
Një Peter Magyar dukshëm i lodhur, kryeministri i ri i Hungarisë, të shtunën shoqëroi dhjetëra gazetarë – mes tyre edhe korrespondentin e BIRN në Budapest – në një vizitë në ish-Manastirin Karmelit, i cili u rinovua gjatë qeverisjes së Viktor Orban-it dhe u përdor si zyra e tij private.
Rindërtimi i ndërtesave historike në lagjen e Kalasë në Budapest – disa prej të cilave ishin shkatërruar pjesërisht ose tërësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore – ishte pjesë e synimit të qeverisë së mëparshme për të rikrijuar “epokën e lavdishme” të Hungarisë të para luftës. Fillimisht i vlerësuar në 200 miliardë forintë (rreth 500 milionë euro), kritikët pretendojnë se kostoja totale e projektit mund të arrijë deri në pesëfishin e kësaj shume.

Një atmosferë e mbuluar me fshehtësi e ka rrethuar ndërtesën që më parë strehonte Zyrën e Kryeministrit, pasi askush jashtë elitës së partisë Fidesz nuk lejohej ta vizitonte. Vendimi i qeverisë së re të Magyar-it për ta hapur atë për publikun ka kryesisht karakter simbolik, duke sjellë në kujtesë hapjen në vitin 2014 të rezidencës së ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych pranë Kievit – megjithëse aty u zbulua shumë më pak luks, por më tepër një atmosferë kursimi dhe mobilie çuditërisht të parehatshme.
Magyar dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kishin hequr më herët barrierën e vendosur nga qeveria e Orban-it për të mbajtur publikun larg rrugës që kalonte përpara ndërtesës së Zyrës së Kryeministrit. “Nuk duhet të ketë më kordonë në Hungari që ndajnë qeverinë nga populli,” deklaroi Magyar.

Ndërtesa që Orban përdorte si zyrë, fillimisht e ndërtuar si manastir dhe më vonë e përdorur si kazino dhe teatër, ishte menduar fillimisht vetëm si rezidencë e përkohshme pune e tij. Pasi u zgjodh në vitin 1998, Orban kishte në plan Pallatin Sandor aty pranë, por kur u largua nga pushteti në vitin 2002, ajo ndërtesë u bë rezidenca zyrtare e presidentit. I rizgjedhur në vitin 2010, Orban përfundimisht e zhvendosi zyrën e tij në ndërtesën ngjitur të ish-Manastirit Karmelit në vitin 2019.
Pavarësisht atmosferës së fshehtësisë që e rrethon ndërtesën – dhe kostos së rinovimit prej 20 miliardë forintash (52 milionë euro) – brendësia e saj rezultoi në disa pjesë mjaft modeste, duke përfshirë edhe një dhomë gjumi private “si qeli” për Orbanin, me një krevat të vetëm me kornizë metalike.
Megjithatë, biblioteka e veshur me dru dhe një glob gjigant impresionoi shumicën e vizitorëve, ashtu si edhe dhoma e kabinetit, ku karrigia e Orban-it dallonte nga ato të ministrave të tjerë me një kurorë të vogël në pjesën e sipërme të mbështetëses. Në mur ndodhej një hartë e diskutueshme e “Hungarisë historike”, që përfshinte territore si Transilvania në Rumani, Vojvodina në Serbi dhe pjesë të Sllovakisë së sotme.

Më parë, e vetmja pjesë e ish-manastirit e aksesueshme për gazetarët kishte qenë salla e vjetër e teatrit, e përdorur për konferenca shtypi ndërkombëtare. Mediat e pavarura nuk lejoheshin kurrë përtej atij kufiri – veçanërisht jo në tarracën spektakolare dhe kopshtin e brendshëm, që të kujtonin Alhambrën e Spanjës, me shatërvanë, lëndina të mirëmbajtura dhe një statujë të lartë të Virgjëreshës Mari me mbishkrime në shkrim runik hungarez.
Tarraca, ku Orban priste delegacione të huaja – së fundmi zv/presidentin e SHBA-së J.D. Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio – ose pozonte rastësisht me liderë ballkanikë si Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiç, ofron një pamje mbresëlënëse mbi Danub dhe Ndërtesën e Parlamentit.

Më luksoze se rezidenca “si manastir” e Orban-it ishin dy ndërtesa të tjera që kryeministri i ri i Hungarisë ua tregoi mediave, duke shfrytëzuar si mundësinë për të vënë në pah shpenzimet e luksit të qeverisë së mëparshme, ashtu edhe rolin e tij në ekspozimin e tyre para publikut.
“Kjo është bota e Ceausesecu-t hungarez,” shkroi Magyar në Facebook, duke iu referuar familjes së Nicolae Ceaușescu-t, udhëheqësit komunist që sundoi Rumaninë nga vitet 1960 deri sa regjimi i tij u rrëzua në vitin 1989.
Përballë zyrave të Orban-it, një ndërtesë e re strehonte të ashtuquajturën “ministri e propagandës”, të drejtuar nga strategu i fuqishëm i komunikimit i ish-kryeministrit, Antal Rogan – “babai shpirtëror” i fushatave të Fidesz-it, të njohura për retorikën e tyre të ashpër dhe posterat kundër Ukrainës që kanë dominuar fushatat zgjedhore.

Brendësia e saj i ngjante një hoteli me pesë yje, me dhomë për puro, atrium prej xhami, llambadarë, detaje të veshura me ar dhe teknologji moderne. Edhe pse u ndërtua me cilësi të lartë – diçka që nuk mund të thuhej gjithmonë për ndërtimet e mëparshme të epokës Fidesz – ajo u ngrit gjatë viteve të pandemisë COVID-19, kur shumë hungarezë falimentuan për shkak të masave kufizuese.
Ndërtesa është simbol i mënyrës se si qeveria e Orban-it u shkëput nga realiteti i përditshëm dhe problemet e qytetarëve – një shkëputje që, në fund, çoi në rënien e mbështetjes për partinë Fidesz në zgjedhjet e 12 prillit.
Si gjest simbolik – diçka që duket se nuk i mungon qeverisë së re – ndërtesa do të merret në përdorim nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe Familjes, e cila do të drejtohet nga Vilmos Katai-Nemeth, një avokat i verbër dhe mjeshtër i aikidos.
Ndoshta shembulli më i qartë i kësaj shkëputjeje mes qeverisë dhe votuesve të saj gjendet në ndërtesën përballë Kishës së famshme të Shën Matiasit.

E ndërtuar fillimisht për Ministrinë e Financave të Hungarisë para luftës, pjesërisht e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas e përdorur për vite si konvikt universitar, kjo ndërtesë u rinovua në stil luksoz neo-gotik për të strehuar Ministrinë e Brendshme të Orban-it – një “superministri” që përfshin arsimin, çështjet sociale dhe shëndetësinë, sektorë ku mungesat e fondeve ishin aq të mëdha sa thuhet se në tualete mungonin letra higjienike dhe sapun.
Vetë ministria, megjithatë, nuk shfaq shenja të tilla varfërie. Përkundrazi, ajo ka shkallë mermeri, llambadarë kristali e ari dhe ambiente luksoze që mahnitën mbi 300,000 shikues që ndoqën drejtpërdrejt turin e Magyar-it në internet.

Çfarë do të ndodhë tani me ish-zyrën e Kryeministrit mbetet një dilemë për qeverinë. Për momentin ajo do të mbetet e hapur për vizitorët, por nuk është e qartë se kush apo çfarë do të strehohet aty përfundimisht. Vetë Magyar ka deklaruar se nuk do të zhvendoset në lagjen e Kalasë, duke preferuar të mbajë zyrën e tij në qendër të qytetit, në një ndërtesë pranë parlamentit.
Edhe pse Magyar tha se do të preferonte të mos kishte ndërtesa të papërfunduara në lagjen e Kalasë, e cila aktualisht i ngjan një kantieri të madh ndërtimi, askush në qeverinë e re nuk ka ende një ide të qartë për funksionin e shumicës së këtyre strukturave – as për mënyrën se si do të financohet përfundimi i tyre, duke qenë se deficiti buxhetor po i afrohet 7 për qind dhe rritja ekonomike mbetet pranë zeros.








