Megjithëse ka rritur disa taksa të rëndësishme si dhe shpreson për rritje ekonomike mbi 3 për qind, të ardhurat fiskale të qeverisë gjatë dy muajve të parë të vitit qenë zhgënjyese.
Qeveria shqiptare arkëtoi 52.6 miliardë lekë gjatë periudhës janar-shkurt 2015, me një rritje minimale prej vetëm 0.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat pësuan një rritje prej vetëm 0.5 për qind duke qenë shumë poshtë programit buxhetor, i cili këtë vit parashikon rritje të të ardhurave me 13 për qind. Të gjitha tatimet kryesore kanë patur ecuri shumë të keqe.
Shpenzimet e qeverisë pësuan ndërkohë një rritje të konsiderueshme prej afro 6 për qind për këto dy muaj, rritje që u udhëhoq nga shtimi i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes si dhe rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale. Shpenzimet kapitale historikisht rriten në muajtë para zgjedhjeve, gjë që pritet të ndodhë edhe këtë vit para zgjedhjeve të pushtetit vendor.
Ministria e Financave nuk ka dhënë shpjegime se pse ecuria në dy muajtë e parë të këtij viti ka qenë e dobët. Por nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli, qeverisë mund t’i nevojitet një shkurtim shpenzimesh nga mesi i vitit.
Qeveria shqiptare ka një detyrim kontraktual me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të mos tejkaluar deficitin buxhetor përtej një niveli të caktuar. Në janar 2015, qeveria rriti për vitin e dytë rradhazi taksën e qarkullimit, taksë që mblidhet për çdo litër naftë nga 17 lekë që qe më 2014 në 27 lekë. Qeveria rriti gjithashtu akcizën për cigaret nga 90 lekë për paketë në 110 lekë si dhe rriti tatimin mbi të ardhurat personale përveç pagës nga 10 në 15 për qind, me shpresë që kjo rritje taksash do ta lehtësonte rritjen e të ardhurave dhe respektimin e limitit të deficitit. Gjatë vitit 2014, qeveria arriti të realizojë programin e vet të të ardhurave por programet e saj të reformave, përfshirë rritjen e taksave dhe marrjen e një konsulence të huaj, duket se dështuan.