoranti i tha BIRN se ai dhe familja e tij ndiheshin të pasigurtë. Ai thotë se ka qenë shpesh viktimë e grabitjeve, por ata kanë sulmuar dyqanet. E ëma 80-vjeç thotë se ngjarja e fundit nuk i kishte ndodhur as në vitin 1997. “Jam 80 vjeç plakë, nuk mbaj mend edhe në 97-n të na ketë ndodhur ajo që na ngjau mbrëmë”, thotë Rabie Mira.
Pas përleshjes në oborr grabitësit kanë hyrë në shtëpi dhe kanë lidhur të gjithë anëtarët e familej përveç djalit të vogël. “I morën edhe fëmijët dhe i sollën tek dhoma, bashkë me nënën time afro 80 vjeç. Kallashin në ballë. Një person qëndroi me ne ndërsa dy të tjerë filluan bastisjen e shtëpisë”, thotë 50-vjeçari.
Nga tronditja djali i vogël i familjes ka humbur ndjejat dhe një nga grabitësit i ka hedhur ujë për ta sjellë në vete. “Vetëm kur e kam parë veten të lidhur dhe sa tentoja me thënë në fjalë më thonin: “Pusho”, tytën e kallashit tek goja. Kalamajt sa me frymë sa pa frymë, thash se na ngelën në vend”, tregon Rabie Mira 80-vjeç.
Familja mohon të ketë konflikte. Grabitësit sipas tyre kanë kthyer përmbys gjithçka në shtëpi, kanë marrë çfarë kanë menduar të vlefshme dhe janë larguar duke përdorur makinën e çiftit, i cili thotë se nuk mbante para në shtëpi. Policia gjeti mjetin të braktisur disa kilometra më larg në Fushë – Bulqizë, në vendin e quajtur Ura e Laçit, por edhe pas disa shoqërimeve nuk duket se ka rënë në gjurmë të autorëve.