Nga përkujtimoret e Luftës së Dytë Botërore e deri te përvjetori i masakrave të Srebrenicës dhe ai i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, viti shërbeu për të rikujtuar të kaluarën e dhunshme të Bosnjës dhe një të ardhme të pasigurt.
Një sërë përkujtimore ngjarjesh historike që përfshijnë Bosnjën dhe Hercegovinën, fqinjët e saj dhe të kaluarën e dhunshme të rajonit u shënuan në vitin 2015, duke risjellë në mendje kujtime të dhimbshme dhe emocione të mëdha.
Elitat politike të vendit u angazhuan në reforma në përpjekje për të kthyer krizat financiare dhe të krijonin marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian, por viti u mbyll me një sërë manovrash provokuese nga ana e politikanëve, të cilat kanë shërbyer për të rritur edhe më shumë tensionet ndëretnike.
Barra e historisë
Sezoni i përvjetorëve të mëdhenj në të gjithë ish-Jugosllavinë u hap në prill, kur vendet në rajon shënuan 70 vjet që kur disa të burgosur dolën nga kampi i përqendrimit i Luftës së Dytë në Jasenovac në Kroaci.
Sipas vlerësimeve, të paktën 83,000 njerëz, përfshirë 20,000 fëmijë, vdiqën në kampin e drejtuar nga lëvizja fashiste kroate, Ustashët. Viktimat ishin kryesisht serbë, si edhe romë, hebrenj dhe antifashistët kroatë dhe të tjerë.
Përkujtimi i 70-vjetorit të çlirimit nga burgu i 767 të burgosurve të fundit më 22 prill 1945, një ditë përpara se kampi të mbyllej dhe të burgosurit e mbetur të vriteshin, u shënua veçmas nga kroatët dhe serbët në rajon.
Ky fakt, si dhe deklaratat dhe fjalimet e politikanëve, theksuan se tensionet etnike dhe mosbesimi midis vendeve dhe popujve në rajon janë ende akute.
“Ata u përpoqën të na shfarosnin ne serbët. Por kasapët e bënë shumë keq punën e tyre, sepse serbët mbijetuan dhe mbeten ende në të dyja anët e lumit Drina,” tha kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar kufirit lumit midis Serbisë dhe Bosnjës.
Deklarata e tij, e bërë në një ceremoni përkujtimore në Jasenovac e vërejtur kryesisht me serbë nga Serbia, Bosnja dhe Kroacia në fshatin e Donja Gradina, shkaktoi polemika në të gjithë rajonin.
Tensionet u intensifikuan disa muaj më vonë, ndërsa Bosnja dhe pjesa tjetër e rajonit përgatiteshin për të përkujtuar 20 vjetorin e rënies së Srebrenicës dhe masakrës mëvonshëm të rreth 8,000 boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës.
Një urdhër i lëshuar nga Serbisë për komandantin boshnjak të kohës së luftës të Srebrenicës, Naser Oriç – të cilin shumica e boshnjakëve e shohin si një hero dhe që serbët e konsiderojnë një kriminel lufte – çoi në arrestimin e tij. Tensionet mbetën të larta edhe pasi Zvicra, ku ai u arrestua, e ekstradoi atë në Bosnje, ku ai u lirua, në vend që ta ekstradonte në Serbi.
Tensioni në lidhje me Oriçin ishte një faktor që kontribuoi në trazirat në përkujtimoren e përvjetorit të Srebrenicës, kur mijëra njerëz erdhën për të nderuar ata që vdiqën.
Ndërsa merrte pjesë në ceremoni, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, i cili refuzoi paraprakisht të pranonte se masakrat përbënin gjenocid, u sulmua me shishe nga turma e pranishme dhe u desh të largohej.
Por më pak se dy javë pasi ai u sulmua në Srebrenicë, Vuçiç organizoi një takim me presidencën trepalëshe shtetërore të Bosnjës në Beograd dhe ngjante si një shenjë pajtuese.
“Ne në Serbi duam marrëdhënie të mira me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe kjo është politika jonë afatgjatë dhe nuk do të heqim dorë nga kjo,” tha Vuçiç. “Ne po shikojmë drejt të ardhmes, por kjo nuk do të thotë se do të biem dakord për të gjitha çështjet nga e kaluara.”
Ndërkohë, tensionet midis Serbisë dhe Kroacisë – të cilat gjithmonë kanë implikime për Bosnjën – arritën një kulm të ri në fillim të gushtit, pasi Beogradi dhe Zagrebi shkëmbyen shënimet diplomatike proteste, duke akuzuar njëri-tjetrin për gjuhë urrejtje dhe intolerancë etnike për 20 vjetorin e Operacionin ushtarak Stuhia të Kroacisë.
Të dy vendet shënuan kalimin e dy dekadave që prej ofensivës ushtarake në gusht 1995, kur Kroacia rimori kontrollin e territorit që rebelët serbë të Kroacisë e kishin mbajtur që nga viti 1991.
Si pasojë e ofensivës, 600 civilë kryesisht të moshuar serbë u vranë dhe më shumë se 200,000 serbë u larguan. Përvjetori theksoi perceptimet e ndryshme të Operacionit Stuhia, të cilat kanë qenë prej kohësh një faktor përçarës në marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë.
Kroacia e festoi përvjetorin me një paradë ushtarake në Zagreb dhe një sërë ngjarjesh përkujtimore në Knin, ish-bastion i rebelëve serbë. Serbët përkujtuan humbjen e tyre dhe viktimat me një ditë zie në Serbi dhe në entitetin me shumicë serbe në Bosnjë, Republikën Srpska.
Megjithatë, marrëdhëniet midis Bosnjës dhe Serbisë kanë vazhduar të përmirësohen pasi qeveria serbe dhe ajo boshnjake mbajtën sesionin e parë të përbashkët në fillim të nëntorit në Sarajevë, ku diskutuan bashkëpunimin ekonomik dhe mjedisor.
Ditë më vonë, Vuçiç vizitoi përsëri Srebrenicën për të marrë pjesë në një konferencë për investime, ku ai siguroi mbështetjen serbe për rindërtimin e infrastrukturës, shërbimeve dhe bizneseve të qytetit.
Përvjetorët e vitit u mbyllën me një sërë eventesh që shënonin 20 vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës të viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Reforma ekonomike dhe iniciativa radikale
Konferenca dhe tryeza të shumta të rrumbullakëta reflektuan në të kaluarën dhe të ardhmen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Megjithatë, ngjarjet u eklipsuan pjesërisht nga kriza e refugjatëve në rajon, si edhe nga sulmi terrorist më 13 nëntor në Paris.
Në entitetin e Federatës së Bosnjës, qeveria e re e drejtuar nga biznesmeni Fadil Novaliç – pavarësisht vonesave fillestare në themelimin e saj dhe disa problemeve të hershme – vendosi një kurs të qartë drejt një axhende ambicioze reformuese.
Pavarësisht protestave të sindikatave, qeveria e entitetit në korrik miratoi një ligj të ri pune – një pjesë kryesore në axhendën e reformave dhe një kusht kyç për një mbështetje të re buxhetore nga FMN-ja – dhe përgatiti reforma të mëtejshme.
Zyrtarët ndërkombëtarë thanë se administrata e entitetit të Federatës po bëhej një kampion reformash, gjë e cila u reflektua edhe në përmirësimin e performances ekonomike të Federatës.
Qeveria shtetërore e Bosnjës gjithashtu miratoi një plan veprimi reformues dhe premtoi se do të paraqesë një kërkesë për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Situata u përkeqësua në entitetin tjetër të Bosnjës, Republikën Srpska, ku debatet midis bllokut në pushtet dhe opozitës u intensifikuan.
Ndërsa blloku i opozitës u përqendrua në akuzat për korrupsion dhe mashtrim që përfshinin liderët kryesorë të partive në pushtet, qeveria e Republikës Srpska dhe presidenti i entiteti, Milorad Dodik, radikalizuan gjuhën dhe qëndrimet e tyre.
Në atë që opozita e pa si një përpjekje për t’u kapur pas pushtetit nëpërmjet populizmit, Dodik ndërmori dy iniciativa për referendume të destinuara të sfidonin autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe sistemin gjyqësor shtetëror, të cilat ai i akuzon se janë të njëanshëm kundër serbëve, sidomos në rastet e krimeve të luftës.
Qeveria e Republikës Srpska ndërkohë ndërpreu të gjithë bashkëpunimin me policinë e shtetit dhe organet gjyqësore pasi u zemërua nga një mësymje në ndërtesat zyrtare në entitet nga ana e zyrtarëve të shtetit, të cilët kërkonin prova për ndjekjet penale të krimeve të luftës.
“Ky ishte një provokim i Republikës Srpska dhe mund të kishte çuar në një konflikt,” tha Dodik.
Qeveria e Republikës Srpska madje tha se do të përdorte edhe forcën nëse ishte e nevojshme për të parandaluar policinë e shtetit apo zyrtarët gjyqësorë të hetonin ose edhe të hynin në zyrat e entitetit ose ato komunale.
Boshnjakët shprehën frikën e tyre ndërkohë që referendumi i planifikuar mund të shërbente si një lëvizje drejt një referendumi tjetër, në të cilin Dodik do të kërkonte pavarësinë e plotë të Republikës Srpska nga Bosnja – një lëvizje që ata thonë se do të shkaktonte një përsëritje të luftës së viteve 1992-1995.
Raportimi shtesë nga Denis Dzidic.