AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Në Shkodër, administrata është nën trysni për votat e kushërinjve në emigracion

Gara për të dominuar votën e diasporës ka vënë nën presion punonjësit e administratës qendrore dhe lokale në qarkun e Shkodrës për të dorëzuar lista dhe kontakte të të afërmve në emigracion – ndërsa drejtuesi i PS thotë se kontaktet duhen “për të shpalosur platformën tonë”.

Emi KalajangaEmi Kalaja
08:06 | 27/01/2025
në Analiza, Artikull kryesor, Zgjedhje 2025
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Drejtuesi i PS për qarkun e Shkodrës, Benet Beci gjatë një takimi me strukturat drejtuese të partisë. Foto: Facebook.

Pas përmbysjes elektorale të vitit2023, kur socialistët me Benet Becin si kandidat fituan për herë të parë Bashkinë e Shkodrës, qarku duket se është kthyer në një nga fushëbetejat elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Për të siguruar shumicën e 11 deputetëve që dalin nga kjo zonë – dikur e dominuar nga Partia Demokratike – palët janë duke investuar në mbledhjen e votave të diasporës, të cilës i është mundësuar për herë të parë votimi.

“Po i çojnë të vdekurit nga varri për vota, jo më emigrantët,” thotë një mësuese nga Vau i Dejës për BIRN, pa dashur të identifikohet me emër. “Nuk jam kontaktuar nga eprorët, por nga vetë nxënësit, të cilët më kanë kërkuar që t’u gjej miq e shokë në Itali,” shtoi ajo.

Mësuesja thotë se kjo ishte një situatë e pritshme, pasi më herët partitë politike i sillnin emigrantët me avionë e autobusë për të votuar në Shqipëri.  “Zgjedhjet e kaluara sollën më shumë se 2000 emigrantë për të votuar në Vaun e Dejës me çdo shpenzim të mbuluar,” shtoi ajo.

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi për herë të parë që të votojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë balancat elektrorale në vend. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, Partia Socialiste në Bashkitë e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaun e Dejës  po përdor punonjësit e administratës publike për të ndikuar votën e të afërmve të tyre në emigracion. Një praktikë e ngjashme denoncohet se po ndiqet edhe në bashkinë e Pukës që drejtohet nga demokratët.

Përmes intervistave të veçanta, një duzinë me punonjës të administratës me profesion infermierë, mësues apo nëpunës vendorë i thanë BIRN se ishin urdhëruar të dorëzonin lista me kontakte emigrantësh; ndërsa një pjesë thanë se “ndjeheshin nën presion” për këtë.

Por kryebashkiaku Benet Beci, njëkohësisht drejtues i PS-së në Shkodër i mohoi akuzat.

“Nuk ka asnjë presion ndaj askujt. Shembujt i keni konkret në Bashkinë Shkodër,” tha Beci për BIRN, duke iu referuar faktit se nuk kishte shkarkuar nga detyra mbështetësit e opozitës. Ai tha se kërkesa për kontakte ishte diçka që u ishte përcjellë strukturave të PS-së me qëllim:  “Angazhimin e anëtarësisë dhe kontaktin e çdo shqiptari të mundshëm për të shpalosur platformën tonë”.

Por ndryshe nga kryebashkiaku, punonjës të administratës thonë se prej tyre kërkohet që të sigurohen vota në diasporë.

Një mësuese nga Shkodra, e cila është vetë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, i tha BIRN se minimalisht një punonjësi i kërkohej të siguronte 10 vota, ndërsa drejtuesve deri 100 vota të sigurta diaspore.

“Kjo është edhe në përputhje me pritshmërinë e kryeministrit për 200 mijë vota nga diaspora”, tha gruaja, që ashtu si punonjësit e tjerë të kontaktuar, kërkoi të ishte anonime. “Po angazhohen kudo…Sipas përgjegjësisë, edhe numri i votave,” shpjegoi ajo.

Përdorimi i administratës për të mbushur hambarin e votave në diasporë është identifikuar si problem edhe nga monitorues të zgjedhjeve.

Bepin Kolvataj, gazetar dhe monitorues i tha BIRN se prej kohësh ata kanë sinjalizime të përdorimit të administratës në fushatë zgjedhore.

“Sipas informacioneve që kam, po ju kërkohen të dhëna për çdo të afërm që jeton në diasporë, duke plotësuar formular me gjeneralitetet e tyre, vendbanimin, numrin e celularit e të tjerë. Gjithashtu, një pjesë e administratës është angazhuar për të marrë pjesë në takimet elektorale të diasporës, ndonëse shumica e tyre po zhvillohen kryesisht në fundjavë jashtë orarit zyrtar të punës, por që prania është e detyrueshme për ta,” tha Kolvataj.

Arbana Dibra, një tjetër aktiviste dhe monitoruese në zgjedhje prej vitesh, tregon se qarku i Shkodrës ka pasur gjithmonë problematika në fushata zgjedhore. “Nga eksperienca e monitorimit të procesit zgjedhor kam vërejtur shkelje dhe procese të paligjshme, si përshembull korrupsion për blerje të votave në komunitete të margjinalizuara”, thotë Dibra.

Por këtë herë, beteja mes dy forcave politike shkon për angazhimin e emigrantëve.

“Nga të dy krahët politikë paraqitet një ndjeshmëri e madhe për përllogaritje të votave, duke u bazuar te familjarët që janë në emigracion, duke mbledhur informacion paraprak nëse duan që të regjistrohen për të votuar,” shtoi Dibra.

Trysninë për të siguruar vota në diasporë po e përjetojnë edhe punonjës të institucioneve periferike publike. Një infermiere prej 20 vitesh në spitalin Rajonal të Shkodrës i tha BIRN se ishte thirrur për herë të parë nga eprorët, të cilët i kishin kërkuar që të kontaktonte minimalisht 10 persona që jetojnë jashtë dhe t’u kërkonte votën për Partinë Socialiste.

“Nuk më kanë përmendur vendin e punës, por më kanë kërkuar prerazi angazhim maksimal”, tha ajo.

Mesazhe të ngjashme kanë marrë edhe punonjës të administratës lokale dhe qendrore në Malësi të Madhe. Dy prej tyre i thanë BIRN se fushata për të regjistruar votues në emigracioni kishte nisur që në dhjetor.

“Që në muajin dhjetor, na është lënë afat dhe për dy javë duhet të garantojmë 10 persona që jetojnë jashtë. Urdhri është i tillë: Emër, mbiemër, numri i telefonit, shteti, qyteti apo provinca ku jetojnë, dhe kërcënohemi me largim nga puna nëse nuk i sigurojmë,” tha një punonjës i Bashkisë Malësi e Madhe.

Një tjetër punonjës i po kësaj bashkie tha se presioni në zonat rurale ishte më i madh, pasi emigracioni aty është më masiv.

“Në zonat rurale, metoda është përmes kërcënimeve për vendin e punës. Ne e dimë që kjo funksionon, pasi tani fuqia e kërcënimit shkon jashtë Shqipërisë. Nëse një votues është jashtë, tani ai votues kontaktohet përmes familjarëve që duan një legalizim, një vend pune, një subvencionim për bujqësinë apo një leje ndërtimi,” tha ai.

Një skemë e ngjashme u denoncua se po përdorej edhe në Pukë, njëra prej pak bashkive të drejtuara nga opozita. Një punonjës i administratës denoncoi se ishte thirrur dhe i ishte kërkuar të garantonte votën e të afërmve emigrantë për Partinë Demokratike. Denoncuesi i tha BIRN se atyre u ishte vënë përpara një listë e bërë gati me të afërm dhe u ishte kërkuar t’i kontaktonin.

“Na kanë thirrur një më një, na kanë gjetur gjithë familjarët që kemi jashtë dhe na kanë kërkuar t’i kontaktojmë për të votuar Partinë Demokratike”, tha një punonjës i administratë lokale.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, e mohoi këtë akuzë.

“Mazhoranca tenton të na veshë skemat e veta, pasi të gjithë po shohin çfarë bëjnë ata me pushtetin”, tha Dodaj, që pretendoi se deri tani nuk ishte përfshirë fare në fushatë.

Etiketa: Administrata publikeArbana DibraBashkia e PukësBashkia Vau i DejësBenet BeciBepin KolvatajMalësi e MadhePartia DemokratikePartia SocialisteRrok DodajVota e diasporësZgjedhjet 2025
I mëparshmi

Turizmi zhgënjen pritshmërinë e qeverisë për 14 milionë vizitorë

Tjetri

Si u dogj Durrësi në vitet 170/171 pas Kr.

Tjetri
Si u dogj Durrësi në vitet 170/171 pas Kr.

Si u dogj Durrësi në vitet 170/171 pas Kr.

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.