
Kryeministri Edi Rama u shpreh i lumtur të martën me rezultatet e sondazhit të publikuar nga News 24, që sugjeron se socialistët mund të marrin 46% të votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fakt, njëra mënyrë e leximit të këtij sondazhi është që 46% e shqiptarëve pritet të votojnë pro Edi Ramës dhe 54%, jo për të. Dhe nëse në garë do të ishin dy parti garuese dhe jo 11, votat kundër do të mund të prodhonin së paku 76 mandate deputetësh jo drejpërsëdrejti për Ramën. Por fakti është që janë dhjetë parti përveç socialistëve që garojnë dhe, ndarja e vendit në 12 qarqe dhe formula D-Hondt e përdorur për ndarjen e mandateve sugjeron se votat e shumë partive të vogla mundet të mos prodhojnë mandate, ndërsa partia më e madhe pritet të ketë avantazh në disa qarqe kundrejt të dytës dhe ajo e dyta, kundrejt të tretës.
Zgjedhjet e shkuara sugjerojnë se një shumicë e thjeshtë parlamentare është e mundur të realizohet me më pak se 50% të votave, por jo shumë më pak.
Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2017, socialistët fituan 74 mandate me 48.3% të votave, pra morën 53% të mandateve me më pak se 49% të votave me një deformim të vullnetit të votuesve në masën 4.6%. Ky ishte edhe disniveli më i lartë i regjistruar në zgjedhje mes votës popullore dhe numrit të mandateve. Në vitin 2013, koalicioni ASHE, ku bënin pjesë PS dhe LSI, mori 57.3% të votës popullore dhe 59.2% të mandateve, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, diferenca mes mandateve dhe votës popullore u ngushtua në 4.2%. Po kështu, në zgjedhjet e vitit 2009, demokratët dhe aleatët e tyre arritën të fitojnë 70 mandate me 46.9% të votës popullore, ose një disbalancë prej 3.1%. Me një fjalë, të katër zgjedhjet e fundit që janë bërë me këtë sistem zgjedhor sugjerojnë se asnjë parti nuk fiton dot shumicën e thjeshtë parlamentare nëse nuk arrin të marrë 47% të votës popullore. Ndërsa disbalancat e mëdha të zgjedhjeve 2017 e 2021 janë shkaktuar nga garimi veçmas i dy partive, në atë kohë, të mëdha opozitare, LSI dhe PD, gjë që dogji mandate, kryesisht të LSI-së, duke avantazhuar PS-në.
Me pak fjalë, nëse rezultati i sondazhit të News 24 për socialistët konfirmohet, pra PS merr 46% të votave në rang kombëtar, kjo parti mundet të bjerë nën 70 mandate që nevojiten për të krijuar shumicën e thjeshtë.
Rezultati i votës popullore dhe rezultati në mandate në përqindje |
|||
| % vota | % mandate | Diferenca | |
| 2009 | 46.9 | 50 | 3.1 |
| 2013 | 57.3 | 59.3 | 2 |
| 2017 | 48.3 | 52.9 | 4.6 |
| 2021 | 48.7 | 52.9 | 4.2 |
Vetëm se minimumi 47% i vërejtur në zgjedhjet e shkuara mund të mos jetë i vlefshëm në zgjedhjet e këtij viti dhe skenarët për thyerje të këtij pragu për poshtë janë të vështira që të llogariten. Faktori kryesor është se sa prej votave të partive të vogla nuk do të prodhojnë dot mandate. Për shembull, Lëvizja Bashkë, e cila në sondazh vlerësohet se mund të marrë 1.5% të votave në rang kombëtar, mundet që të fitojë nga zero deri në dy mandate.
Matematikisht, të 140 mandatet ndahen secili për 0.7% të votave dhe këto zgjedhje, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, nuk ka prag ligjor për të filluar numërimin, siç ka pasur në masën 1% në rang kombëtar në vitin 2021, gjë që u shpall antikushtetues, apo prag në masën 3% në zonë zgjedhore në zgjedhjet e mëparshme. Në këtë kontekst, gjashtë nga nëntë partitë vogla garuese janë brenda fashës për të fituar mandate dhe njëra ose disa prej tyre mundet të bëhen gurëkyçi apo kingmaker për shumicën e ardhshme parlamentare. Por kjo është vetëm teorikisht.
Nëse marrim të mirëqenë pjesëmarrjen e zgjedhjeve të vitit 2021, 1% e votave që sondazhi sugjeron se mund të fitohen nga koalicioni Djathtas për Zhvillim apo 2% të Koalicionit Euroatlantik janë përkatësisht 17 mijë dhe 32 mijë vota. Nëse një parti fiton 17 mijë vota në secilin qark, ajo merr 1 deri në 2 mandate. Në fakt, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit arriti në zgjedhjet e kaluara të marrë 2 mandate në Shkodër me pak më shumë se 16 mijë vota dhe një mandat tjetër në Tiranë me pak më shumë se 13 mijë vota. Por nëse një parti e vogël merr, fjala vjen, 5 mijë vota në secilin qark, pavarësisht se në rang kombëtar i bie të marrë 60 mijë vota ose 3.6% të votave, kjo parti fiton zero mandate. Në këtë kontekst, asnjë prej partive të vogla garuese nuk mund të ndjehet e sigurt se fuqia e tyre e perceptuar elektorale do të përkthehet në pushtet real, pra përfaqësim parlamentar.
Problemi më i madh i të bërit sondazh në Shqipëri duket se ka të bëjë me kampionimin. Për shkak se popullsia është vazhdimisht në ndryshim, me normë rënieje 1 apo 2% në vit, është e vështirë që të gjitha shtresat e shoqërisë apo të gjitha zonat gjeografike të mund të kampionohen me saktësi.







