
Diçka e rëndësishme po ndodh në Kinë, dhe kjo duhet ta shqetësojë udhëheqjen politike të vendit. Të rinjtë kinezë po shfaqin gjithnjë e më shumë një qëndrim dorëzimi pasiv, i përmbledhur në fjalën e re të modës bai lan (“lëre të kalbet”). E lindur nga zhgënjimi ekonomik dhe frustrimi i përhapur me normat shtypëse kulturore, bai lan refuzon garën e ethshme dhe nxit individët të bëjnë vetëm minimumin e domosdoshëm në punë. Mirëqenia personale vihet mbi përparimin në karrierë.
E njëjta prirje reflektohet edhe në një tjetër fjalë të re në modë: tang ping (“të shtrihesh”), një neologjizëm zhargoni që shpreh një ndjenjë dorëzimi përballë konkurrencës së pamëshirshme sociale dhe profesionale. Të dy termat sinjalizojnë një refuzim të presioneve shoqërore për të arritur më shumë dhe e shohin angazhimin social si një lojë të pakuptimtë me përfitime gjithnjë e më të pakta.
Korrikun e kaluar, CNN raportoi se shumë punëtorë kinezë po braktisnin punët stresuese në zyra për të kaluar në profesione të lira dhe me orare fleksibël. Siç shpjegoi një 27-vjeçar nga Wuhan: “Më pëlqen të pastroj. Me përmirësimin e standardeve të jetesës (në mbarë vendin), kërkesa për shërbime shtëpiake po rritet gjithashtu… Ndryshimi që më solli është se nuk më rrotullohet më koka. Ndihem më pak i ngarkuar mendërisht. Dhe kam plot energji çdo ditë.”
Këto qëndrime paraqiten si apolitike, duke refuzuar si rezistencën e dhunshme ndaj pushtetit, ashtu edhe çdo dialog me të. Por a janë këto dy mundësitë e vetme për të larguarit?
Protestat masive që po zhvillohen në Serbi sugjerojnë alternativa të tjera. Protestuesit jo vetëm që e kuptojnë se diçka është e kalbur në shtetin serb, por edhe këmbëngulin të mos e lënë këtë kalbëzim të vazhdojë.
Protestat filluan në nëntorin e kaluar në Novi Sad, pas shembjes së një çatie që la 15 persona të vdekur dhe dy të plagosur rëndë në një stacion hekurudhor të rinovuar së fundmi. Që atëherë, demonstratat janë përhapur në 200 qytete dhe qyteza serbe, duke tërhequr qindra mijëra njerëz dhe e bërë këtë lëvizjen më të madhe të udhëhequr nga studentët në Evropë që nga viti 1968.
Shembja e çatisë ishte thjesht shkëndija që ndezi fitilin e pakënaqësisë së akumuluar prej kohësh. Shqetësimet e protestuesve përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, nga korrupsioni i shfrenuar dhe shkatërrimi ekologjik (qeveria planifikon të investojë fuqishëm në nxjerrjen e litiumit) deri te përbuzja e hapur që presidenti serb, Aleksandar Vučić, ka treguar ndaj popullsisë. Ajo që qeveria e paraqet si një plan për t’u integruar në tregjet globale, të rinjtë serbë e shohin si një mashtrim për të fshehur korrupsionin, për të shitur burimet kombëtare tek investitorët e huaj në kushte të errëta dhe për të eliminuar gradualisht mediat opozitare.
Por çfarë i bën këto demonstrata unike? Refreni i protestuesve është i qartë: “Nuk kemi kërkesa politike dhe mbajmë distancë nga partitë e opozitës. Thjesht kërkojmë që institucionet serbe të punojnë në interes të qytetarëve.” Në këtë frymë, ata po kërkojnë me këmbëngulje transparencë mbi renovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, akses në të gjitha dokumentet e aksidentit, pushimin e akuzave ndaj të arrestuarve gjatë protestës së parë antiqeveritare në nëntor dhe ndjekjen penale të atyre që sulmuan studentët protestues në Beograd.
Në këtë mënyrë, protestuesit synojnë të shkëpusin procesin që i ka lejuar partisë në pushtet të mbajë peng shtetin duke kontrolluar të gjitha institucionet. Nga ana e tij, regjimi i Vučić-it ka reaguar me dhunë, por edhe me një taktikë të njohur në boks si “kapje e kundërshtarit” – një manovër që parandalon goditjet e lira duke e mbajtur fort kundërshtarin.
Sa më i dëshpëruar bëhet Vučić, aq më shumë përpiqet të arrijë një marrëveshje me protestuesit. Por ata po refuzojnë çdo lloj dialogu. Ata i kanë specifikuar kërkesat e tyre dhe nuk bëjnë kompromis.
Tradicionalisht, protestat masive mbështeten, qoftë edhe në mënyrë të nënkuptuar, te kërcënimi me dhunë i kombinuar me gatishmërinë për negociata. Por në këtë rast kemi të kundërtën: protestuesit serbë nuk kërcënojnë me dhunë, por refuzojnë edhe dialogun. Kjo thjeshtësi e drejtpërdrejtë krijon konfuzion, ashtu si edhe mungesa e liderëve të qartë. Në këtë kuptim të ngushtë, protestat kanë disa ngjashmëri me bai lan.
Sigurisht, në një moment të caktuar, politika e organizuar do të duhet të hyjë në lojë. Por për momentin, qëndrimi “apolitik” i protestuesve po krijon kushtet për një politikë të re, dhe jo për një version tjetër të të njëjtës lojë të vjetër. Për të vendosur ligj dhe rregull, tavolina duhet pastruar.
Kjo është arsye e mjaftueshme që pjesa tjetër e botës të mbështesë protestat pa kushte. Ato dëshmojnë se një thirrje e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë për sundimin e ligjit mund të jetë më subversive se dhuna anarkike. Serbët kërkojnë një shtet ligjor, por pa ato rregullat e pashkruara që hapin dyert për korrupsion dhe autoritarizëm.
Protestuesit janë shumë larg nga e majta anarkike që dominoi demonstratat e vitit 1968 në Paris dhe në Perëndim. Pasi bllokuan për 24 orë një urë mbi Danubin në Novi Sad, të rinjtë protestues vendosën të zgjasnin tubimin edhe për tre orë të tjera – vetëm për të pastruar zonën. A mund ta imagjinojë dikush që protestuesit me gurë në Parisin e 1968-ës të bënin të njëjtën gjë?
Ndërsa disa mund ta shohin apoliticizmin e motivuar politikisht të protestuesve serbë si hipokrizi, në të vërtetë, ai duhet kuptuar si shenjë e radikalizmit të tyre. Ata refuzojnë të luajnë politikën sipas rregullave ekzistuese (kryesisht të pashkruara) dhe synojnë ndryshime thelbësore në mënyrën si funksionojnë institucionet bazë.
Hipokriti më i madh në këtë histori është Bashkimi Evropian, i cili refuzon të ushtrojë presion ndaj Vučić-it nga frika se ai do të afrohet me Rusinë. Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur mbështetje për popullin gjeorgjian që “lufton për demokracinë”, ajo ka qëndruar habitshëm e heshtur për kryengritjen në Serbi – një vend që ka qenë zyrtarisht kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012. BE-ja po i jep Vučić-it një liri të plotë veprimi, sepse ai ka premtuar stabilitet dhe eksport litiumi, një përbërës kyç për makinat elektrike.
Mungesa e kritikës nga BE-ja, madje edhe përballë akuzave për manipulim zgjedhor, ka lënë vazhdimisht shoqërinë civile serbe të izoluar. A duhet të habitemi që në protestë shihen kaq pak flamuj të BE-së? Ideja e një “revolucioni me ngjyra” si ai i Ukrainës 20 vjet më parë për t’u “bashkuar me Perëndimin demokratik” nuk ka më asnjë efekt. BE-ja ka arritur një tjetër pikë të ulët politike.







