Në një vendim të shpallur të hënën, Gjykata Administrative e Tiranës shpalli të rrëzuar padinë e banorëve të një zone të mbrojtur kundër ndërtimit të një hidrocentrali. Avokatja e paditësve njoftoi se do të apelojë vendimin.
Gjykata Administrative shpalli dispozitivin mëngjesin e së hënës ndërsa vendimi i argumentuar pritet të publikohet më vonë. Banorët e zonës së Zall Gjoçajt, pranë maleve të Lurës në zonën e Matit, patën kërkuar pezullimin e punimeve me argumentin se hidrocentrali rrezikon të zhvendosë ujërat mbitokësore, të dëmtojë burimet e tyre të ujit dhe të shkatërrojë një zonë që ka statusin e parkut kombëtar të kategorisë së dytë.
Avokatja e palës paditëse Dorina Ndreka deklaroi pas vendimit. “Absolutisht mendojmë se është [një vendim] i padrejtë, po ndërtohet në një park të mbrojtur.”
Ndreka njoftoi se do të apelojë vendimin dhe do të kërkojë nga Gjykata Administrative e Apelit të shqyrtojë çështjen me përparësi.
Banorët e Zall Gjoçajt kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit kundër ndërtimit të hidrocentralit.
Lexo më shumë:
Banorët e Matit protestojnë para bashkisë, kundër HEC-eve në Zall Gjoçaj
HEC-i në Mat, Gjykata Administrative rrëzon mes protestave kërkesën për pezullim të punimeve
Digjet makineria e firmës që po ndërton HEC-et në Zall Gjoçaj, shoqërohen banorët