Minatorët që vdesin në galeritë e kromit fajësohen shpesh për aksidentet tragjike që u marrin jetën; ndërkohë që të plagosurit dhe familjarët e viktimave përballen me kompanitë minerare dhe ato të sigurimit për dëmshpërblimet si dhe me dyert e gjykatave për drejtësinë e munguar.
Pas disa kthesave që gjarpërojnë në lagjen e Qytetit të Ri në Bulqizë, në këmbët e një pallati të vjetër të periudhës së ish-regjimit komunist, Flora Koçi ka ngritur një barakë prej llamarine ku mundohet të sigurojë të ardhura për veten dhe djalin e papunë, duke shitur mallra ushqimorë dhe kinkaleri.
“Unë isha në dyqan, erdhi një këtu tek kopshti se e kemi afër dhe më tha që burri jot është vrarë dhe po shkon tek spitali,” kujton 57-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve. “Mbrapa më morën në telefon që ka vdekur,” shtoi ajo.
Ruzhdi Koçi humbi jetën në një galeri kromi në Bulqizë më 10 nëntor 2016, ku kishte punuar për më shumë se 20 vjet. Drejtuesit e minierës i thanë familjes se 55-vjeçari vdiq nga një infarkt i papritur në zemër, por bashkëshortja jeton ende me dyshime.
“Këto thanë që i ka ranë infarkt, po infarkt nuk i ka rënë se nuk ka qenë sëmurë asnjëherë, as edhe një gjilpërë s’e ka pas bërë,” shprehet Flora Koçi.
“Për me pushu çështjen edhe për mos me e zgjat më andej, ata kanë thënë që i ka rënë infarkt dhe s’kanë dash me dhënë lekë më shumë, siç i takon një punëtori kur vitet në galeri,” shtoi ajo.
Sipas të dhënave të siguruar nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, në 6 vitet e fundit, 38 punonjës humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në sektorin e minierave dhe karrierave. 27 prej viktimave i përkasin qarkut të Dibrës.
Edhe pse aksidentet e regjistruara në miniera janë të shumta, ato rrallëherë sjellin pasoja penale për kompanitë minerare, që fajësojnë viktimat dhe punëtorët për aksidentet.
Minatorët e aksidentuar janë shpesh të pasiguruar. Por edhe në rastet kur viktimat janë të siguruar, familjarët përballen me procese të gjata gjyqësore kundër kompanive të sigurimit për dëmshpërblimet.
Dyerve të gjykatave për dëmshpërblim
Të gjitha subjektet që zotërojnë leje për të ushtruar veprimtari minerare brenda territorit të vendit, janë të detyruara të kryejnë sigurimin e punonjësve të tyre nga aksidentet pranë një shoqërie sigurimi.
Referuar bazës ligjore, kontrata e sigurimit mbulojnë rastet e humbjes së jetës, paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme dhe paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme dhe shuma në çdo rast është minimalisht 6 milionë lekë.
Por jo të gjithë punonjësit në sektorin minerar janë të siguruar. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, vetëm në Bulqizë raportoheshin 283 minatorë pa siguracion jete nga një fuqi punëtore prej 3170 punonjësish.
Shahin Peti humbi jetën në një aksident në minierë në vitin 2013, duke lënë pas 2 fëmijët dhe bashkëshorten. Margarita Peti kujton se në atë kohë edhe ajo punonte si seleksionuese minerali dhe kur ishte kthyer nga puna dhe po bënte gati darkën, e ëma e kishte lajmëruar se i shoqi kishte thyer këmbën.
“Në moment që ka thënë burri ka thyer këmbën, i kam thënë -jo nuk është e vërtetë, ai paska vdekur se telefonin e ndez me dorë ai, jo me këmbë,” rrëfen Margarita.
Pas aksidentit, Margarita mësoi se vdekja e bashkëshortit të saj ishte tentuar të fshihej, duke e larguar trupin e pajetë nga vendi i aksidentit, me qëllim që firma ku ndodhi ngjarja të mos mbante përgjegjësi. Ajo kujton se i shoqi ishte i pasiguruar dhe e vetmja mbështetje që ka marrë nga kompania, ka qenë ‘një kafe’ prej 1.5 milionë lekësh.
“Dhe ato me thënë të drejtën, kur i kanë prurë ia kanë dhënë njerëzve të burrit, jo mua vetë, por kanë thirrur aty se kanë qenë duke pirë kafe të gjithë dhe më thanë mua një kafe,” kujton Margarita. “I kam thënë ‘unë dua të më siguroni fëmijët, nuk dua një kafe, se unë vetëm që kam bërë shpenzimet e mortit, se nuk është se paguan shpenzimet e mortit,” shtoi ajo.
Edhe në rastet kur kompanitë kanë paguar siguracion jete për viktimat, jo gjithmonë kompanitë e sigurimit janë të gatshme të paguajnë. Sipas raportit mjeko-ligjor, vdekja e Ruzhdi Koçit nuk është cilësuar si aksidentale, por si pasojë e sëmundjeve kronike.
Flora nuk e ka pranuar këtë raport dhe ka hedhur në gjyq kompaninë e sigurimit, duke kërkuar dëmshpërblimin për siguracionin e jetës; megjithatë, beteja ligjore ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pas dy vjetësh në gjyq, ajo u detyrua të pranonte një dëmshpërblim me marrëveshje prej 2 milionë lekësh.
“Çfarë vlen ajo 20 [milion lekë të vjetra], asnjë gjë,” tha Flora. “Mua ato lekë më kanë shkuar rrugëve, nëpër gjykata,” shtoi ajo.
Kontratat e punës, sigurimi shëndetësor dhe ai i jetës janë një problem që ka shoqëruar ndër vite punonjësit e nëntokës, një sektor që punëson rreth 10 mijë punonjës në të gjithë vendin.
Në 6 vitet e fundit, inspektimet e Inspektorati i Punës kanë konstatuar 427 punonjës pa kontrata individuale pune dhe 391 punëtorë u identifikuan si të punësuar në mënyrë informale, ndërkohë që aksidentet dhe dëmtimet në punë vazhdojnë të jetë shpeshta.
Aksidentet në punë
Aksidentet në sektorin minerar janë të shumta. Vetëm në dy muajt e fundit në kompaninë Albchrome, që ka numrin më të lartë të të punësuarve në Minierën e Bulqizës, u aksidentuan tre minatorë.
Një prej këtyre minatorëve, Tush Asllani u aksidentua më 19 dhjetor 2019 në syrin e djathtë pasi u godit nga një masiv gurësh. Asllani e ka humbur përfundimisht shikimin dhe ka nisur procedurat për të përfituar dëmshpërblimin nga kompania. Më 6 janar 2020 u aksidentuan në punë edhe dy minatorë të tjerë, Mentor Gjeta dhe Altin Kola.
Burime nga Spitali i Bulqizës i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se në Bulqizë ndodhin edhe shumë aksidente që nga minatorët nuk raportohen se kanë ndodhur në vendin e punës, por japin arsye të tjera.
Agroni*, një tjetër minator i kësaj miniere u aksidentua në vitin 2015 në zonën e njohur si “pusi”. Teksa ishte turni i dytë, një pasdite dimri nga pakujdesia e mekanikëve ai dëmtoi 3 gishtat e njërës dorë.
“Duke ngritur vagonin, normalisht që vagoni ngrihet me duar, zinxhiri i vagonit më kapi dorën e djathtë dhe pesha e vagonit më nxori tre gishta të dëmtuar,” tregoi ai.
Nga Spitali i Bulqizës përfundoi në atë të Peshkopisë, ku qëndroi për 2 javë. Pasi nuk pa asnjë përmirësim, vendosi t’i drejtohej Spitalit të Traumës në Tiranë. Agroni tregon se u takua me bordin e administrimit të kompanisë, shefin e burimeve njerëzore, me idenë që kompania të merrte përsipër shpenzimet mjekësore. Kur kompania e njoftoi se nuk do t’i mbulonte shpenzimet mjekësore, ai vendosi t’i drejtohej drejtësisë.
“Gjykata kërkoi një mjek për të konstatuar problemin që unë kisha dhe nxori që unë kisha tre gishta jashtë funksionit,” tha Agroni, i cili pas një kalavari gjyqësor që zgjati 2 vjet arriti të fitonte dëmshpërblimin dhe të rikthehej në punë. “Një dorë me dy gishta, normalisht që është shumë e vështirë që të punosh,” përfundoi ai.
Përgjegjësia u mbetet viktimave
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore përgjatë vitit 2018 raportoi të regjistruara 255 leje minerare për nxjerrjen e mineralit të kromit në Shqipëri, ndër të cilat vetëm 50 leje nuk kishin regjistruar prodhim. Totali i mineralit të nxjerrë në vend ishte në sasinë e rreth 1.1 milionë tonëve krom –aktivitet i cili gjeneron sipas INSTAT rreth 100 milionë euro në vit.
Në 6 vitet e fundit, Inspektorati i Punës ka kryer në subjektet me aktivitet në miniera dhe karriera 895 inspektime rutinë ose për shkak të ankesave dhe në 159 raste inspektimet janë për shkak të aksidenteve në punë.
Nga numri total i aksidenteve të raportuara nga Inspektoriati i Punës, një tjetër institucion- Autoriteti Kombëtar i Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera, AKSEM ka kryer hetime për një pjesë prej tyre.
AKSEM i tha BIRN se ka hetuar 33 raste të humbjes së jetës në miniera dhe 77 aksidente të raportuara si plagosje në gjashtë vitet e fundit. Ndërkohë, vetëm 13 prej rasteve të hetuara nga AKSEM janë referuar në organet e drejtësisë për vazhdim të mëtejshëm të hetimeve, kryesisht me motivacionin për shkelje të “Rregullores së Sigurimit Teknik për Minierat dhe Karrierat”. Hetimet e Prokurorisë kanë ngarkuar me përgjegjësi kryesisht viktimat, zjarrmëtarët, drejtuesit teknikë apo brigadierët dhe vetëm në dy raste punëdhënësin.
Në total nga viti 2014 deri në tetor 2019, AKSEM ka lëshuar 266 masa administrative në sektorin minerar. Këto masa administrative përfshijnë “ndalesa të plota të aktivitetit minerar” në 20 raste, “ndalesa të pjesshme e aktivitetit minerar” në 100 raste, dhe “gjoba” në 56 raste, “vendime të ndërmjetme për masa urgjente në 16 raste dhe paralajmërime në 74 raste – për shkelje apo neglizhencën e subjekteve private.
Në relacionet e mbajtura nga AKSEM për verifikimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë nëntokë rezultojnë një sërë problematikash, duke filluar që nga përgatitja e punëtorëve për përdorimin e makinerive, vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese ndaj rreziqeve në punë, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale të punës e deri te kushtet higjieno-sanitare.
Rrethi vicioz
Pas vdekjes së bashkëshortit, Margarita Peti vazhdoi të punonte duke seleksionuar mineralin që atij i mori jetën për të mbështetur financiarisht familjen. Ajo punon si seleksionuese kromi në një galeri 1 orë larg apartamentit ku banon me fëmijët. Puna si seleksionuese ka rreziqe e saj. Vetëm në vitin 2018, sipas Inspektoriatit të Punës, një seleksionuese humbi jetën në Bulqizë dhe dy të tjera u aksidentuan.
“Jam e detyruar se ku do shkosh tjetër, ku do punosh?! Në Bulqizë nuk ke ku shkon,” shfajësohet Margarita me djalin 15 vjeçar dhe vajzën 13 vjeçe pranë vetes.
Megjithatë, ajo ankohet se pas kredisë për shtëpinë dhe detyrimet e tjera, paga prej 30 mijë lekësh në muaj dhe pensioni prej 7 mijë lekësh, nuk mjaftojnë as për t’u kujdesur si duhet për shëndetin e fëmijëve.
“Do doja t’i bëja një kontroll të ri çunit, se unë e kam kontrolluar dhe ia kam blerë njëherë syzet,” tha ajo. “Edhe tek goca më kanë thënë për operim, por s’pata mundësi sepse më kanë thënë se ka migrenë,” shtoi Margarita.
Në anën tjetër të banakut të vogël të kioskës prej llamarine, Flora Koçi tregon se jeton me të ardhurat e pakta që nxjerr nga shitja e artikujve që tregton dhe një pension të bashkëshortit prej 6500 lekësh.
“Të punosh njëzet e ca vjet në galeri edhe të marrësh 6,500 lekë, a kalohet?! Nuk kalohet”, shfryn ajo.
Ka raste që djemtë e minatorëve që humbasin jetën në minierën e Bulqizës, zëvendësojnë baballarët në galeritë e kromit, të cilin e shohin si të vetmen rrugë të ndershme për të siguruar të ardhura për familjen.
Por Margarita Peti thotë se do të bëjë të pamundurën që i biri 15-vjeçar të mos përfundojë në galeritë e kromit ku humbi jetën i ati.
“Që ta çoj të punojë me një vend, aty ku ka humbur jetën babi i vet, e të shkoj të çoj çunin, nuk bëhet fjalë ajo punë,” tha ajo. Megjithatë, Margarita ka frikë se varfëria mund t’i detyrojë që të bëjnë një zgjedhje të tillë.
“…nuk i dihet se çfarë ndodh pastaj, se po të ngelesh pa bukë aty do shkosh ku vjen fundi,” përfundoi ajo.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur identitetin e minatorit që kërkoi të mbetej anonim.