Gjatë operacionit policor të koduar “Kamuflimi”, armët u gjetën në një furgon që transportonte mallra drejt Anglisë përmes Portit të Durrësit. Policia arrestoi drejtuesin e furgonit që po transportonte mallrat, 35 vjeçarin Jetmir Koloshi nga Tirana, i cili akuzohet për veprën penale “trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Sipas njoftimit të policisë, pistoletat ishin fshehur brenda një tavoline, së bashku me krëhëra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh. Policia sekuestroi edhe 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Policia e Durrësit deklaroi se po bashkëpunon me Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Mbretërisë së Bashkuar si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë vitit 2022, Prokuroritë shqiptare kanë regjistruar 10 procedime penale me 3 të pandehur për veprën penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal. Rasti i fundit në Durrës përbën numrin më të madh të armëve të sekuestruara gjatë një operacioni në vitet e fundit.