
Policia e Lezhës arrestoi gjatë orëve të natës së të hënës tre persona, të cilët akuzohen për kultivim të bimëve narkotike në një ambient të përshtatur me llamba.
Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Arben Gjergji, 57 vjeç dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç, babë e bir, si dhe Gjon Doda, 59 vjeç, me detyrë punonjës i OSHEE-së.
“Gjatë operacionit të koduar ‘Second Floor’, u zbulua se në katin e dytë të një godine katërkatëshe biznesi në anë të superstradës Lezhë–Milot, ishin përshtatur katër ambiente për kultivimin e bimëve narkotike, të pajisura me llamba ndriçimi”, njoftoi policia.
Arben dhe Arnold Gjergji u arrestuan në flagrancë si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie, ndërsa punonjësit i OSHEE-së, Gjon Doda, akuzohet për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim në kultivim. “Krahas të arrestuarve, materialet i kaluan Prokurorisë edhe për katër punonjës të tjerë të OSHEE-së, shtetasit M. P., A. Gj., E. R. dhe O. T., të cilët po hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre”, njoftoi policia.
Nga kontrolli në ambientet e biznesit u sekuestruan 1064 bimë kanabisi, 960 fidanë në kubikë, 8.8 kg kanabis i tharë, 106 llamba me transformatorë, si dhe një armë zjarri automatike dhe një pistoletë sportive. Ndërkohë, kontrollet në banesat e të arrestuarve zbuluan edhe 180 gramë kokainë, një pistoletë me mulli dhe një pushkë.
Sipas hetimeve paraprake, rezulton se objekti ishte marrë me qira që prej muajit qershor të vitit 2025 dhe ishte përshtatur menjëherë për kultivimin e bimëve narkotike. Policia bëri me dije se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.







