AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

‘Politika sfidon drejtësinë’ me kandidatët nën hetim për çështje korrupsioni

Dy partitë e mëdha politike kanë përfshirë në listat e deputetëve një dyzinë personash nën hetim apo gjykim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit, duke sfiduar sipas studiuesve të politikës, institucionet e drejtësisë dhe elektoratin.

Vladimir KarajngaVladimir Karaj
08:08 | 21/04/2025
në Analiza, Artikull kryesor, Korrupsioni, Zgjedhje 2025
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Kryeministri Edi Rama gjatë hapjes së fushatës elektorale të Partisë Socialiste në sheshin “Skënderbej”. Foto: LSA.

Një dekadë pas votimit unanim në Kuvend të ligjit për dekriminalizimin e politikës, dy forcat kryesore në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kandidojnë në lista të mbyllura dhe të hapura një duzinë personash që po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Pavarësisht se korrupsioni është një nga problemet madhore të Shqipërisë dhe politika po shkon drejt zgjedhjeve me premtime për luftë kundër fenomenit, në listat e kandidatëve për deputetë gjen persona që po hetohen apo gjykohen për vepra penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave apo dyshime të tjera të ngjashme.

Në listën e Tiranës, Partia Socialiste kandidon ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, aktualisht nën hetim për “shpërdorim detyre”, kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila po hetohet për pengim të drejtësisë si dhe deputetin Plarent Ndreca, aktualisht në gjykim për veprën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

SPAK po kryen gjithashtu hetime ndaj kandidatit të PS në Fier, ish-drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi si dhe ministrit aktual të Mbrojtjes, kandidat në listën e Vlorës, Pirro Vëngu, pas kallëzimeve të depozituara nga Partia Demokratike.

Në krahun e opozitës, përveç kryetarit Sali Berisha, aktualisht në gjykim për atë që njihet si afera e kompleksit “Partizani”, kandidojnë edhe lideri i arrestuar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave si dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, aktualisht në gjykim për rolin e tij në tragjedinë me 26 të vrarë të Gërdecit.

Madje, Partia Demokratike ka përfshirë në listë edhe ish-gjyqtarë që u larguan me dorëheqje apo u shkarkuan nga procesi i vetingut si Gjin Gjoni në Lezhë dhe Arian Ndoja në Durrës.

Edhe pse kandidimet e mësipërme nuk bien ndesh me ligjin, për analistët dhe studiuesit e politikës tregojnë qartazi sfidën që dy forcat e mëdha politike po i bëjnë drejtësisë si dhe i krizën e vlerave dhe standardeve të demokracisë shqiptare.

“Kjo na çon te problemi i madh klasik i demokracisë shqiptare, tek fakti që kemi një elektorat që nuk funksionon me standarde morale politike të larta dhe që nuk e ka problem t’i votojë këta njerëz, pavarësisht se e di që mund të jenë të hetuar nga SPAK-u apo me probleme me drejtësinë,” thotë Ermal Hasimja, analist dhe studiues i Shkencave Politike.

“Dhe ky është problemi themelor i demokracisë në Shqipëri,” shtoi ai.

Sfidë ndaj drejtësisë

Ish-kryeministri Sali Berisha pas daljes nga SPAK. Foto: LSA.

Prej vitit 2015, Shqipëria ka adoptuar një ligj të veçantë për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen në funksione publike, si kundërpërgjigje ndaj suksesit të personave me rekorde kriminale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe zgjedhjet lokale të vitit 2015. Ligji përjashton përgjithmonë nga politika persona të përfshirë në krim të organizuar, ndërkohë që personat e dyshuar për vepra të tjera penalizohet vetëm pas dënimit të formës së prerë.

Dekriminalizimi i politikës apo integriteti i kandidatëve u kthye në një çështje qëndrore të debatit politik gjatë dekadës së fundit – e megjithatë duket se gjërat janë kthyer në kahun e kundërt.

Sipas Rigels Xhemollarit, drejtor i organizatës “Qëndresa Qytetare”, partitë kryesore kaluan shumë shpejt nga një fushatë e madhe kundër kriminalizimit të politikës, në promovimin e kandidatëve apo figurave me akuza mbi shpinë.

“Në listat e PD – PS janë shtatë kandidatë në listat e sigurta nën hetim nga SPAK, të akuzuar për korrupsion, fshehje pasurie dhe bashkëpunim me krimin e organizuar,” tha Xhemollari.

“Kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik për drejtësinë pas datës 11 maj, pasi këta individë me shumë mundësi do të bëhen pjesë e Kuvendit dhe do kenë në dotë të ndikojnë në reformimin apo deformimin e sistemit të drejtësisë,” shtoi ai.

Edhe Mentor Beqa, lektor i teorive politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e sheh kandidimin e personave nën hetim si një sfidë ndaj sistemit të drejtësisë. Beqa thekson gjithashtu se gara për pushtet në Shqipëri ka marrë përparësi ndaj ndërtimit të institucioneve të pavarura.

“Kjo tregon një brengosje reale për autonominë e SPAK-ut dhe rrezikun që ai përfaqëson për një klasë politike të caktuar, e jo më një përplasje të thjeshtë deklarative”, thotë Beqa.

Beqa thekson se përfshirja e personave të hetuar në listat zgjedhore ka ekspozuar gjithashtu një nivel të lartë hipokrizie politike, që shkon përkundër retorikës për mbështetje të drejtësisë. Ai sjell si shembull sjelljen e Partisë Socialiste pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku edhe vetë kryeministri Rama – që pretendon se është mbështetës i SPAK-ut – iu bashkua retorikës kundër këtij institucioni.

“Ka një kontradiktë thelbësore mes deklaratave publike për mbështetje të drejtësisë dhe praktikave konkrete të përzgjedhjes së kandidatëve,” vëren Beqa.

“Kandidimi i personazheve me të kaluar problematike përforcon idenë e instrumentalizimit të politikës për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë,” thekson ai, ndërsa parashikon që pas 11 majit, raporti ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zgjedhura do të jetë vendimtar për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend.

Problem i demokracisë

Zgjedhje 2023

Përveç sfidës ndaj institucioneve të drejtësisë, studiuesit e politikës vlerësojnë partitë e mëdha po i bëjnë karshillëk edhe elektoratit me kandidimin e personave nën hetim apo gjykim nga drejtësia.

Madje, ndryshe nga sa mund të pritej, këta persona ndodhen në listat e kandidatëve pasi mendohet se mund të sjellin edhe më shumë vota për partitë respektive.

Hasimja thotë se ky element nuk është vetëm tregues i standardit të partive politike, por edhe i elektoratit. Sipas tij, problemi i ka rrënjët e thella dhe në zgjedhjet e kaluara situara ka qenë edhe më e rëndë me përfshirjen në lista të personave të lidhur me krimin e organizuar.

“Për partitë kryesore nuk përbën problem që të përdorin kandidatë me CV problematike. Ata kanë bashkëpunuar kur kanë mundur, sidomos Rilindja, edhe me botën e krimit,” kujton Hasimja. “Qeveria dhe partitë e dinë që elektorati nuk i ka këto standarde dhe rrjedhimisht e vetmja gjë që mendojnë, është të nxjerrin sa më shumë vota”, shtoi ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe Mentor Beqa, sipas së cilit “një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë është e kapur ose e ndikuar përmes mekanizmave të klientelizmit, patronazhit apo varësisë sociale dhe ekonomike.” Sipas tij, në një kontekst të tillë, kandidimi i individëve të lidhur me botën e krimit nuk është rastësi, por pjesë e një strategjie për të garantuar ndikim në zona të caktuara.

Një tjetër aspekt shqetësues për analistët është përdorimi i kandidimit si një formë mbrojtjeje ligjore apo politike për individë nën hetim. Ndërsa për shumëkënd, kandidimi mund të duket si një karrierë politike e zakonshme, për këta individë ai përfaqëson një mundësi për t’u strehuar nga ndjekja penale.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me përpjekje për mbrojtje individuale,” thekson Beqa. “Po përcillet një mesazh i qartë: institucionet e drejtësisë, dhe në veçanti SPAK-u, duhet të përshtaten me balancat e reja të pushtetit nëse duan të mbijetojnë politikisht,” thotë ai.

Xhemollari ndërkohë kritikon atë që e sheh si heshtje të partive politike mbi këtë çështje dhe paralajmëron se kjo mund të ketë ndikim në sjelljen e politikës ndaj institucioneve të reja të drejtësisë pas zgjedhjeve të 11 majit.

“Liderët politikë në startin e periudhës zgjedhore e shprehën hapur qëndrimin e tyre ndaj strukturës së posaçme, kur Rama e targetoi si “sigurim të shtetit” dhe Berisha premtoi se do e shkrinte…,” kujton Xhemollari.

Ai shton se liderët politikë e moderuan qëndrimin e tyre në fushatë për shkak të besimit të lartë që qytetarët kanë ndaj SPAK, por paralajmëron: “kjo zbutje tonesh është një qëndrim elektoral i pasinqertë”.

Etiketa: Arian NdojaCeno KlosiErmal HasimjaFatmir MediuGjin GjoniIlir MetaKlotilda BushkaMentor BeqaOlta XhaçkaPartia DemokratikePartia SocialistePirro VenguPlarent NdrecaRigels XhemollariSali Berisha
I mëparshmi

AKSH e Elena Kocaqit, përpjekja e radhës e nacionalistëve për një vend në Kuvend

Tjetri

Taksat janë sakaq të sheshta

Tjetri
Taksat janë sakaq të sheshta

Taksat janë sakaq të sheshta

I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Katërmbëdhjetë të akuzuar si pjesë e ISIS dënohen me 112 vjet burg

15:50 | 11/06/2026
640 0 1737360265xkushi 919

Ishulli si magjepsje

15:00 | 11/06/2026
nje meme me simbolin e flamingove ne protesten kunder projektit ne zvernec. foto nensi bogdani

Nga bulevardi në rrjetet sociale: Fuqia e memeve të protestës

07:24 | 11/06/2026
protesta 10 qershor 202t6

Shqipëria përjeton protestën më të madhe në dekada

01:01 | 11/06/2026
veliaj ndreca

Mungesa e avokatëve bëhet shkak për shtyrjen e gjyqit ndaj Erion Veliajt

17:00 | 10/06/2026
rama balluku ne fier

‘Realiteti paralel’ i mitingjeve të Ramës përballë mijëra protestuesve

13:25 | 10/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.