Policia e Beratit, bëri me dije se nisi procedimin për tre persona, për veprën penale të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi gjeti një sipërfaqe toke e të dëmtuar në zonën e Poliçanit.
Tre persona u proceduan penalisht nga policia e Beratit, pasi u gjet se kishin dëmtuar dhe prerë një sipërfaqe pylli në Poliçan.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke, në vendin e quajtur “Shullër i Hadajve”, në Poliçan , kanë konstatuar të grumbulluar një sasi lënde drusore, gati për transport, që ishte prerë në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia tha se u gjetën në vend tre persona që pasi kishin prerë sasinë e lëndës drusore e kishin pregatitur për ta transportuar, por u kapën nga policia.
“Shtetasit M. T., 29 vjeç, banues në fshatin Zhitom, L. G., 31 vjeç, banues në Remanicë dhe D. B., 27 vjeç, banues në Velabisht, u proceduan penalisht, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme”, bëri me dije policia e Beratit, në një njoftim për shtyp.
Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit, por prerjet e paligjshme vijojnë.