Sipas zyrtarëve serbë, tifozët shqitarë nuk do të lejohet të shikojnë ndeshjen për Euro 2016 për shkak të rrezikut të madh për dhunë.
Autoritetet e Serbisë njoftuan se tifozët shqiptarë nuk do të lejohet të hyjnë në stadiumin e Beogradit për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë për kampionatin Europian të futbollit të vitit 2016 ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se do të përgjigjet me të njëjtën monedhë duke ndaluar tifozët serbë të vizitojnë Shqipërinë për ndeshjen e kthimit vitin e ardhshëm.
Komisioneri për Sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit FSS paralajmëroi se tifozët shqiptarë mund të përndiqen penalisht në rast se dallohen gjatë ndeshjes në stadium.
“Çdo tifoz shqiptar që vjen në stadium do të hiqet prej aty dhe përndiqet [penalisht]” deklaroi Mirkov.
Vendimi i ndalimit vjen si pasojë e frikës se tensioni mes dy tifozerive mund të përshkallëzohet në dhunë si pasojë e një historie konfliktesh mes serbëve dhe shqiptarëve. Më shumë se gjysma e lojtarëve të skuadrës shqiptare janë nga Kosova.
Por duke sfiduar ndalimin, disa tifozë nga Kosova kanë udhëtuar për në Beograd.
Albert Kastrati, i njohur si Tigri dhe që drejton një nga grupet më të mëdha të tifozëve të Kosovës, Plisat, publikoi fotografi në Facebook të vetes duke shëtitur në rrugët e Beogradit.
Një fotografi tjetër paraqiti tifozë nga Kosova bashkë me tifozë nga Presheva duke udhëtuar drejt Beogradit. Disa të tjerë raportojnë se kanë udhëtuar nga vendet perëndimore me pasaportat e këtyre vendeve për të mbështetur skuadrën kuq e zi në Beograd.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug raportoi se tifozët shqiptarë mund ta ndjekin në heshtje ndeshjen dhe të shmangin ndalimin nga policia në rast se nuk mbartin simbole kombëtare.
Policia e Serbisë ka marrë masa të forta sigurie para ndeshjes. Tri rradhë me policë do të vendosen sonte përreth stadiumit Partizan të Beogradit.
“Policia do të kryejë kontrolle të rrepta dhe të gjithë tifozët do të kontrollohen dy herë,” deklaroi Nikola Popovac nga policia e Beogradit për Tanjug.
“E gjithë ngjarja do të jetë e mbikëqyrur nga kamerat; ne do të përdorim detektorë metalesh, qen kundër eksplozivëve dhe me fjalë të tjera, asgjë nuk do t’i lihet rastësisë,” shtoi ai.
Shqipëria bashkë me Danimarkën udhëheqin Grupin I të fazës kualifikuese të Euro 2014 me katër pikë. Serbia ka një pikë pas një barazimi dhe një humbjeje në dy ndeshjet e para.
Tekniku i Shqipërisë, Italiani Gianni De Biasi i tha gazetës Koha Ditore se skuadra e tij po udhëtonte për fitore në Beograd.
“Serbia është favorite në grup, megjithëse nuk e shfaqi këtë në ndeshjen kundër Armenisë,” tha De Biasi.
“Gjithsesi, ne jemi këtu për t’ia bërë jetën të vështirë të tjerëve përmes cilësive tona në fushë… dhe ne do të luajmë për të fituar,” shtoi ai.