Dhjetra persona janë rregjistruar si vullnetarë në Bashkinë e Lezhës dhe u shërbejnë të moshuarve në qytet e fshatra për pazare, duke i ndihmuar që të mos dalin nga shtëpitë në situatën e krijuar nga Covid-19.
Kliton Pashaj, është trajner volejbolli në Lezhë, por ka vendosur që këtë kohë izolimi të krijuar nga Koronavirusi i ri, të jetë në dispozicion të të moshuarve të vetmuar. Prej më shumë se një jave ai është bërë pjesë e grupit të vullnetareve për t’i shërbyer moshës së tretë të cilet e kanë të ndaluar të dalin nga banesat e tyre.
“Të moshuarit që më kontaktojnë u shkoj tek shtëpia dhe ju marr porosinë çfarë duan dhe ju kryet çdo nevojë. Duke nisur nga blerja e ushqimeve, ilaçeve e deri te pagesat e faturave që duhet të kryejnë. Jam gjatë gjithë kohës në dispozicion dhe këtë punë e bëj me mjaft dëshirë”, thotë Pashaj.
Marinela Shpata me profesion psikolege po ashtu është rregjistruar si vullnetare. Ajo tha se dilte çdo ditë për të ndihmuar personat në nevojë. “Sot përshembull kam asistuar tek 5 familje pensionistë të vetmuar të cilët kërkuan ndihmë. Ju dërgova në shtëpi porositë që më bënë”, thotë Shpata. “Unë mendoj se është shumë e rëndësishme te kujdesimi për moshen e tretë gjatë kësaj periudhe”, thotë psikologia.
Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Oliana Moriseni tha se prej vendosjes së thirrjes në këtë bashki ishin rregjistruar 113 vullnetarë të shpërndarë në të gjitha zonat. “Marrin të gjitha porositë që kanë dhe ju kryejnë pa patur nevojë që ata të dalin nga banesat. Kjo është një mënyrë mjaft e mirë, pasi mbrojmë shëndetin e moshës së tretë”, thotë Moriseni. Ajo thotë se në bashki ishin identifikuar rreth 130 të moshuar të vetmuar, të cilëve u shërbehej në shtëpi.
Megjithatë jo të gjithë të moshuarit kanë përfituar prej nismës. Pavarësisht organizimit në rrugët e Lezhës nuk mungojnë sërish të moshuarit, të cilët dalin për të kryer nevojat e tyre shtëpiake, pasi shumë prej tyre e kanë të paqartë si mund të kontakojnë vullnetarët të cilët janë në dispozicion të tyre.
Frrok Deda, 80 vjeç nga fshati Gryk Zezë i Lezhës tna se ishte i detyruar të bënte 15 kilometra në këmbë për tu furnizuar me ushqime dhe ilaçe. “Fëmijët i kam në emigracion dhe unë jetoj vetëm me gruan. Jemi të sëmure burrë dhe grua dhe trajtohemi me ilaçe. Që prej masave shtërnguese të qeverisë, unë e bëj në këmbë njëherë në tre ditë rrugën Lezhë-Gryke Zezë. Jam i detyruar të dal sepse aty ku rri unë nuk ka as dyqan ushqimor dhe me duhet të marr dhe ilaçet”, thotë Deda.
Ai i tha BIRN se kërkonte që t’i jepej leje për të lëvizur me makinë, pasi kjo do e lehtësonte. “Kryeministri ka thënë se do na i sjellin vetë ilaçe e ushqime, por tek unë s’ka ardhur askush, ndaj jam i detyruar të sakrifikoj vetë, duke bërë gjithë atë rrugë në këmbë. S’po ju kërkoj asgjë falas, por të paktën të më lejojnë të lëviz me makinë për të kryer nevojat e mia”, thotë 80-vjeçari.
Të tjerë të moshuar treguan se kishin marrë shërbim. Muhamed Qosja një i moshuar në lagjen “Skëndërbeg” të Lezhës shprehet i kënaqur me punën e vullnetareve, pasi në dy raste që i ka telefonuar i kanë ardhur në ndihmë.
“Unë jam pensionist dhe jetoj sëbashku me bashkeshorten këtu në lagjen “Skënderbeg”. Ditët e para të izolimit kemi dalë vetë dhe kryer nevojat shtëpiake, por tani që na kanë thënë mos të dalim po zbatojmë rregullat”, tha Qosja.
Ai tha se vullnetarët i kanë sjellë ushqimet dhe sendet e tjera që ka kërkuar. “Ishalla do vazhdojnë kështu se kjo është një gjë shumë e mirë, pasi ne jemi më riskuarit nga ky virus, nëse do lëvizim duke qenë se jemi moshë e vjetër. Shpresojmë që kjo situatë të kaloj sa më shpejt dhe t’i rikthemi normalitetit”, thotë Qosja.
Vullnetarët ndërkohë thonë se kanë marrë masa shtesë për të shmagur infektimin, për të ruajtur veten dhe ata të cilëve u shërbejnë. “Ne jemi në lëvizje gjatë gjithë ditës dhe kemi shumë kontakte, e kjo tregon se jemi mjaft të riskuar nga Covid-19. Frika është e madhe, por mundohemi të jemi të kujdesshëm”, thotë Kliton Pasha.
Psikologia Shpata tha se tregohet e kujdesshme dhe ruan distancën edhe me familjarët e saj. “Rri me shumë frikë se sepse çdo ditë kam kontakte me shumë njerëz dhe mund të infektohem”, thotë ajo. E reja thotë se sidoqoftë nuk ka ndërmend të tërhiqet nga puna si vullnetare.