Një 69 vjeçar pacient mësohet se u hodh mesditën e së martës nga kati i tretë i spitalit të Sëmundjeve Infektive në Tiranë. Sipas policisë, pacienti është nën kujdesin e mjekëve. Ky është rasti i katërt i ngjashëm i pacientëve të prekur nga COVID-19 në Shqipëri, duke vënë në dukje pasojat e kësaj sëmundjeje për shëndetin mendor.
Pacienti 69 vjeçar sipas policisë, “dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali” rreth orës 12:30 ndërsa ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Ky është rasti i katërt i shënuar me pacientë të COVID-19 që kryejnë vetëvrasje apo tentojnë të vrasin veten. Më herët, tre persona kanë vrarë veten në ngjarje të ndryshme në Spitalin COVID 2.
Një studim i publikuar së fundmi vërejti se problemet e shëndetit mendor duket se prekun në shkallë të ndryshme rreth një të pestën e të gjithë së sëmurëve me SARS-CoV-2, virusin që ka prekur deri tani 50 milionë vetë në të gjithë botën dhe ka shkaktuar së paku 1.2 milionë te vdekur. [Link]
Studimi i pbulikuar në revistën e specializuar The Lancet Psychiatry journal u mbështet në dosjet mjekësore elektronike të 69 milionë amerikanëve, përfshirë edhe 62 mijë raste të pacientëve me COVID-19. Në tre muajt që pasuan shërimin nga COVID, një në pesë persona kanë përjetuar për herë të parë ankth, depresion apo pagjumësi, sipas studiuesve.
Sipas studiuesve, vetë pandemia ka shkaktuar shumë stres në popullsinë e gjerë ndërsa kombinimi i këtij stresi me sëmundjen COVID-19 dhe pasojat fizike të saj janë shkaku i incidencës kaq të lartë të problemeve të shëndetit mendor mes të shëruarve.
Lexo më shumë:
Pa psikologë dhe me mungesë stafi, spitalet përballen me probleme nga COVID-19