
Pas 40 ditësh në protestë për paga më të larta dhe kushte më të mira pune, minatorët e Spaçit në Mirditë i dhanë fund protestës së tyre, për ta ndjekur konfliktin me kompaninë minerare në rrugë ligjore. Vendimi u mor nga Komisioni i Grevës dhe Këshilli Sindikal, pas një tubimi të zhvilluar në hyrje të rrugës së Spaçit.
Minatorët dhe sindikalistët deklaruan se do ta vijojnë betejën e tyre deri në plotësimin e 10 kërkesave që i janë dorëzuar kompanisë turke “Tete Albania”.
“Duam që grevën ta mbyllim këtu, për t’i hapur rrugë pretendimeve të qeverisë se në kohë greve nuk mund të bëjmë kontrolle. Ne do të vazhdojmë rrugën ligjore dhe punën tonë sindikale pa ndërprerje. Dua t’u falenderoj të gjithëvë për mbështetjen që na keni dhënë në këto 40 ditë të protestave tona,” tha Albert Bushpreni, drejtues i protestës.
Presidenti i Konfederatës së Sindikateve të Shqipërisë, Kol Nikollaj, akuzoi qeverinë dhe insitucionet përgjegjëse për mungesën e mbështetjes ndaj shqetësimeve të minatorëve.
“Dua të them se kjo grevë ka nisur për dinjitet dhe do ngelë gjithmonë në historinë e KSSH dhe punonësjve të Shqipërisë si një rezistence e pashoqe ndaj padrejtësive dhe abuzimit me punonjësit,” tha Nikollaj.
Tubimi u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, të cilët garantuan mbështetje të plotë deri në zgjidhjen e problemeve të minatorëve.
Pas mbylljes zyrtare të protestave, një përfaqësi e minatorëve, të ndërmjetësuar nga kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi dhe deputeti demokrat, Gjin Gjoni, kanë nisur negociatat me kompaninë “Tete Albania” për rikthimin në punë të minatorëve.







