AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Page Positions Artikull kryesor Opinion

Ndërkombëtarët dhe zgjedhjet, një histori e shkurtër

Vëzhguesit ndërkombëtarë të misionit të OSBE/ODIHR lanë të kuptohet në konferencën e tyre për shtyp të hënën se ndjenin se shumë kërkohej prej tyre në drejtim të standardeve zgjedhore, duke sugjeruar se “veprimet duhet të ndërmerren këtu”, pra nga shqiptarët. Një historik i shkurtër i angazhimit të vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet e shkuara parlamentare bart të dhëna që sugjerojnë se çfarë mund të ndodhë më pas.

Gjergj ErebarangaGjergj Erebara
12:28 | 16/05/2025
në Artikull kryesor Opinion, Opinion
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Përfaqësuesit e misionit të OSBE/ODIHR | Foto: LSA

Vëzhguesit ndërkombëtarë në konferencën për shtyp të hënën në Tiranë lanë të kuptohet se e ndjenin peshën e përgjegjësisë, ndërsa gazetarët, mbështetës të qeverisë apo kritikë të saj, bënë pyetje përmes të cilave synonin të nxirrnin përgjigje mbështetëse për secilën nga palët.  Dhe Farah Karimi, koordinatorja dhe udhëheqësja e vëzhguesve afatshkurtër, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi shqetësimet për standardet zgjedhore, nga presioni mbi administratën te kontrolli i medias nga partia në pushtet, këshilloi që “veprimet pritet të ndërmerren nga ju”. Kjo gjithsesi nuk pengoi median shqiptare, atë të shumtën proqeveritare, të raportonte me tituj të llojit “ndërkombëtarët certifikojnë zgjedhjet” dhe ato të paktat opozitare që raportuan “rrëzimin e zgjedhjeve”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u themelua tre dekada më parë si një instrument ndërqeveritar për të asistuar vendet e ndryshme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, standardeve demokratike apo ndërmjetësim për zgjidhjen e konflikteve. Dega e saj, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, që njihet sipas akronimit në anglisht ODIHR, ka monitoruar zgjedhjet shqiptare që nga viti 1996. Ekspertët e saj kanë lënë pas çdo palë zgjedhjesh, një listë jo të shkurtër me rekomandime se çfarë duhet të ndryshohet për të siguruar që zgjedhjet të jenë “në përputhje me standardet demokratike”.

Standardet demokratike janë të shpjeguara në një letër të quajtur Dokumenti i Kopenhagës, [Link] i cili u miratua nga  vendet anëtare në vitin 1990. Shqipëria, si vend anëtar, ka detyrimin që ta zbatojë këtë dokument. Dokumenti, në mënyrë të përbledhur, deklaron ato gjëra që merren me mend lehtë, të tilla si: vota e qytetarëve duhet të ketë peshë të barabartë; ajo duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë, pa frikë për pasoja negative dhe, pasi votuesi të jetë informuar siç duhet nga një media e larmishme dhe e pavarur. Palët garuese duhet të jenë gjithashtu në kushte të barabarta. Nëse një parti është në qeverisje, shteti që ajo qeveris duhet të jetë një strukturë e ndryshme dhe e ndarë nga partia. Burimet shtetërore, të tilla si paratë e buxhetit, mjetet materiale, fjala vjen zyra apo automjete, burimet njerëzore, pra të punësuarit, apo asetet e padukshme,  të tilla si autoriteti shtetëror apo të drejtat ligjore, nuk mund të përdoren nga partia në qeverisje për fushatën e saj elektorale sepse, në këtë mënyrë, krijohet një pabarazi. Raporti i fundit i OSBE/ODIHR për zgjedhjet përdorin termin “uneven playing field” që do të thotë, një fushë loje jo e sheshtë, ku njëra palë është në një pozicion të ngritur për të goditur topin në portën e kundërshtarit që e ha golin, jo pse idetë e tij janë të dobëta përballë votuesve, jo se ai është oferta më e keqe, por për shkak se qeveria abuzon me burimet shtetërore.

Në mënyrë kyçe, dhe ajo që ka më shumë rëndësi për shkak të edukimit jo shumë të lartë të qytetarëve shqiptarë në çështjet demokratike, standardet ndërkombëtare kërkojnë që, për hatër të barazisë së kushteve të lojës mes palëve, pra që fusha të jetë e sheshtë për të gjitha palët, kërkohet që paratë në dispozicion të partive apo të kandidatëve të mos jenë pa limit, në mënyrë që dikush që ka shumë para të mos konkurrojë falë fuqisë monetare në dëm të konkurrencës me ide. Kjo detyron që palët politike të shtrëngohen me ligj që t’i kenë financat e tyre transparente si dhe që asnjëra prej tyre dhe asnjë prej kandidatëve të mos pranojë donacione pa limit dhe as të mos ketë të drejtë të shpenzojë sa të dojë.

Dhe një kriter tjetër kyç, që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme, nevojiten që palët që kanë ankesa të disponojnë mjetet e përshtatshme ligjore për të shqyrtuar ankesat e tyre dhe për të bërë drejtësi. Nëse gjykatat janë të kapura nga pushteti, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk vepron në përputhje me këto kërkesa, zgjedhjet dështojnë të plotësojnë “standardet ndërkombëtare”.

Gjuha diplomatike e përdorur në raportet e OSBE/ODIHR, të cilat gjenden të publikuara online dhe shërbejnë si një ndalesë e mirë për raportime shkurt mbi ecurinë e proceseve zgjedhore shqiptare, ka ndryshuar herë pas here, ndryshime që duket se janë më shumë përshtatje e diplomacisë me realitetin kokëfortë shqiptar, por që pjesërisht reflektojnë edhe nevojën e pashmangshme të theksimit të problemeve pa shkaktuar probleme më të mëdha. Me një fjalë, në një vend ku sytë janë nga ndërkombëtarët, një deklaratë e nxituar, në të shkuarën më shumë se sa sot, mund të ndizte trazira ose mund të justifikonte ndonjë nga palët në ndjekjen e politikës së tyre të parapëlqyer: refuzimin e pranimit të rezultateve dhe bojkotimin e jetës parlamentare.

Monitorimi i zgjedhjeve nisi në këtë kontekst në vitin 1996. Ishin një palë zgjedhje të organizuara nga qeveria e Partisë Demokratike, nën udhëheqjen e presidentit të kohës Sali Berisha. Zgjedhjet, siç u dokumentua gjërë e gjatë më vonë, u vodhën, u manipuluan, me frikësime dhe rrahje të kundërshtarëve, me polici sekrete dhe jo aq sekrete që dhunonte njerëzit, me apo pa lidhje me zgjedhjet. Procesi përfundoi me votime të shumëfishta me dokumente të falsifikuara dhe mbushje kutish.

Asgjë nga këto nuk u vunë re nga vëzhguesit. Ose kjo ishte çfarë u la të kuptohet nga deklarata e tyre pas ditës së zgjedhjeve, ku njëra prej fjalive ishte: “Zyrtarët e qendrave të votimit në përgjithësi i kryen detyrat e tyre në mënyrë të rregullt.”

Fred Abrahams, një amerikan që punoi në Shqipëri në pozicione të ndryshme në vitet ’90 dhe më pas si ekspert i Human Rights Ëatch gjatë Luftës në Kosovë, identifikoi më vonë disa nga vëzhguesit, që morën pjesë në mision për të zbardhur prapaskenat. Në librin e tij Shqipëria moderne, Abrahams shënon se një deklaratë kritike e vëzhguesve ishte zbutur nga zyrat qendrore në Vienë për t’u lexuar në konferencë për shtyp. Por një grup vëzhguesish nga Norvegjia patën brerje ndërgjegjeje dhe krijuan një grup disident brenda vëzhguesve. Ata hartuan një deklaratë paralele në të cilën thanë “zgjedhjet nuk përmbushën standardet ndërkombëtare”.

“Vullneti i popullit shqiptar nuk u shpreh në mënyrë të lirë,” thanë ata.

Ndërsa vëzhguesit lexonin këtë deklaratë në Hotel Tirana International, në Sheshin Skënderbej policia rrahu në mënyrë të përbindshme protestuesit mbështetës të opozitës, përfshirë udhëheqësit, disa prej të cilëve më vonë u pajtuan me Berishën dhe u bënë ministra të qeverisë së tij të dytë.

Ne mundemi vetëm të hamendësojmë se për çfarë arsyesh zyrtarët e OSBE në Vienë kërkuan zbutjen e gjuhës në kritika të vëzhguesve, por hamendësimi më i arsyeshëm duket se ka të bëjë me nevojën për të ruajtur stabilitetin në një kohë kur Lufta në Bosnjë kishte përfunduar një vit më herët, Milosheviçi ishte ende në pushtet dhe Ballkani vijonte të ishte një fuçi baruti. Por në një hamendësim më cinik, mund të thuhet gjithashtu se, diplomatët, duke qenë zyrtarë burokratë, jo gjithmonë kanë kurajën qytetare për të mbrojtur vlerat demokratike dhe se cilësia e raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë varet nga çështje të tilla praktike si cilësitë personale të diplomatit që i harton, kurajës së tij qytetare e të tjera si këto.

Gjithsesi, deklarata kritike e vitit 1996 e vëzhguesve disidentë pati efekt në nxitjen e diplomacisë ndërkombëtare për t’i parë gjërat ashtu siç ishin. Goditja më e madhe për Berishën gjithsesi duket se erdhi jo aq shumë nga gjuha diplomatike e vëzhguesve, se sa erdhi nga autoriteti moral i një burri të moshuar. Abaz Ermenji, në atë kohë 83 vjeç, pati qenë veprimtar i Ballit Kombëtar në  Luftën e Dytë Botërore, jetoi në Francë gjatë kohës së komunizmit dhe ishte rikthyer në Shqipëri për të rithemeluar partinë Balli Kombëtar. Në një kthesë të çuditshme, një nga manipulimet e shumta të zgjedhjeve të vitit 1996 konsistonte në dhënien e 10% të votave për partinë Balli Kombëtar. Supozohej se një ndarje e tillë votash mund të lehtësonte sadopak Berishën nga pesha e vjedhjes së zgjedhjeve, për të cilën, agjentëve të tij elektoralë i kishte shkarë dora mjaftueshëm sa për ta bërë rezultatin qesharak dhe të pabesueshëm, siç ishte rasti i një qendre votimi në Berat ku patën votuar 105%. Por, në vend që të pranonte ndenjësen e tij në parlament, Ermenji mbajti një konferencë të shkurtër për shtyp në të cilën deklaroi: “Berisha është një diktator qesharak”.

Nën presion, Berisha pranoi se kishte pasur parregullsi dhe lejoi përsëritjen e zgjedhjeve në disa zona. Por në këtë kohë,  opozita kishte përjetuar dhunime të njëpasnjëshme, udhëheqësi i saj ishte në burg dhe shumë prej aktivistëve të saj thjesht kishin kaluar në ilegalitet. Kurrfarë zgjedhjesh nuk mundet të zhvillohen nën kushtet e terrorit shtetëror.

Sfida tjetër e madhe e vëzhguesve ndërkombëtarë erdhi në vitin 2001, një palë zgjedhjesh të organizuara nga Partia Socialiste, e cila kishte për kryeministër politikanin në atë kohë të ri, Ilir Metën. Zgjedhjet ishin të parat pas trazirave civile të vitit 1997 dhe u mbajtën jo shumë kohë pas përfundimit të Luftës në Kosovë, me trazirat në Maqedoni në zhvillim e sipër.

Titulli i deklaratës së parë pas zgjedhjeve thotë: Zgjedhjet parlamentare shënojnë progres drejt standardeve ndërkombëtare. Deklarata mund të ngjajë, nga pikëpamja faktike, korrekte. Zgjedhjet e mëparshme ishin zhvilluar në vitin 1997 kur shteti kishte rënë dhe bandat kontrollonin pjesën më të madhe të vendit. Dhe në këtë kontekst, zgjedhjet e vitit 2001 mund të konsiderohen me të vërtetë si “progres”. Deklarata ishte gjithsesi absurde në një nivel të pabesueshëm. Sepse zgjedhjet e vitit 2001 u manipuluan në mënyrën më mizore të imagjinueshme. Keqpërdorimi sistemik i policisë, manipulimi i proceseve gjyqësore dhe shpërndarja e ushqimeve për të varfrit ishin në përmasa të tilla sa, ndërsa manipulimet e vitit 1996 të bënin në një farë mase, për të qeshur, ato të vitit 2001 nuk të bënin as për të qeshur.

Vëzhguesit gjithsesi ndryshuan mendje për këto zgjedhje më vonë. U dokumentua një manipulim zgjedhor në shkallë industriale, përfshirë mbushje kutish, gabime në tabulimin e rezultateve, ndalimin e makinave të transportit të materialeve zgjedhore dhe ndryshimin e raporteve të përgatitura në qendrat e votimit, ndryshim listash votuesish si dhe dhunë e drejtpërdrejtë policore ndaj mbështetësve të opozitës. Afro 15 vjet më pas, kryeministri i kohës, Ilir Meta, deklaroi në një rast se ai “nuk ndjehej shumë krenar” për zgjedhjet e vitit 2001.

Raporti final i vëzhguesve përveç që kritikonte zgjedhjet, këshillonte zgjidhjen e problemit përmes mjeteve ligjore, dialogut politik, krijimit të një komisioni parlamentar hetimor për hetimin e shkeljeve. Procesi përfundoi në vitin 2003 me një marrëveshje të gjerë që reformoi sistemin zgjedhor të vendit, i dha Shqipërisë të parin dhe të fundit president konsensual dhe i hapi rrugën transferimit të parë [thuajse] paqësor të pushtetit në vend.

Në thelb, procesi që pasoi zgjedhjet e vitit 2001 detyroi socialistët të pranonin se shumica e tyre parlamentare me tre të pestat ishte jolegjitime dhe se reformat që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhej të realizoheshin me kompromis me opozitën. Ky ishte një realitet i ri politik për vendin pasi që nga viti 1991, shumicat parlamentare ishin dërrmuese për njërën ose tjetrën palë. Partia e Punës fitoi mbi dy të tretat e parlamentit më 1991, PD fitoi 96 nga 140 ndenjëse më 1992 dhe me shumicë të tillë dërrmuese më 1996. Socialistët fituan shumicën dërrmuese më 1997 dhe përsëritën suksesin, në mënyrë të ngjashme me demokratët më herët, në vitin 2001.

Reforma e vitit 2003 ishte ngjarje kyçe në tranzicionin nga shteti partiak në drejtim të shtetit të së drejtës. Një nga elementët e saj, p.sh., ishte çështja e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë kishte juridiksionin për të trajtuar ankesat zgjedhore dhe e përdori këtë juridiksion për të shpërndarë rreth një të tretën e mandateve parlamentare përmes zbatimit të ligjit në mënyrë jokonsistente. Në atë kohë kjo gjykatë ishte me emërime politike. Kryetari i saj ishte një ish-ministër socialist. Kjo sot mund të duket çudi por në vitet ’90, koncepti i shtetit të ndarë në tre seksione të veçanta, me gjyqësorin e ndarë nga ekzekutivi dhe me parlamentin që kontrollon ekzekutivin, këto ishin ende jo fort të kuptuara. Dhe një nga ndryshimet që bëri reforma, për t’i rënë shkurt sepse Gjykata Kushtetuese nuk ishte lehtësisht e reformueshme, ishte që çështjet e lidhura me zgjedhjet të transferoheshin për kompetencë te një trupë gjyqësore, teorikisht profesionale dhe apolitike në Gjykatën e Apelit. Raporti i plotë dhe final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2021 mund të gjendet online dhe bart shumë detaje të cilat sot, parë në perspektivë, mund të konsiderohen tronditëse.

Zgjedhjet e vitit 2005 ishin, në shumë drejtime, shumë të shëmtuara, ndonëse jo aq sa ato të vitit 2001. Vendimi final ishte që zgjedhjet “u pajtuan vetëm pjesërisht me standardet ndërkombëtare”. Një nga vërejtjet, mungesa e një sistemi kombëtar të adresave, e cila e bën të vështirë njoftimin e votuesve. Njëzet vjet më vonë, sistemi në fjalë vijon të mos ekzistojë. Blerja e votave të segmenteve të varfra të popullsisë u mbajt shënim dhe po kështu, presion mbi administratën publike nga Partia Socialiste apo e studentëve për të votuar dekanët që garonin në zgjedhje. “Pati raportime të besueshme se nxënësit dhe mësuesit janë nxjerrë në mitingje”, vërehet në raport, diçka që u përsërit në mënyrë po kaq të shëmtuar dy dekada më vonë. Policia nuk iu përgjigj kërkesave për ndihmë në rastet e incidenteve dhe në 12 zona zgjedhore nga 100, pati raportime “të besueshme” për frikësim të opozitës nga policët.

Problemet gjithsesi nuk u konsideruan veçanërisht shqetësuese përballë faktit madhor që, për herë të parë, një ndryshim pushteti nga njëra parti në tjetrën u krye pa u paraprirë nga dhuna në përmasa të tmerrshme siç ndodhi në vitin 1997 apo nga falimentimi i shtetit dhe uria masive siç ndodhi më 1992. Ose pothuajse paqësore. Në ditën e zgjedhjeve, një vëzhgues i opozitës u vra në Tiranë. [Link raporti 2005]

Telashet u kthyen në zgjedhjet e vitit 2009. Presioni mbi administratën publike, abuzimi me burimet publike, organizimi i inagurimeve si “aktivitet shtetëror” dhe një debat absurd zhvilluar edhe brenda grupit të vëzhguesve, nëse inagurime të tilla, si ai i rrugës së Kombit pak ditë para zgjedhjeve, ishin apo jo aktivitet elektoral dhe njëkohësisht, abuzim me burimet shtetërore. [Link]

Raporti final vëren se “qeveria përdori në mënyrë të përsëritur ngjarjet zyrtare, përfshirë inaugurimet e projekteve infrastrukturore, për qëllime fushate. Kryebashkiaku i Tiranës dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjithashtu përdori aktivitetet zyrtare për fushatë, por shumë më pak. Kishte aludime të bazuara për keqpërdorim të burimeve administrative për fushatën e PD-së. Një veprim i tillë mjegulloi vijën ndarëse mes shtetit dhe aktivitetete partiake, në kundërshti me nenin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës”.

Zgjedhjet e vitit 2009 ishin edhe të parat kur u shfaq përdorimi masiv i “kasetave”, sot i njohur si “materialet e gatshme”. Materiale propagandistike video, audio apo tekst, të cilat publikoheshin në media si lajme të pavarura. Sistemi në formën e vet rudimentare përbëhej nga funksionarë partiakë të cilët, pasi merrnin “kronikën”, fjala vjen, nga një miting i kryetarit dhe, gjatë montazhit, kur shfaqej nevoja, shtonin duartrokitje në sfond për të krijuar përshtypjen e ndonjë euforie të veçantë të shkaktuar mes mitingashëve nga fjalët e mënçura të kryetarit, bridhnin televizion më televizion me kasetë në dorë, ku materiali kopjohej dhe transmetohej.

Me kalimin e viteve, sistemi u zhvillua më tej. Një rrjet kabujsh u vendos përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, nga Hotel Rogner për te Hotel Tirana International, për të transmetuar konferencat për shtyp. Sot materiale të tilla transferohen me shërbimin Ëetransfer ose përmes sinjalit satelitor. Sistemi është zhvilluar më tutje me “lajmet” e shkurtra për të ushqyer titrat që qytetarët lexojnë nëpër televizionet që ofrojnë 24 orë të prodhuara nga zyrat e shtypit dhe të dërguara të gatshme.

Që nga hera e parë kur u shfaq kjo praktikë, raportet e vrojtuesve e kanë konsideruar si “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Informimi publik nuk mund të përbëhet nga propaganda e palëve; duhet të përbëhet nga raportime të pavarura të gazetarëve të pavarur, të cilët, duhet të ofrojnë larmishmëri. Por pavarësisht kritikave, që nga zgjedhjet e vitti 2013, jo vetëm që praktika vijoi, por u shtri përgjatë të gjithë kohës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Partia Socialiste nisi një valë protestash me pretendimin se zgjedhjet ishin vjedhur. Kulmi u shënua me një grevë urie të zhvilluar në një çadër të ngritur para kryeministrisë. Ishte një skenë thuajse komike kjo, kur, në orët e vona të natës, ndërsa njerëzit përreth grevistëve rralloheshin, një flotë makinash goxha të shtrenjta parkoheshin në bulevard poshtë një parrulle ku shkruhej: “O Sali, ka ne zhyt në varfëri!”

***

Përgjatë viteve, gazetarët pro qeverisë zhvilluan teknika të ndryshme për të nxjerrë citime pozitive për qeverinë. Dhe duke qenë që komenti bazë i vëzhguesve ndërkombëtarë për shumë palë zgjedhjesh, qendrore dhe lokale ishte që “zgjedhjet shënuan progres”, ky u bë një titull i parapëlqyer për mediat proqeveritare pas çdo konference për shtyp të vëzhguesve, konferencë që zakonisht mbahet të nesërmen e ditës së zgjedhjeve. “Progresi” në krahasim me të shkuarën ishte një fjalë e përdorur në zgjedhjet e vitit 1996, 2001 e 2005.

Një gazetar pro qeverisë në konferencën për shtyp të vitit 2009, mori një përgjigje që nuk i pëlqeu kur, në përpjekje për të peshkuar progresin, pyeti se si krahasoheshin zgjedhjet në fjalë në krahasim me ato të mëparshmet. Një prej vëzhguesve i tha: “Ne nuk i krahasojmë zgjedhjet me të shkuarën, por me standardet ndërkombëtare.”

Standardet ndërkombëtare kërkojnë që partia qeverisëse të garojë në zgjedhje në kushte të barabarta me partitë sfiduese me të. Në rast se qeveria ka të gjithë pushtetin për të abuzuar, natyrisht që ajo e ka të lehtë të fitojë zgjedhjet.

Raporti i zgjedhjeve të vitit 2013 nuk ishte shumë kritik. Ai vlerëson pluralizmin e medias, ndonëse vërejti ndikimin politik në përmbajtjen editoriale dhe kritikon keqpërdorimin e burimeve shtetërore, të tilla si ndërtesa, autobuzë dhe automjete të përdorura nga qeveria ose nga opozita në rastet kur kontrollonte pushtetin vendor, për të shpalosur flamuj. Edhe në këtë rast pati presione mbi punonjësit e sektorit publik, ndërsa socialistët u ankuan te vëzhguesit për heqjen nga puna në sektorin publik të mbështetësve të tyre, përfshirë persona të angazhuar në zgjedhjet e mëparshme si numërues votash. Vëzhguesit rekomanduan që autoritetet ligjzbatuese të hetojnë siç duhet dhe të ndëshkojnë sjellje të tilla ndërsa vlerësuan ankesat e socialistëve si “të besueshme”.

Raporti i zgjedhjeve të vitit 2017, [mund të lexohet këtu], shpreh shqetësime të përgjithshme, bën thirrje për hetimin e aludimeve për blerje votash por nga ana tjetër vlerëson median e larmishme, ndërsa shpreh keqardhje për mungesën e materialeve analitike të publikuara në media, si dhe ankohet për faktin që, para zgjedhjeve, Basha, kreu i PD-së në atë kohë, dhe Rama, kreu i qeverisë, arritën një marrëveshje dhe kjo marrëveshje ndryshoi shumë gjëra pa iu nënshtruar më parë konsultimeve publike me bazë të gjerë që duhen të bëhen në procese ligjvënëse të zakonshme apo të veçanta, siç është rasti i ndryshimit të Kodit Zgjedhor apo Kodit Penal.

Në zgjedhjet e vitit 2021, vëzhguesit nuk lanë pa vërejtur faktin që fushata “nuk kishte gjallëri”, se ajo u përqendrua në sulmet mes udhëheqësve politikë dhe jo në ide, ndërsa vëzhguesit nuk patën ndonjë kritikë shumë të fortë as për ekspozimin, për herë të parë në këtë kohë, të ekzistencës së rrjetit të patronazhistëve të Partisë Socialiste.

Për shkak se raportet e vëzhguesve ishin të kufizuar në kritika për zgjedhjet që nga viti 2013 e deri në zgjedhjet e sotme, interesi për to në mënyrë të natyrshme ra.

Situata filloi të ndryshojë me raportimet e vëzhguesve nga zgjedhjet vendore, fillimisht më 2019 dhe më pas, më 2023.

Damë Audrey Glover është diplomatja britanike e cila ka drejtuar misionin e vëzhguesve në disa raste në Shqipëri, raportet e së cilës kanë qenë veçanërisht të papëlqyera për këdo që ka qenë në qeveri. Në vitin 2009, qeveria e Sali Berishës protestoi ndaj emërimit të saj si drejtuese e vëzhguesve, me argumentin se ajo ishte një nga kritikët e zgjedhjeve të vitit 1996, duke kërkuar pa sukses që dikush tjetër të vihej në krye të vëzhguesve. Ajo vëzhgoi gjithashtu zgjedhjet e vitit 2019, të cilat ishin zgjedhje lokale të organizuara në mënyrë të njëanshme nga qeveria pa praninë e opozitës, e cila bojkotoi duke protestuar kushtet e pabarabarta. Ajo theksoi në këtë rast: “Ne pamë prova se votuesit ishin nën presion nga të gjitha palët”. Dhe gjithashtu, më 2023, ajo kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se nuk ndaloi Ramën që të abuzonte me burimet publike duke shpërndarë bonus për pensionistët para zgjedhjeve, duke e cilësuar argumentimin ligjor të KQZ-së për të mos vepruar si “interpretim formalist” i cili “nuk reflekton frymën e ligjit”. Raportet e Gloverit nga këto zgjedhje janë ato që mbajnë shënim fillesat e problemeve më të mëdha të vërejtura në zgjedhjet e vitit 2025. Media nuk është më si më parë, e larmishme por pa pikëpamje analitike dhe kritike, por vlerësohet si e njëanshme dhe e kontrolluar nga qeveria, (pas zgjedhjeve të vitit 2023). Edhe në këtë rast u bë thirrje që autoritetet të hetojnë, shqetësimi kryesor ishte përdorimi nga socialistët i një programi të quajtur “Aktiv1st”. Hetimet gjithsesi deri më sot nuk duket të kenë nxjerrë ndonjë konkluzion të njohur.

Raporti i të hënës për zgjedhjet e 11 majit, është në fakt më kritiku që mund të lexosh mes raporteve të vëzhguesve që nga zgjedhjet e vitit 2001. Rekomandimi kryesor kësaj here është që “shkeljet të hetohen siç duhet” nga autoritetet përgjegjëse si dhe që, një debat i gjerë me të gjitha segmentet e shoqërisë, të nisë. Se çfarë pasojash  do të ketë kjo për qeverinë, kjo mbetet për t’u parë. Por theksimi në shumë raste se praktikat elektorale të qeverisë “nuk ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare” ka gjasa që nuk do të harrohet lehtë dhe se mundësia që mbi qeverinë të ketë presion për ndonjë proces të ngjashëm me atë që pasoi zgjedhjet e vitit 2001 mundet të pritet.

Në fund fare, siç vëzhguesit theksuan në konferencën për shtyp të hënën, veprimet duhet të ndërmerren këtu, nga shqiptarët.

Etiketa: Dokumenti i KopenhagësEdi RamaFarah KarimiMisioni i vezhguesveOSBE-ODIHRPartia DemokratikePartia SocialisteSali BerishaZgjedhjet e 11 majit
I mëparshmi

Live Blog – Samiti i Tiranës 

Tjetri

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit në foto

Tjetri
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit në foto

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit në foto

balisca

Mozaikë të rinj në qytetin e ‘mozaikëve të harruar’

16:34 | 07/06/2026
revulucioni i flamingove foto nga nensi bogdani

Gjuha e Shqipërisë së re dhe një përgjigje për Mero Bazen

11:55 | 07/06/2026
photo 2026 06 06 20 35 09

“Lufta hibride” si alibi e qeverisë për krizën e besimit dhe mungesën e transparencës

08:32 | 07/06/2026
640 0 1737360265xkushi 919

Dokumenti: Qeveria përgatit transferimin e ishullit të Sazanit te Jared Kushner

15:31 | 06/06/2026
nje protestuese mban ne dore nje pankarte kunder projektit ne zonen e mbrojtur vjose narte. foto nensi bogdani

Revolucioni i Flamingove po raportohet në rrjetet sociale

08:36 | 06/06/2026
716809981 1446800444147550 7673580044016486110 n

Rrëshqitjet e dheut në Durrës rrezikojnë banorët dhe bizneset pranë bregdetit

08:30 | 06/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.