Ish-deputeti i Kuvendit dhe kryetari aktual i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj dështon të kalojë testin e pasurisë për vitin 2011, me një diferencë të pambuluar nga burimet e deklaruara prej 2.4 milionë lekësh.Ndrec Dedaj u zgjodh kryetar i Bashkisë së Mirditës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, si kandidat i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ai e fitoi mandatin e kryebashkiakut me 55% të votave.
Ndrec Dedaj ka përfunduar Akademinë e Rendit Publik dhe ka punuar në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit përgjatë viteve 1992-2001. Në vitin 2001, ai mori drejtimin e policisë bashkiake në Bashkinë e Tiranës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009.
Dedaj u bë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, por e ushtroi mandatin në Kuvendin e Shqipërisë gjatë viteve 2011-2013.
Në vitin 2013, Ndrec Dedaj kryesoi fushatën e Partisë Socialiste në Mirditë dhe pas zgjedhjeve u emërua prefekt i Qarkut të Lezhës. Më 30 prill 2015, ai dha dorëheqjen si prefekt për t’i hapur rrugën karrierës së tij si kryetar i Bashkisë së Mirditës. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryebashkiaku i Mirditës nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryetari i Bashkisë së Mirditës zotëronte pasuri me vlerë 3 milionë lekë në vitin 2004, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij, Dedaj kishte kursime prej 3 milionë lekësh, të cilat në atë kohë i kishte dhënë hua.
Në fund të vitit 2017, pasuria e Z.Dedaj është rritur me 4 herë, duke kapur vlerën e 13 milionë lekëve. Zëri kryesor është pasuria e patundshme me 8.9 milionë lekë, e përfaqësuar nga një apartament dhe një dyqan në Yzberisht të Tiranës.
Kryebashkiaku i Mirditës deklaron gjithashtu kursime të akumuluara në cash prej 3.7 milionë lekësh, likujditete bankare prej 176 mijë lekësh si dhe një hua prej 134 mijë lekësh.
Të ardhurat për periudhën deklaruese kanë qenë 17.7 milionë lekë. Pjesa kryesore e të ardhurave buron nga funksionet publike që Z. Dedaj ka mbajtur nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017 në masën 82%, ndërkohë që 11% e të ardhurave kanë si burim dhurimet.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, nga të cilat njëra prej deklaratave rezulton me probleme.
Më konkretisht, Z. Dedaj e ka deklaruar pasurinë në dy faza; gjatë viteve 2004-2009 dhe pas një shkëputjeje 2-vjeçare është bërë sërish subjekt i ligjit të deklarimit në vitin 2011. Ndryshimet e pasurisë gjatë viteve 2009-2011 nuk justifikohen me burimet financiare të deklaruara nga subjekti, kohë në të cilën ai rezulton me diferencë negative prej 2.4 milionë lekësh.
BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” në këtë analizë huamarrjet dhe huadhëniet e shpeshta të subjektit përgjatë viteve të deklarimit. Ai rezulton të ketë dhënë hua 3 milionë lekë në vitin 2004 dhe të këtë marrë hua 29 mijë euro gjithsej; marrëdhënie financiare këto që rezultojnë përgjithësisht të shlyera deri në fund të vitit 2017.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është marrja dhuratë e një automjeti me vlerë 15 mijë euro në vitin 2011. Ky automjet deklarohet të jetë shitur për 7 mijë euro në vitin 2017.
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al