21:30: Ky seksion i raportimit Live për zgjedhjet vendore është mbyllur. Faleminderit që ndoqët në kohë reale zhvillimet për zgjedhjet e14 Majit me Reporter.al.
19:00: PS fiton zgjedhjet në aleancë me ‘non-gratat’, ndërsa opozita braktiset nga votuesit
Me pjesëmarrjen më të ulët historike, Partia Socialiste realizoi fitore të mëdha në të gjithë vendin, e ndihmuar nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit dhe Ornaldo Rakipi. Minimalisht 300 mijë qytetarë nuk morën pjesë në votime, duke sjellë një humbje të thellë për opozitën. [Lexo analizën e plotë]
18:00: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi deklaroi të martën pjesmarrjen zyrtare të votuesve në zgjedhjet e së dielës. Sipas Celibashit, 1.395.360 qytetarë nga i gjithë vendi votuan më 14 maj, duke e vlerësuar pjesmarrjen në 38.22%.
17:00: Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi deklaroi të mërkurën se rezultati i zgjedhjeve të 14 majit në kryeqytet nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Por Këlliçi pranoi gjithashtu se qytetarët e Tiranës nuk iu përgjigjën në shkallën e pritshme thirrjes për ndryshim dhe bëri thirrje për reflektim.
“Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarë. Ky është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve. Asetet publike janë bënë në funksion për të prodhuar këtë rezultat të sotëm. Banorët e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit, që funksionon me presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe propagandë. Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Duhet të reflektojmë, duke nisur nga unë i pari,” tha ai.
14:46: Lezhë: Pas humbjes të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Lezhës, kreu i Rithemelimit në Shënkoll, Luigj Gjoka ka dhënë dorëheqjen. Në një dalje për mediat, ai u shpreh se nuk ka pësuar asnjëherë humbje ndaj do nuk e pranon më këtë post. Gjoka tha se fajtor për rezultatin në Lezhë është Sali Berisha dhe strukturat drejtuese, të cilët sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi.
13:43: Shkodër: Demokratët e humbën bastionin e tyre në Shkodër edhe si forcë politike dhe konkurruan votë më votë me Partinë SocialDemokrate të Tom Doshit. Partia Socialiste doli forcë e parë me 17,963 vota, e ndjekur nga koalicioni Bashkë Fitojmë me 13,177 vota dhe PSD me 12,908 vota. Në vendin e katërt renditet Partia Demokratike zyrtare me 5670 vota. Krahasuar me vitin 2021, Partia e Tom Doshit ka shtuar numrin më të madh të votave, +3100, e ndjekur nga Partia Socialiste me 2115 vota më shumë. Dy fraksionet e Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Parti e Lirisë kanë humbur së bashku 18,926 vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
12:00:Divjakë: Procesi i numërimit për këshilltarët bashkiakë në 67 qendrat e votimit të Bashkisë Divjakë ka nisur me vonesë, për shkak se komisionerët ishin të lodhur dhe pushuan gjatë natës. Numërimi për këshilltarët vazhdon edhe në Fier, ku kanë mbetur edhe 20 QV. Numërimi është mbyllur në Bashkinë e Lushnjes.
Faktori ‘Doshi’, rol kyç në fitoren e Benet Becit në Shkodër
11:00: Në Shkodër, numërimi i votave për Këshillin Bashkiak po fakton rolin kyç të PSD së Tom Doshit në fitoren e Benet Becit të Partisë Socialiste. PSD numëron deri në këto momente 9572 vota, duke siguruar 13 mandate në Këshill, ndërsa progresionet e tregojnë në rritje. Partia Socialiste ka marrë 13 272 vota me 18 mandate të projektuara, ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë ka 9785 vota, duke zhgënjyer edhe në votat për Këshillin. Këto janë të dhënat për 190 QV nga 247 në total.
Surprizë zgjedhore, Fisnik Qosja në avantazh në Kavajë për opozitën
20:00 – Pas numërimit të 65% të qendrave të votimit për bashkinë e Kavajës, kandidati i opozitës Fisnik Qosja ka një avantazh të lehtë prej 360 votash kundrejt kryebashkiakut Redjan Krajli, gjë që e bën garën të hapur. Kutitë e mbetura kanë mjaftueshëm vota për t’i dhënë fitoren si maxhorancës ashtu edhe opozitës. Nëse Qosja triumfon, Kavaja me 66 mijë zgjedhës do të jetë bashkia e vetme e madhe jashtë kontrollit të socialistëve.
18:23: Edhe në Lazarat të Gjirokastrës, Partia Socialiste ka marrë 214 vota kundrejt 923 votave të koalicionit opozitar. Lazarati ka votuar masivisht për Partinë Demokratike në çdo proces zgjedhor, por në këto zgjedhje ka edhe një rënie të numrit të votuesve.
18:15: Përfundon numërimi i votave në Gjirokastër. Kandidati i PS, Flamur Golemi ka marrë mbi 71% të votave ose 6 mijë vota më shumë se rivali i tij, Dorjan Lani. Ky është mandati i dytë për Golemin.
18:10: Durrës: Ende pa përfunduar procesi i numërimit të votave në Bashkinë Durrës, materialet e Qendrave të Votimit përfundojnë rrrugëve. Dhomat e fshehta prej kartoni, lista dhe materiale të tjera që u përdorën për votime shihen të hedhura shkujdesur pranë staduimit “Niko Dovana” në lagjjen me numër 18 në Durrës.
17:50: Gjashtë bashkitë e qarkut të Korçës do të drejtohen nga Partia Socialiste. Pas fitores së Filos në Korçë, u mbyll procesi i numërimit edhe në Pogradec, ku fitoi Ilir Xhakolli me diferencën më të madhe në të gjithë historinë e zgjedhjeve në këtë bashki. Xhakolli mori 17,996 vota kundrejt 8123 votave të kandidatit të opozitës, Zini Tollozhina. Në zgjedhjet lokale të këtij viti, Xhakolli ka 900 vota më shumë se në zgjedhjet lokale të 2019-ës.
17:29: Pjerin Ndreu i Partisë Socialiste do të drejtojë Bashkinë e Lezhës edhe për katër vitet e ardhshme. Ndreu mori 18,189 vota kundrejt 16,278 votave të fituara nga kandidati i opozitës, Pashk Gjoni.
15:23: Bashkia e Mallakastës do të drejtohet edhe katër vitet e ardhshme nga Qerim Ismailaj i Partisë Socialiste. Ai fitoi me 367 vota diferencë nga kandidati i Partisë Demokratike, Agron Kapllanaj, i cili mori 5600 vota. I treti në radhë u rendit kandidati i Bashë Fitojmë, Resmi Shanaj.
15:10: Pas kontestimit të zgjedhjeve lokale nga Berisha, edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cilësoi ato si “narkozgjedhje”.
“Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar,” tha Meta përmes një statusi në Facebook. “Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën,” shkroi Meta përmes një statusi në Facebook.
Ai kritikoi gjithashtu edhe ditën e zgjedhjeve me zhbërjen e identifikimit elektronik dhe presionin sipas tij që drejtorët e administratës ushtruan në qendrat e votimit.
“Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit. Narkozgjedhjet i nxorrën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër. Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta,” shtoi Meta, duke theksuar se liria dhe e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të mbahet peng.
14:36: Kandidati i opozitës në Shkodër, Bardh Spahia denoncoi fitoren e Partisë Socialiste në Shkodër si “pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista” përmes një statusi në Facebook.
“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë,” shkroi Spahia pas humbjes dramatike të bashkisë së Shkodrës.
14:27: Tension në KZAZ nr.15 në Kurbin, pas përplasjes fizike mes dy vëzhguesve të kampeve të kundërta politike. Procesi i numërimit është ndërprerë prej 60 minutash, ndërsa i nevojit ndërhyrja e policisë për të normalizuar situatën.
13:45: Tiranë: Në njësinë nr.8 në Tiranë, numërimi i votave po rifillon pas një ndërprerjeje. Përfaqësuesit e koalicionit opozitar u ankuan se Partia Socialiste po e vononte numërimin në këtë njësi të njohur dikur si bastion i së djathtës në Tiranë.
13:40: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi konfirmoi të hënën në mesditë se procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 34 bashki të vendit, ku po vijon numërimi i votave për këshillin bashkiak. Celibashi shtoi se në disa KZAZ ka bllokim të numërimit, duke veçuar bashkinë e Kavajës. “Ka një problematikë të vërtetë, pasi ka konflikt mes komisionerëve,” tha Celibashi për Kavajën.
13:30: Sali Berisha, kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e konsideroi procesin zgjedhor një “farsë elektorale” të hënën si dhe denoncoi atë që ai e konsideroi dhunim të zgjedhjeve.
“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe e oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë,” tha Berisha.
“Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga Alfa te Omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner,” shtoi ai.
12:30: Kuçovë: Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste fiton bashkinë e Kuçovës. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi ngriti akuza për manipulim të votave të qytetarëve.
11:37: Kryebashkiaku socialist, Sotiraq Filo do të drejtojë bashkinë e Korçës edhe për 4 vitet e ardhshme. Filo fitoi me 20,996 vota kundrejt 13,631 votave të fituara nga Ledina Aliolli e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
11:34: Albert Mëlyshi i koalicionit opozitar fiton bashkinë e Mirditës me 6355 vota kundrejt Ndrec Dedaj i Partisë Socialiste që mori 5140 vota.
Rënie dramatike votuesish në Vlorën socialiste
11:31 – Kandidati i Partisë Socialiste Ermal Dredha fitoi me 70% të votave në një bashki ku të dielën votuan vetëm 25% e popullsisë.
Vlonjatët shënuan një rekord të ri mospjesëmarrjeje në zgjedhje ndërsa ata që votuan, mbështetën në masën 70% kandidatin e Partisë Socialiste Ermal Dredha. Në Vlorë në zgjedhjet për kryetar bashkie u hodhën 41 mijë vota, gati 20 mijë më pak se sa në zgjedhjet e vitit 2021. Nga këto, 7 mijë vota më pak u hodhën për Partinë Socialiste ndërsa kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Hysni Sharra mori të dielën gati 8,800 vota më pak se sa në zgjedhjet e vitit 2021.
Socialistët kanë qeverisur Bashkinë e Vlorës që prej dekadash, ndërsa numri i votuesve është pakësuar, besohet si pasojë e emigrimit masi. Megjithatë, rezultati i tyre në popullsinë e mbetur është rritur. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte vetëm 25%.
11:20: Malësi e Madhe: Procesi i numërimit të votave është ndërprerë prej dy orësh, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Socialiste akuzojnë numëruesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zvarritje të procesit. Ata kanë njoftuar KQZ dhe janë në pritje të një vendimi.
11:13: Maliq: Gëzim Topçiu i Partisë Socialiste drejt mandatit të shtatë në Bashkinë e Maliqit. Në 65 kuti të numëruara nga 76 gjithsej, Topçiu ka marrë 11311 vota kundrejt 5491 votave të marra nga Alfred Gega i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Diferenca mes dy kandidatëve është 5820 vota.
11:00: Patos: Fatjon Duraj i Partisë Socialiste fiton bashkinë e Patosit me diferencë të thellë nga dy kandidatet e opozitës.
10:40: Himarë: Alfred Beleri, kandidati në qeli i koalicionit “Bashkë Fitojmë” fiton me 19 vota diferencë bashkinë e Himarës. Beleri mori 3837 vota kundrejt 3818 votave të fituara nga Jorgo Goro i Partisë Socialiste.
10:18: Pukë: Rrok Dodaj, kandidati i koalicionit opozitar fiton bashkinë e Pukës me 3480 vota kundrejt 2507 votave që shkuan në favor të kryebashkiakut aktual, Gjon Gjonaj. “Nga sot, Puka dhe njësitë e saj i dhanë vetes dimensionin kuptimplotë të lirisë, pasi ndëshkuan me votë arrogancën si model drejtues,” tha Dodaj pas përfundimit të procesit të numërimit.
10:09: Mallakastër: Kur janë numëruar gjysma e kutive të votimit, në garën për bashkinë e Mallakastrës kryeson kandidati i Partisë Demokratike, Agron Kapllanaj me 2500 vota, i ndjekur nga Qerim Ismailaj i Partisë Socialiste. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë ka marrë 270 vota.
10:06:Devoll: Edhe në bashkinë e Devollit, kandidati i Partisë Socialiste, Eduard Duro kryeson me rreth 500 vota. Socialistët nisin festën dy kuti larg mbylljes së procesit të numërimit.
9:30 – Klos – Ka përfunduar numerimi i votave në bashkinë Klos, ku ka rezultuar fituese Valbona Kola e PS, ndaj Bedri Hoxhës të BF me 967 vota diferencë.
9:15 – Mat – Në bashkinë Mat deri më tani janë 31 kuti të numeruara nga 49 gjithsej. Agron Malaj i PS ka marre 5976 vota dhe Skënder Gjuci i BF 2941
9:00 – Përmet- Eshte mbyllur numërimi në bashkinë Permet. Alma Hoxha e PS është shpallur fituese me 3940 vota, ndërsa Edmond Komino i koalicionit Bashkë Fitojmë, ka marrë 962 vota.
8:50 – Këlcyrë -Eshtë mbyllur numërimi në bashkinë Kelcyrë. Klement Ndoni i PS ka fituar me 2806 vota, kundrejt Arjan Kasaj, i koaliconit Bashkë Fitojmë me 1936 vota.
8:40 -Dropull – Në Dropull Partia Socialiste ka mundur të fitojë me 81.25% të votave. Kandidati i PS, Dhimitër Toli ka siguruar 3709 vota, një diferencë kjo e lartë votash kundrejt “Bashkë Fitojmë”, ku Thanas Maneka ka marre 679 vota dhe Kosta Garo nga Nisma Thurje 177 vota
8:30 – Eshte mbyllur numërimi në bashkinë Libohovë. Leonard Hide i PS ka fituar me një rezultat të ngushtë ndaj Adil Xhelili i kolaiconit Bashkë Fitojmë.
8:18 – Has – Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Myftar Dauti ka fituar zgjedhjet në Bashkikë Has.
8:00– Qeveria drejt fitores plebishitare në zgjedhjet vendore
07:46 – Ndërsa janë numëruar rreth një e katërta e kutive, kandidatët e maxhorancës socialiste duken në avantazh në 54 bashki të vendit ndërsa opozita udhëheq në shtatë bashki të vogla. Lexo më shumë këtu:
Garë votë për votë në Bashkinë Himarë
07:09 – Ndërsa janë numëruar gjysma e kutive të votimit, në bashkinë e trazuar të Himarës rezultati është tepër i ngushtë për të kuptuar se në cilën anë po shkon fitorja. Pas numërimit të kutisë së 18 nga 36, kandidati i Partisë Socialiste Jorgo Goro, i cili kërkon një mandat të katërt në postin e kryetarit, ka 142 vota më shumë se sa kundërshtari i tij i burgosur, Fredi Beleri, i cili garon për Koalicionin Bashkë Fitojmë. Situata në Bashkinë Himarë sugjeron se votat e mbetura mund ta kthejnë rezultatin në favor të Belerit.
Bashkia e re Himarë është krijuar e gerrimanderuar në vitin 2015, duke i bashkëngjitur dy njësive bregdetare, Lukovë dhe Himarë, njësinë malore të Horë-Vranishtit. Në pesë nga gjashtë kutitë e numëruara në Horë-Vranisht, kandidati i qeverisë Jorgo Goro ka fituar në masën 86% ndërsa në njësinë Himarë, ku janë numëruar shtatë nga tetëmbëdhjetë kuti, Beleri ka fituar 68% të votave. Në Lukovë gara duket më e barabartë ku në 6 nga 12 kutitë e numëruara udhëheq Goro me 54%.
Himara është njësia më e madhe e bashkisë me rreth 60% të votuesve të regjistruar.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve nën akuzën e blerjes së votave. Sipas policisë së Vlorës, një i infiltruar prej saj provokoi Belerin, i cili oftoi një shumë parash për blerjen e disa votave në fshatin Dhërmi. Ai është aktualisht nën masën e sigurisë arrest me burg.
6:58: Roskovec, Numërimi drejt fundit në bashkinë e Roskoveci. Mbeten per t’u numerur edhe 7 kuti dhe kryeson Majlinda Bufi e PS-së me 400 vota, kundrejt Erdit Hazizaj te Bashkë Fitojmë.
Jorgo Goro në avantazh në Vranisht, Beleri në avantazh në Himarë
Ora 3:45 – Beteja për bashkinë bregdetare të Himarës është ende në fillesa pasi janë numëruar vetëm 7 nga 36 qendra votimi. Nga rezultati i detitanishëm, kryebashkiaku aktual Jorgo Goro ka marrë 67% të votave, por pesë nga shtatë kutitë e numëruara i përkasin njësisë Horë-Vranisht, ku socialistët kanë fituar 86% të votave. Në Himarë, ku janë numëruar vetëm dy kuti nga 18, Beleri ka marrë 65% të votave ndërsa Goro 35%. Nga njësia Lukovë nuk ka ende qendra të numëruara.
Analiza/Infografik
Në Kamëz, socialistët fituan gati 7 mijë vota më shumë, opozita humbi 10 mijë vota
Ora 3:32 – Rezultatet finale të Bashkisë Kamëz, ku votimi u krye me mjete elektronike, tregojnë se kandidati i Partisë Socialiste Rakip Suli arriti të fitojë 6,377 vota më shumë se sa pati marrë Partia Socialiste në këtë bashki në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe absolutisht rezultatin më të mirë në histori për PS-në, në atë që deri dje njihej si bastion i së djathtës. Ndërsa pjesëmarrja në votime ra në Kamëz nga 52 në 44%, votat për socialistët u rritën nga 21 mijë në gati 28 mijë ndërsa votat për partitë opozitare ranë nga 29 mijë në 18 mijë. Në finale, kandidati i Bashkë Fitojmë Arjan Hoxha fitoi pak më shumë se 16 mijë vota ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Biblil Bajraktari mori 2 mijë vota.
Në zgjedhjet për këshillin bashkiak, bie në sy se Partia Socialdemokrate e Tom Doshit siguroi dy poste anëtari. Partia Socialiste do të ketë 19 anëtarë në këshillin me 41 vende ndërsa Bashkë Fitojmë do të ketë 11 mandate. Partia Demokratike merr 3 mandate.
Kjo është lista e anëtarëve të ardhshëm të Këshillit Bashkiak Kamëz:
1 | Stuart Leka |
Fryma e Re Demokratike |
2 | Zamira Jaka |
Fryma e Re Demokratike |
3 | Fatmir Kurpalaj | Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë |
4 | Munir Shehu |
Partia Demokratike |
5 | Mimoza Lusha | Partia Demokratike |
6 | Havzi Ahmati | Partia Demokratike |
7 | Enver Buci |
Bashkë Fitojmë |
8 | Zelihe Troci | Bashkë Fitojmë |
9 | Faik Basha | Bashkë Fitojmë |
10 | Xhuljana Elezaj | Bashkë Fitojmë |
11 | Preng Marku | Bashkë Fitojmë |
12 | Edlisanda Çali | Bashkë Fitojmë |
13 | Alfred Halilaj | Bashkë Fitojmë |
14 | Valentina Llani | Bashkë Fitojmë |
15 | Bardhok Osmani | Bashkë Fitojmë |
16 | Arlinda Tafa | Bashkë Fitojmë |
17 | Shkëlqim Kosiqi | Bashkë Fitojmë |
18 | Nazif Sulaj |
Partia Lëvizja e Legalitetit |
19 | Hajri Hoxha | Partia Republikane |
20 | Nazmi Çerpja |
Partia Socialdemokrate |
21 | Valbona Nika | Partia Socialdemokrate |
22 | Jamdiella Çipa |
Partia Socialiste e Shqipërisë |
23 | Halil Koloshi | Partia Socialiste e Shqipërisë |
24 | Merita Prenga | Partia Socialiste e Shqipërisë |
25 | Sefedin Ahmati | Partia Socialiste e Shqipërisë |
26 | Nexhmie Rama | Partia Socialiste e Shqipërisë |
27 | Ismail Shehu | Partia Socialiste e Shqipërisë |
28 | Zamira Gorçe | Partia Socialiste e Shqipërisë |
29 | Durim Cani | Partia Socialiste e Shqipërisë |
30 | Almira Dina | Partia Socialiste e Shqipërisë |
31 | Edmond Driçi | Partia Socialiste e Shqipërisë |
32 | Xhensila Durrsi | Partia Socialiste e Shqipërisë |
33 | Hysen Koldashi | Partia Socialiste e Shqipërisë |
34 | Diturie Koçi | Partia Socialiste e Shqipërisë |
35 | Farudin Tarja | Partia Socialiste e Shqipërisë |
36 | Pranvera Lica | Partia Socialiste e Shqipërisë |
37 | Ermir Shahini | Partia Socialiste e Shqipërisë |
38 | Fabiola Braha | Partia Socialiste e Shqipërisë |
39 | Nertil Sallo | Partia Socialiste e Shqipërisë |
40 | Anisa Sela | Partia Socialiste e Shqipërisë |
41 | Zadush Cira |
Aleanca Liberale e Djathtë |
Leonidha Papa, kandidati i PD-së zyrtare pretendent për kryebashkiak
Ora 2:53 – Ish-kryetari i organizatës Omonia, e cila përfaqëson minoritetin grek, është duke luftuar me rezultat të ngushtë për postin e kryetarit të Bashkisë së Finiqit në Shqipërinë e jugut përballë kandidatit të partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen Romeo Çakuli dhe kandidatit të Bashkë Fitojmë Leonidha Hristo. Çakuli, i cili më herët ka qenë nënkryetar i Bashkisë Sarandë, gëzon mbështetjen e Partisë Socialiste dhe të kryebashkiakut aktual Kristo Kiço, i cili është edhe kryetar i partisë MEGA. Kundërshtari i tij nga Bashkë Fitojmë Leonidha Hristo ka qenë më parë kryetar i bashkisë Finiq në vitet 2015-2019 për palën tjetër, si përfaqësues i partisë MEGA, ndërsa tani ka ndryshuar krah duke kandiduar për PBDNJ dhe opozitën. Deri tani janë numëruar vetëm 11 nga 50 qendrat e votimit të Finiqit, një bashki rurale e krijuar për minoritetin grek në Shqipëri. Papa ka një avantazh të lehtë me 36.5% të votave përballë 35.8% të kandidatit Romeo Çakuli të maxhorancës.
Partia Demokratike zyrtare ka garuar kandidatë në 13 bashki, nga të cilat, në të gjitha nuk duket se është pretendente me përjashtim të Mallakastrës dhe Finiqit. Në Mallakastër janë numëruar vetëm 3 nga 50 qendra votimi dhe për rrjedhojë, nuk mund të dallohet një tendencë fillestare.
Veliaj në avantazh me 56% të votave
Ora: 02:42 – Ndërsa janë numëruar 6% e kutive të votimit në Bashkinë Tiranë, kryebashkiaku aktual rezulton se ka fituar 56% të votave në përpjekjen e tij për një mandat të tretë, përballë pesë kandidatëve të tjerë. Sfidanti kryesor Belind Këllicci ka marrë 33% të votave ndërsa kandidati Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë 4.7%. Kandidati i Partisë Demokratike zyrtare Roland Bejko ka marrë 4.8%.
Tendenca, 36 bashki PS, 10 Bashkë Fitojmë, 1 Partia Demokratike
Ora 02:36 – Sipas të dhënave fillestare nga një numër shumë i vogël kutish votimi të numëruara në bashki të ndryshme Partia Socialiste është në avantazh në 36 bashki të vendit ndërsa koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë është në avantazh në 10 bashki. Partia Demokratike është në avantazh në bashkinë e Finiqit ndërsa në 14 bashki numërimi nuk ka nisur ose ka nisur në një numër tepër të vogël qendrash votimi për të treguar tendencë. PS është në avantazh në disa bastione të demokratëve, përfshirë Shkodrën, ndërsa në Kamëz rezultati është shpallur si fitore e PS-së.
PS merr 85% të votave në pesë kutitë e para në Vlorë
Ora 02:23 – Bashkia e Vlorës ka votuar gjithmonë socialistët, por në zgjedhjet e së dielës duket se do të tejkalohet çdo pritshmëri. Sipas rezultatit nga 5 qendrat e para të votimit, kandidati i PS-së Ermal Dredha ka marrë 85% të votave ndërsa kandidati i opozitës Hysni Sharra ka marrë më paj se 15%. Në Vlorë ka 226 qendra votimi.
Ora 02:13 – Kjo është tendenca zgjedhore e bashkive kryesore
Tiranë – PS
Vlorë – PS
Lezhë – Bashkë Fitojmë
Shkodër – PS
Elbasan – Fiton PS
Kamëz – Fiton PS
Korçë – PS
Lushnje – PS
Tropojë – PS
Has – Bashkë Fitojmë
Kukës – Rezultat i ngushtë
Pukë – Bashkë Fitojmë
Mirditë – Bashkë Fitojmë
Mat – Bashkë Fitojmë
Bulqizë – PS
Klos – PS
Peqin – PS
Rrogozhinë – Bashkë Fitojmë
Belsh – Bashkë Fitojmë
Gramsh – PS
Cërrik – PS
Skrapar – PS
Poliçan – PS
Mallakastër – Rezultat i ngushtë
Selenicë – PS
Fier – PS
Tepelenë – PS
Këlcyrë – PS
Memaliaj – Bashkë Fitojmë
Devoll – PS
Socialistët në disavantazh në kutitë e para në Lezhë
Ora 01: 58 – Kandidati i opozitës Pashk Gjoni, mjek në qytetin e Lezhës, është në avantazh të dukshëm në kutitë e para për këtë bashki, pasi janë numëruar 5 nga 126 qendra votimi. Gjoni ka marrë 63% të votave kundrejt kryebashkiakut aktual Pjerin Ndreu të Partisë Socialiste. Lezha pati votuar opozitarët PD dhe LSI në shumicë në zgjedhjet e vitit 2021. Lexo më shumë reportazhin, ose profilin.
Arif Tafani në disavantazh për mandatin e gjashtë si kryebashkiak i Belshit
Ora 1:46 – Kryebashkiaku jetëgjatë i qytezës së Belshit dhe i bashkisë Belsh në zonën e Dumresë në Shqipërinë qendrore, Arif Tafani, gjendet në disavantazh përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë Bedri Qypi. Në Belsh janë numëruar 7 nga 40 qendrat e numërimit. Qypi ka 55% të votave ndërsa Tafani ka 45%. Qypi ka qenë kryetar i komunës Fierzë, një nga njësitë përbërëse të Belshit, nga viti 2007 deri në vitin 2015.
Festime Mjeshtri udhëheq në Bulqizë në kutitë e para
Ora 01:36 – Kandidatja e Partisë Socialiste Festime Mjeshtri ka marrë 72% të votave në 3 nga 49 kutitë e bashkisë së Bulqizës, përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë Dëfrim Fiku. Mjeshtri nuk ka një jetëshkrim të publikuar online. Ajo garon pasi kryebashkiaku i mëparshëm socialist u arrestua nga SPAK.
Eriselda Sefa në avantazh në kutitë e para në Lushnje
Ora 01:31 – Kandidatja socialiste për kryetare të bashkisë së Lushnjes ka marrë 56% të votave në 8 kutitë e para. Lushnja është një bashki e madhe me 105 mijë votues. Në total janë 156 qendra votimi. Përballë Sefës garon Eduart Sharka, një ekspert bujqësie.
Kryebashkiaku i PS Agron Malaj udhëheq në garën për Matin
Ora 01:26 – Në pesë kutitë e para të numëruara, Malaj ka marrë 67% të votave ndërsa kandidati i opozitës Skënder Gjuci ka marrë 33%. Bashkia e Matit ka votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2021.
Erjon Isai i PS-së udhëheq në garën për Kolonjën
Ora 1:23 – Kryebashkiaku aktual ka marrë 66% të votave në pesë kutitë e para të numëruara nga 28 qendra votimi të bashkisë së Kolonjës. Kandidati i opozitës Et’hem Lumani ka 34% të votave deri tani.
Opozita udhëheq në kutitë e para në Rrogozhinë
Ora 1:20 – Kandidati i Bashkë Fitojmë në Rrogozhinë Shkëlqim Hoxha është në avantazh në 4 nga 55 qendrat e votimit të numëruara deri tani. Hoxha ka marrë 53% të votave kundrejt 47% të kryebashkiakut aktual Edison Memolla.
Opozita në avantazh në Fushë-Arrëz
Ora 01:17 – Kandidati i Bashkë Fitojmë në Fushë-Arrës Hil Curri kryeson me 58% të votave kundrejt kryebashkiakut aktual Fran Tuci të Bashkisë Socialiste ndërsa janë numëruar 3 nga 16 qendra votimi. Socialistët kanë humbur zgjedhjet në nivel bashkie në Fushë-Arrëz në vitin 2021. Lexo më shumë:
Kandidati i opozitës në avantazh në kutitë e para në Peqin
Ora 01:13 – Kandidati Mustafa Pashja ka marrë 55.6% të votave kundrejt 44.4% të Bukurosh Maçit nga Partia Socialiste në garën për bashkinë e Peqinit në Shqipërinë e Mesme. Deri tani janë numëruar 7 nga 46 qendra votimi. Peqini ka qenë një krahinë kryesisht simpatizuese me opozitën, por prej një dekade, “faktori çam” ka sjellë një përmbysje në rezultat. Lexo më shumë:
Rezultatet e para në Tiranë, Veliaj në avantazh me 61% të votave
Ora 01: 05 – Në tetë kutitë e para të numëruara në Tiranë, kryebashkiaku aktual kryeson me 61% të votave ndërsa kandidatët e tjerë janë si vijon: Këlliçi i Bashkë Fitojmë, 28%, Roland Bejko i Partisë Demokratike 5%, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, 3.8%, Marko Dajti 2% dhe Lajla Përnaska 0.6%. Në Tiranë ka 941 qendra votimi.
Socialistët fitojnë bashkinë e Pustecit
Ora 00:58 – Kryebashkiaku aktual Pali Kolefski fitoi zgjedhjet në bashkinë e Pustecit në Liqenin e Prespës pasi fitoi mbi 60% të votave. Pusteci është bashkia e minoritetit maqedonas në Shqipëri dhe ajo ka 4,364 votues të regjistruar. Lexo më shumë mbi historikun zgjedhor të kësaj bashkie këtu:
Adriatik Zotkaj në avantazh për mandatin e gjashtë
Ora: 00:36 – Në garë kundër dy kandidatëve, kryebashkiaku Zotkaj, i cili fitoi mandatin e parë në vitin 2003, ka siguruar gati 78% të votave në katër kutitë e para nga 22 kuti që ka bashkia e vogël në qarkun Berat. Kandidati i Partisë Demokratike Florian Qama ka marrë 14% ndërsa Behar Xhaferaj nga Bashkë Fitojmë ka marrë 8% të votave. Lexo më shumë mbi zgjedhjet në Poliçan këtu:
Kandidati i maxhorancës në avantazh në kutitë e para në Devoll
Ora 00:30 – Kryebashkiaku aktual i Devollit Eduart Duro është në avantazh me 52% të votave kundrejt kandidatit të opozitës Elvis Hajdërlli në bashkinë e Devollit, ndërsa janë numëruar vetëm 4 nga 49 kutitë e votimit. Devolli konsiderohet tradicionalisht si një bashki e djathtë. Lexo më shumë:
Bashkë Fitojmë në avantazh në kutitë e para në Mirditë
Ora 00:27 – Kandidati i opozitës Albert Mëlyshi udhëheq me 53% të votave përkundrejt kryebashkiakut aktual Ndrec Dedaj të Partisë Socialiste. Janë numëruar vetëm 2 nga 48 kuti votimi në bashkinë që në vitin 2021 pati votuar opozitën me rezultat të thellë.
Bashkë Fitojmë udhëheq në kutitë e para në bashkinë Has
Ora 00:24 – Kandidati i opozitës Miftar Dauti udhëheq me 57% të votave në tre kutitë e para të bashkisë së Hasit, e cila ka në total 28 kuti. Hasi ka pasur pjesëmarrje të lartë sot ndërsa në vitin 2021 i dha fitore të thellë partive opozitare PD dhe LSI.
Partia Socialiste udhëheq në dy kutitë e para në bashkinë Tropojë
Ora 00:18 – Kandidati i maxhorancës në bashkinë e Tropojës Rexh Byberi udhëheq me 58% të votave kundrejt kandidatit të opozitës Bashkë Fitojmë Besnik Dushaj në dy kutitë e para në Bashkinë Tropojë. Në Tropojë janë edhe 38 kuti për t’u numëruar. Byberi ka qeverisur bashkinë përgjatë katër viteve të fundit. Dushaj ka qeverisur në periudhën 2015-2019. Që të dy kanë qenë kryekomunarë të Partisë Demokratike për shumë kohë para krijimit të bashkisë së madhe.
Kandidati i opozitës kryeson në kutitë e para në bashkinë Memaliaj
Ora 00:12 – Ndërsa janë numëruar shtatë nga 27 kuti, kandidati i opozitës Albert Malaj, një ish-ushtarak, kryeson me 54% të votave kundrejt 46% të kandidatit Gjolek Guci të Partisë Socialiste.
Vorë, Ornaldo Rakipi shfaqet krahas Erion Veliajt në festën e fitores (Infografik)
Me një pjesëmarrje prej 3 mijë votash më pak, Partia Socialiste siguroi 72% të votave ndërsa kandidati i Bashkë Fitojmë mori vetëm 26%. Në zgjedhjet për këshill, PS fiton gjysmën e votave, Bashkë Fitojmë 16%.
Partia Socialiste arriti të fitojë shumicën dërrmuese të votave të bashkisë së Vorës, duke përmirësuar rezultatin në krahasim me vitin 2021, ndërsa kandidati i opozitës Indrit Hoxha mori rezultatin më të keq në histori për të djathtën.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shfaq krahas kryebashkiakut të Vorës Blerim Shera dhe deputetit socialist Orlando Rapiki, i biri i Aqif Rakipit, ish-deputetit të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsin madhor dhe krime elektorale.
Partia Socialiste i bëri thirrje vazhdimisht votuesve të mos mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha sepse ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Kjo dukshëm nuk vlen në rastin e Rakipit.
Në zgjedhjet për këshill, Partia Socialiste mori 13 nga 21 mandatet e anëtarëve të këshillit Vorë, ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë mori 4 mandate. Partia Agrare Ambientaliste fitoi dy mandate ndërsa Partia Republikane dhe partia Fryma e Re Demokratike morën nga 1 mandat secila.
Me një pjesëmarrje prej 3 mijë votash më pak, Partia Socialiste siguroi 72% të votave ndërsa kandidati i Bashkë Fitojmë mori vetëm 26%. Në zgjedhjet për këshill, PS fiton gjysmën e votave, Bashkë Fitojmë 16%.
Partia Socialiste arriti të fitojë shumicën dërrmuese të votave të bashkisë së Vorës, duke përmirësuar rezultatin në krahasim me vitin 2021, ndërsa kandidati i opozitës Indrit Hoxha mori rezultatin më të keq në histori për të djathtën.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shfaq krahas kryebashkiakut të Vorës Blerim Shera dhe deputetit socialist Orlando Rapiki, i biri i Aqif Rakipit, ish-deputetit të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsin madhor dhe krime elektorale.
Partia Socialiste i bëri thirrje vazhdimisht votuesve të mos mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha sepse ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Kjo dukshëm nuk vlen në rastin e Rakipit.
Në zgjedhjet për këshill, Partia Socialiste mori 13 nga 21 mandatet e anëtarëve të këshillit Vorë, ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë mori 4 mandate. Partia Agrare Ambientaliste fitoi dy mandate ndërsa Partia Republikane dhe partia Fryma e Re Demokratike morën nga 1 mandat secila.
Rezultati final në Vorë
9:23 –Partia Socialiste fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Vorës pasi kandidati i saj arriti të marrë rreth 800 vota më shumë nga sa PS kishte marrë në vitin 2021. Pjesëmarrja në Vorë ra me 3 mijë vota ndërsa kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë mori vetëm 26% të votave, mbi 3 mijë më pak nga sa PD dhe LSI kishin marrë bashkë në vitin 2021.
Pjesëmarrja e ulët ndëshkon opozitën në Elbasan, Kamëz dhe Vorë
20.53 – Partia Socialiste rifitoi zgjedhjet në tre bashkitë ku votimi u krye me mjete elektronike, duke thelluar rezultatin kundrejt opozitës, pas një pjesëmarrjeje shumë të ulët.
Gedjan Llatja do të vijojë të jetë kryetar i Bashkisë Elbasan ndërsa Blerim Shera do të jetë sërish kryebashkiak i Vorës e Rakip Suli do të mbajë postin e kryetarit të Bashkisë Kamëz pasi pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e së dielës duket se ndëshkoi kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë në këto bashki. Rezultatet e pjesshme i japin Sulit 60% të votave dhe Llatjas 55% ndërsa Shera fitoi me shifrën e pabesueshme prej 74%. Rezultati final pritet më vonë pasi faqja e KQZ pasqyron shumicën por jo të gjitha qendrat e votimit.
20:40: Elbasan: Gledian Llatja pritet të drejtojë bashkinë e Elbasanit edhe për një mandat tjetër, pasi fitoi 55% të votave sipas rezultatit paraprak të numërimit elektonik të shpallur nga KQZ. Rezultati i shpallur nga KQZ përmban 150 kuti votimi nga 224 gjithsej.
20:36: Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njëherazi bashkëdrejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” deklaroi pas mbylljes së procesit të votimit se “monizmi ka marrë një goditje të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë”. Meta shprehu mirënjohje për qytetarët që votuan në kushtet sipas tij të presioneve të të gjitha llojeve nga pushteti.
“Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ. Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari,” tha Meta përmes një statusi në Facebook.
20:30: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi deklaroi për mediat se pjesmarrja në votime në rang vendi ishte 34.37%, por theksoi se ky rezultat u përkiste vetëm qendrave që kanë raportuar në mënyrë elektronike. Celibashi tha se ishin parandaluar 1094 tentativa për votim të dyfishtë dhe se një numër i konsiderueshëm votuesish kishin ngatërruar qendrën e votimit. “Nga 62 QV janë konstatuar shkelje përsa i përket materialeve propagandistike pranë këtyre qendrave, nga 30 qendra është raportuar për votim familjar,” tha Celibashi. Ai shtoi gjithashtu se në 10% të qendrave është përdorur lista manuale e identifikimit të zgjedhësve.
20:20: Shkodër: Kandidati i koalicionit “Bashke Fitojmë”, Bardh Spahia falenderoi komisionerët dhe qytetarët që e kanë mbështetur me votë. “Të gjitha të dhënat tona tregojnë për një fitore bindëse. Qytetarët të shohin nga 4- vjeçari i ardhshëm, i cili do sjellë zhvillim nga Velipoja deri në Malësinë e Dukagjinit,” tha Spahia.
20:15: Himarë: Procesi i votimit në bashkinë e Himarës u mbyll rreth orës 19:00 me një pjesmarrje paraprake prej 34%. Komisionerë të qendrave të votimit thanë se procesi ka qenë i qetë dhe vonesat e para me identifikimin elektonik u tejkaluan gjatë ditës. Disa autobusë me emigrantë erdhën nga Greqia për të votuar dhe u larguan rreth orës 14:00. Por pati edhe nga ata banorë të Himarës që preferuan të qëndronin në plazh, pa marrë pjesë në procesin e votimeve.
20:13: Berat: Kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore mbërrijnë nga qendrat e votimit pranë KZAZ nr: 65, që ndodhet në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” në Berat.
20:08: Tiranë: Kryeministri Edi Rama nuk i ka komentuar ende zgjedhjet e së dielës, por zgjodhi të shprehë entuziazëm përmes një fotoje në Facebook:
19:59: Bulqizë: Procesi i votimit u mbyll pa incidente në Bulqizë, ndërsa kutitë e votimit por transferohet drejt KZAZ-së.
19:53: Tiranë: Ish-kryeministri, Slai Berisha, falenderon votuesit për pjesëmarrjen.
“Falenderim për ata që e kthyen këtë ditë në ditë të historisë. Ata votuan në QV në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, në mënyrën më të civilizuar, me guxim, me vendosmëri,” tha Berisha.
“Ata kapërcyen mbi konglomeratin, i oligarkëve të shpifur dhe bandave kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër procesit, por një pjesëmarrje ndër më të denjat për qytetarët në të katër anët e vendit,” shtoi ai.
19:40: Në Gjirokastër janë mbyllur votimet dhe kutitë po transportohen në qendrat e numërimit.
19:39: Kukës.Vazhdon ardhja e kutive nga QV-te e qytetit dhe te fshatrave perreth. Dorëzimi i tyre po bëhet në pranine e forcave të shumta të policisë. Ndërkohë që dorëzimi i kutive po asistohet nga vëzhguesit afat shkurtër te ODIHR
19:37: Nis dorezimi i kutive në Fier në KZAZ 59, që numëron votat e njësive administrative Topoje, Dermenas dhe Qender
19:35: Regjistrohen 7964 votues në zgjedhjet për bashkinë Himarë. Kutitë nga qendra e parë e votimit ka mbërritur në KZAZ.
19:33: Lezhë. Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi Salavador Kaçaj. 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën. Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.
Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte shtetasi Salavador Kaçaj, ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin.
Në lidhje me kallzimin e shtetasit Salavador Kaçaj, shërbimet e Policisë kanë njoftuar menjëherë Prokurorin si dhe nën drejtimin e tij, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
19:30: Mbyllet procesi i votimit në të gjitha qendrat ne Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nis mberritja e kutive te votimit nëpër KZAZ.
19:26: Kukes. Vijne kutite e para. Vetëm 20 minuta pas mbylljes se procesit votimit ne KZAZ nr.11 të Bashkisë së Kukësit kanë mbritur kutitë e para. Ato janë të fshatit Breg Lumë të Njësisë Administrative të Tërthores
19:23: Berat: Përfundon proçesi i votimit në KZAZ me numër 65 të Bashkisë së Beratit në 117 Qendrat e Votimit. Nuk raportohet shtyrje e afatit të votimit në dy KZAZ-të e kësaj bashkie.
19:15: Mbyllen votimet në dy qendra votimi në shkollën Vasil Kamami në Elbasan.
19:13: Elbasan. Votues të vonuar vazhdojnë të votojnë në qendrat e votimit në Elbasan. Ku votimet janë vonuar për shkak të votimit elektronik. Pjesëmarrja në qendrën 2361/1 është vetëm 33 përqind sipas komisionit.
19:00: Mbaron afati zyrtar i votimit në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
18:55: Durrës: Votimi në Qendrat e Votimit në Durrës po shkon drejt mbylljes pa incidente gjatë orëve të fundit, duke respektuar orarin zyrtar të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 19:00.
18:40: Elbasan: Janë minutat e fundit të votimit dhe në qendrën ku ndodhet KZAZ 50 në shkollën Jorgji Dilo kanë votuar 400 persona nga 970 që janë në lista.
18:38: Elbasan: Votimet në njërën prej makinerive në qendrën e votimit 2373/1 u bllokuan pasi një votuese u ankua se vota në printer ishte e ndryshme nga ajo që kishte zgjedhur. Votimi në këtë kuti u bllokua në mesditë, por më pas u rifillua deri në orën 18.00, kur incidenti u përsërit. Anëtarët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në komision dyshojnë se makineria nxjerr vota për rivalin, ndërsa ata të Partisë Socialiste këmbëngulin se bëhet fjalë për defekt teknik të printerit.
18:25: Berat: Në orën e fundit të kohës zyrtare për të votuar vihet re një pjesmarrje e ulët votuesish. Në Qendrat e Votimit me numër 3270 dhe 32 70/1 të KZAZ nr: 65 nuk ka qytetarë të pranishëm dhe nuk parashikohet të ketë shtyrje të orarit për të votuar.
18:17: Vlorë: Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në Vlorë, Hysni Sharra u bëri thirrje qytetarëve vlonjatë që të ushtronin masivisht të drejtën e tyre të votës. “Vlora dhe vlonjatët nuk intimidohen nga kërcënimet, presionet dhe asnjë tentativë tjetër që përdor regjimi për të ndryshuar atë që tashmë po vjen, ndryshimin e madh,” tha Sharra.
18:10: Tropojë: Zgjedhjet në bashkinë e Tropojës kanë kaluar pa incidente. Sipas nënkryetarit të KZAZ nr.09, Kujtim Rexha, gjatë këtyre zgjedhjeve nuk është regjistruar ndonjë incident dhe procesi ka qenë i qetë. “Deri në orën 18:00 janë paraqitur pranë QV-ve për të votuar rreth 9 mijë zgjedhës nga 22 mijë që janë në listat e votimit, pra kemi një pjesmarrje me rreth 41%,” tha Rexha.
18:09: Durrës: Në Qendrat e Votimit nr. 1423/1, 1424, 1424/2 dhe 1422/1 në Nishtullë të Durrësit, personat pa mjet identifikues si pjesë e qendrave ishin gati sa gjysma e personave të autorizuar brenda QV-ve. Ata shoqëronin votuesit që vinin si familje dhe i orientonin në qendrën e votimit, duke i pyetur edhe nëse kishin nevojë për transport. Megjithëse kishte punonjës të dedikuar, u lejua votimi familjar me pretendimin se kishin nevojë për orientim. E njëjta gjë ndodhi edhe kur shoqëruesi nuk kishte lidhje gjaku, për çifte të moshuarish që u sollën të votojnë.
18:00 : Pjesëmarrja bie në 35%, ndërsa palët i bëjnë thirrje mbështetësve të votojnë
Shqiptarët duket se po refuzojnë të marrin pjesë në votime në mënyrë masive të dielën, ku në krahasim me vitin 2021, ka një rënie në masën 9% për të dhënat deri në orën 17. Lexo më shumë këtu:
18:03: Gjirokastër: Konsulli i Përgjithshëm grek në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis ishte një nga vëzhguesit e sotëm në Gjirokastër.
18:00: Tiranë: Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi deklaroi se problematikat me identifikimin elektronik e kanë cenuar procesin, por ai tha që impakti i këtij problemi është zero në procesin zgjedhor. Të dhënat e KQZ tregojnë se nga raportimi i 4497 Qendrave të Votimit deri pasdite tregojnë për 31.42 përqind pjesëmarrje. Sipas Celibashit, kanë votuar 998.633 mijë votues të identifikuar nga PEI. Nga kjo shifër, 93.86% janë identifikuar elektronikisht, ndërsa 7% janë identifikuar me kartë identiteti, pasi nuk ka qenë e mundur të bëhet identifikimi me shenjë gishtash. Komisioneri tha se ka pasur 927 raste për tentativë të votimit të dyfishtë, që janë parandaluar nga sistemi. Celibashi e vlerësoi procesin normal duke u bazuar në numrin e denoncimeve nga subjektet zgjedhore e qytetarët. KQZ ka marrë 29 denoncime gjithsej, 3 janë nga Partia Socialiste, 1 nga Koalicioni Bashkë Fitojmë dhe të tjerat janë denoncime nga qytetarët në platformën elektronike të KQZ-së.
17:36: Kukës:E veçanta e këtyre zgjedhjeve në bashkinë e Kukësit është edhe votimi i shqiptarëve të Kosovës, që janë rezidentë në këtë qytet. “Janë rreth 300 persona që kanë fituar shtetësinë dhe janë të regjistruar në listat e zgjedhesve në bashkinë e Kukësit”, tha për “BIRN” Rezart Hoxha, nëpunës i Gjendjes Civile në bashki. Njëri prej personave që ka shtetësinë shqiptare dhe është i regjistruar në Kukës është edhe drejtori i kufirit nga Gjakova, Kolonel Nexhmi Krasniqi. “Unë bashkë me 12 qytetarë të tjerë nga Kosova kam shfrytëzuar të drejtën për të votuar në Kukës, aty ku jam edhe rezident. Është një e drejtë që ma jep Kushtetuta e Shqipërisë dhe nuk kam pse t’a humb,” tha ai. Sipas Krasniqit, janë rreth 150 persona që kanë konfirmuar pjesmarrjen në zgjedhjet e 14 majit në Kukës. Edhe në bashkinë e Hasit janë të regjistruar rreth 90 shqiptarë të Kosovës, por nuk ka të dhëna se sa kanë votuar.
17:30: Shkodër: Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia bëri një thirrje të fundit pasditen e së dielës për qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e votës. Spahia deklaroi gjithashtu se kishte sinjalizime që persona me rekorde kriminale qëndrojnë pranë qendrave të votimit – veçanërisht në Velipojë dhe në rrethina.
17:20: Kukës: Procesi zgjedhor vazhdon i qetë në Kukës gati dy orë nga mbyllja e kutive të votimit. Sipas Agron Hoxhës, kryetar i KZAZ nr.11 në bashkinë e Kukësit, pjesmarrja deri në orën 16:00 ishte rreth 20 mijë zgjedhës ose 43% e numrit total të tyre. “Janë përhapur lajme jo vetëm në media për parregullsi, por pas verifikimit ato nuk kanë rezultuar ashtu siç janë interpretuar,” tha Hoxha. Kryetari i KZAZ-së parashikon se pjesëmarrja në votime në këto zgjedhje nuk do i kalojë 50%, madje më pak se kjo shifër. Këto rezultate sipas Hoxhës janë për 73 qendra votimi, ndërkohë që KQZ-ja në faqen e saj nga 40 QV ka raportuar një pjesmarrje deri në orën 16:00 me 46.87%.
17:10: Berat: Kryetari i PD-së, Shyqyri Durro denoncoi në një prononcim për mediat rastin e dyshuar të një votimi të dyfishtë në Berat. Durro tha se një gruaje i ka dalë emri dy herë, çka tregon sipas tij “votim të dyfishtë”.
16:55 – Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës deri në orën 16:00 raportohet në masën 32%. Në të njëjtën orë në vitin 2021 patën votuar 41% e zgjedhësve.
16:51: Elbasan: Procesi i votimit në dy qendrat e vendosura në shkollën “Sali Ballkoçi” në Labinot Fushë bëhet në kushte të vështira. Kutitë dhe komisionerët janë vendosur në një koridor të ngushtë, duke e bërë të vështirë ruajtjen e fshehtësisë së votës.
16:46: Elbasan: Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për të larguar nga Qendra e Votimit shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit. Por policia deklaroi se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij. Gjithashtu në QV nr. 2373 në lagjen “Partizani”, komisioni ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre. Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit.
16:40: Elbasan: Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1 në Mengel të Elbasanit ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa dokument identifikimi. Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
16:20: Tiranë: Partia Socialiste denoncoi të dielën te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi për thyerje të heshtjes zgjedhore. Përmes sekretarit për çështjet ligjore dhe zgjedhore, Eridian Salianji, Partia Socialiste kërkoi marrjen e masave për Këlliçin dhe Boçin për shkelje të nenit 77 të Kodit Zgjedhor. Sipas ankesave, të dy kandidatët e kanë lidhur apelin e pjesmarrjes në votime me premtimet e tyre elektorale.
16:02, Shkodër: Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith inkurajoi të dielën qytetarët shqiptarë që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të bëjnë që “zëri i tyre të dëgjohet”. Ambasadori King-Smith dhe ekipet e monitorimit të Ambasadës Britanike u shpërndanë në zona të ndryshme në të gjithë Shqipërinë për të vëzhguar procesin e votimit dhe numërimit. Stafi i Ambasadës i është bashkuar gjithashtu ODIHR-it, organizatës ndërkombëtare që monitoron zgjedhjet vendore.
16:01: Konispol: Policia e Sarandës njoftoi arrestimin e një 37-vjeçari dhe procedimin në gjendje të lirë të bashkëshortes së tij, pasi dyshohet se fotografuan fletët e votimit. Komisariati i Policisë Sarandë ishte njoftuar nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit. Sipas njoftimit, 37-vjeçari dhe bashkëshortja e tij akuzohen për shkelje të fshehtësisë së votës.
15:51: Durrës: Procesi i votimit në Sukth vijon i qetë. Në Qendrën e Votimit nr. 1360, deri në orën 15:50 kishin votuar 204 persona nga 819 të regjistruar në listat zgjedhore. Ndërsa në Qendrën e Votimit nr. 1360/1, nga 800 presona të regjistruar në lista deri më tani kanë votuar 200 banorë të Lagjes “Stallë”. Ndryshe nga shumë qendra, aty nuk lejoheshin personat e paautorizuar dhe pajisja “PEI” kishte funksionuar pa probleme. Komisionerët theksuan se ka rënie të numrit të votuesve dhe listuan si shkaktarin kryesor emigracionin.
15:00: Vlorë: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim po vëzhgon procesin zgjedhor nga Vlora. “Kam qenë në Nivicë, Selenicë, këtu. Jam duke ndjekur edhe situatën në Himarë dhe do të jem e pranishme në shumë qytete të tjera. Natyrisht që jam një nga vëzhgueset e shumta në këto zgjedhje,” tha Kim. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës. “Askush nuk duhet të blejë vota dhe askush nuk duhet të shesë vota,” tha ambasadorja amerikane.
14:58: Kuçovë: Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në Kuçovë, Lefter Maliqi deklaroi të dielën se procesi i votimit po ecën normalisht. Maliqi denoncoi megjithatë drejtoreshën e mjedisit se po shoqëronte votuesit brenda një qendre votimi në fshatin Lumas. Mbrëmjen e së shtunës, Maliqi denoncoi gjithashtu raste të dyshuara të shit-blerjes së votës.
14:47: Korçë: Policia e Korçës deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se po kryhen verifikime në lidhje me një denoncim të kandidates së opozitës, Ledina Aliolli për intimidim votuesish nga ana e administratës si dhe për incidentin e ndodhur në fshatin Zvezdë, ku është përfshirë deputeti demokrat, Edmond Spaho. Policia deklaroi se Aliolli dhe Spaho ishin thirrur për të dëshmuar në komisariat dhe kishin dhënë të dy deklarimet e tyre. Materialet i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Korçës.
14:30: Bulqizë: Procesi i votimit në Bulqizë deri në orën 14:00 ka vijuar i qetë dhe pa probleme. Pjesmarrja e votuesve është e ulët dhe luhatet mes 15 deri në 18 për qind.
14:28: Berat: Ndryshe nga qyteti, njësitë administrative të Beratit kanë një përqindje më të lartë votuesish. Kryetari i Zonës së Administrimit Zgjedhor Numër 66, Ferik Koçi tha se deri në orë 14:00 kanë votuar 24% e votuesve.
14:25: Himarë: Kandidati i Patisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Jorgo Goro ftoi qytetarët që nuk kanë votuar ende të shprehin vullnetin e tyre në kutitë e votimit. Goro i mohoi akuzat e Dules për intimidim të votuesve.
14:15, Tiranë: Kreu i koalicionit Bashkë Fitojmë, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe i inkurajoi ata se vota e tyre do të mbrohet nga opozita. “Garantojmë qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narko-administrata është e destinuar që të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë,” tha Berisha.
14:10: Tiranë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi rrjeshtoi një numër problematikash të identifikuara në procesin e votimit deri në mesditë. Ai tha se 502 qendra votimi vijojnë të mos kenë në funksion pajisjen e identifikimit elektronik të votuesve. Probleme të tjera të raportuara nga administrata zgjedhore ose të denoncuara në KQZ janë; dëmtim i kutive të votimit në Devoll, ndërprerje e energjisë në disa QV, mungesë fletësh votimi në Peqin dhe Fier.
14:08: Berat: Në zgjedhjet për bashkinë e Beratit, pjesëmarrja raportohet e ulët deri në orën 14:00. Pranë KZAZ-së me numër 65, ku po administrohet procesi për qytetin e Beratit bëhet me dije se shumë qytetarë ende nuk kanë votuar.
13:52: Tiranë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi i kërkoi Policisë së Shtetit që të marrë masa që të largojë personat e paautorizuar që qëndrojnë në ambjentet e Qendrave të Votimit. “Prania e personave të paautorizuar është intimidim dhe presion ndaj votuesve. Policia e Shtetit të adresojë këtë shqetësim dhe të marrë masat që të boshatisë qendrat, të largojë personat që nuk kanë arsye të qëndrojnë,” tha ai. Celibashi shtoi se denoncimet për këtë problematikë kanë ardhur për 7 qendra votimi në Tiranë e Durrës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
13:48: Elbasan: Manushaqe Kushi, kryetare e komisionit në qendrën e votimit 2350/0 në godinën e Fakultetit Ekonomik në Elbasan dhe kolegu i saj, Ilirjan Pepa, kryetar në qendrën 2350/1 i thanë BIRN se 10 përqind e votuesve kanë pasur nevojë për asistencë nga operatorët apo familjarët për të kryer votimin elektronik. Kushi tregoi procesverbalet e mbajtura për çdo rast. Një votues 80 vjeç, në qendrën 2350/1 iu deshën 10 minuta të votonte me asistencën e operatores që qëndronte përballë makinerisë.
13:40: Shkodër: Gjykata e Shkodrës liroi 3 punonjësit e bashkisë, të akuzuar për ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor. Ergys Ivziku, Mhill Volaj dhe Petrit Dyli u lanë në masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje” nga gjyqtari Albert Keraj.
13:33: Durrës: Qytetarët në Durrës raportojnë që boja e përdorur për të shenjuar gishtin para procesit të votimit mund të fshihet lehtësisht, duke cënuar një nga elementët e sigurisë zgjedhore.
13:24: Dibër: Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës, Rrahim Spahiu u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë. “Rëndësi ka procesi, që të jetë i qetë dhe i rregullt,” tha Spahiu.
13:11: Himarë: Megjithëse kanë kaluar disa orë nga nisja e procesit të votimit në qendën e votimit 4588 në Kzaz nr: 88 Himarë, qytetarë të shumtë qëndrojnë në rradhë për të votuar.
13:05: Has: Deri në orën 12:00 kanë votuar 4496 zgjedhës ose 25% e numrit prej 16543 zgjedhësish që janë në listat e votimit të bashkisë së Hasit. Por “de facto”, pjesëmarrja llogaritet në 50% të popullsisë rezidente deri në mesditë. Përfaqësuesit e KZAZ në Has bëjnë me dije se shumë emigrantë kanë udhëtuar nga Londra për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit. “Pjesëmarrja e lartë do të thotë ndryshim,” thotë për BIRN Sahit Jaku, nënkryetar i KZAZ nr.10 të bashkisë Has, i cili përfaqëson Partinë Demokratike zyrtare. Por kryetari i KZAZ që përfaqëson PS, Met Tobli mendon ndryshe. “Në Has jo gjithnjë pjesëmarrja e lartë ka sjellë ndryshimin. Në ndonjë rast ka ndodhur e kundërta”, thotë Tobli.
12:58: Mirditë: Shtabi elektoral i kandidatit të opozitës në Bashkinë e Mirditës, Albert Melyshi, denoncoi prezencën e kandidatit socialist, Ndrec Dedaj nëpër qendra votimi, në shkelje të Kodit Zgjedhor.
12:58: Durrës: Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 1428/2, në Spitallë të Durrësit ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit. Pas ndërhyrjes së policisë, sipas njoftimit të saj për mediat, ata janë larguar dhe votimi ka vijuar i qetë. Nga vëzhgimi i BIRN, në këtë qendër gjendeshim grupe me mbi 30 persona nga të dyja kampet politike, që qëndronin në hyrje të Qendrave të Votimit. Përfaqësues të opozitës denoncuan se zyrtarët lokalë qëndronin aty për të intimiduar zgjedhësit.
12:57: Elbasan: Votimi elektronik ka lehtësuar komisionerët në Shijon të Elbasanit, por votuesit e moshuar kanë kërkuar asistencën e familjarëve. Komisionerët e të dy palëve duken të dakorsësuar me situatën. Qendra e votimit mbledh tre fshatra, ka 726 votues dhe deri në orën 12:45 kanë votuar 160 persona. Në 2021 votuan gjithsej 349 persona.
12:50: Tiranë:Përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në KQZ, Altin Kaziaj i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të jetë prezent në perimetrin e Qendrave të Votimit për të larguar sipas tij, persona që po intimidojnë votuesit.”Po cënohet rëndë e drejta e votes,” tha Kaziaj. Ai deklaroi gjithashtu se pranë qendrave ka prezencë të shtuar të administratës së bashkisë, por shtoi se po mbledhin të dhënat për t’i bërë publike.
12:45: Tiranë: Zëdhënësja e koalicionit opozitar në Tiranë, Silvi Bardhi denoncoi praninë e njerëzve të paautorizuar që orientojnë votat pranë qendrave të votimit. “Ka një prezence të pajustifikuar njerëzish këtu, që nuk janë as votues, as pjesë e procesit. Janë thjesht në rolin për të bërë presion e ndikuar votuesit,” tha ajo. Bardhi i bëri thirrje KQZ-së dhe Policisë së Shtetit të ndërhyjnë për të vendosur normalitetin në këto qendra votimi dhe u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht.
12:42: Durrës: Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara votoi në mesditë i shoqëruar nga bashkëshortja, djali dhe vajza. Cara ftoi të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës ‘për familjet e tyre, për Durrësin dhe të ardhmen”. “Unë jam optimist që Durrësi më në fund do t’i kthehet qytetarëve. Data 15 do të jetë data e fitores së madhe për të gjithë durrsakët,” tha Cara.
12:37, Tiranë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se pjesmarrja në rang vendi deri në orën 12:00 është 18.94%. Pjesmarrja është raportuar nga 2678 qendra votimi nga 5213 gjithsej. Sipas KQZ-së, deri në orën 12:00 kanë votuar 365,191 votues nga 1,927,666 votues gjithsej në listat e qendrave që kanë votuar.
12:33: Elbasan: Në shkollën “Mahir Domi” në Elbasan, reporterja e BIRN vëzhgoi raste të lejimit të votimit familjar. Elbasani është një nga tre bashkitë ku po pilotohet votimi elektronik, së bashku me Vorën dhe Kamzën.
12:11: Elbasan: Në një qendër votimi në shkollën “Hamit Mullisi”, operatorët ndihmojnë votuesit që të votojnë në shkelje të Kodit.
12:08: Durrës: Komisionerë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në shkollën “Hajdar Dushi”, pjesë e KZAZ-së nr. 23 në Durrës,kërkuan nga komisionerët e Partisë Socialiste që të mos shpërndanin informacione për numrin e votuesve. Sipas tyre, komisionerët e majtë mbajnë shënim votuesit dhe njoftojnë persona të paautorizuar për emrat e pjesëmarrësve në zgjedhje. Sipas tyre, situata përsëritet edhe në KZAZ-të e tjera.
12:00: Himarë: Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule deklaroi për mediat se në qendrat e votimit ka persona të fortë që po shantazhojnë qytetarët. “Punonjës të Kadastrës së Himarës shantazhojnë jashtë qendrave ata që s’kanë marrë ende lejet,” tha ai. “Policia nuk po bën detyrën, kanë braktisur qendrat e votimit, nuk na përgjigjen,” shtoi Dule.
12:00: Maliq: Kryetari aktual i bashkisë, Gëzim Topçiu akuzoi deputetin Edmond Spaho se po orienton votuesit me forcë në fshatin Zvezdë. Të dyja palët pretendojnë se ka presion për orientim votuesish.
11:59: Has: Prej orës 10:30 është bllokuar votimi në QV nr.0528/00 të fshatit Vranisht, Njësia Administrative Fajza e Bashkisë Krumë. Për pasojë janë krijuar grumbullime të njerëzve që presin të votojnë para qendrës së votimit. Fadil Mazreku, kryetar i QV i tha BIRN se procesi është bllokuar që nga ora 10:30 pasi nuk punon sistemi i identifikimit të votuesve “PEI”. “Në bazë të udhëzimeve qe kemi marrë dhe trainimeve të kryera nëse sistemi nuk rregullohet duhet të presim tre orë dhe më pas të mbajne proces verbal për të kaluar në proces manual”, thotë për “BIRN” Mazreku.QV nr. 0528/00 ka të regjistruar 869 votues.
11:56: Shkodër: Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia u bëri thirrje organeve të rendit që të marrin masa ndaj ‘intimidimit të votuesve’. “Kemi sinjalizime për intimidim të votuesve, jo vetëm sot por edhe gjatë fushatës,” tha Spahia. I pyetur për arrestimin e punonjësve të bashkisë, Spahia e quajti ngjarjen “inskenim që do të zbardhet shumë shpejt”.
11:49: Tiranë: Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 11:00 tregojnë se pjesmarrja ishte 13.59%. Kjo pjesmarrje është llogaritur nga informacioni i marrë nga 2691 qendra votimi nga 5213 qendra gjithsej.
11: 38: Tiranë: Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj votoi së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe shprehu shqetësim për ‘avaritë me identifikimin elektonik’. “Ftesa për të gjithë qytetarët që mund të jenë dekurajuar, sidomos ata që janë më në moshë dhe kanë dalë që në 7 apo 8 të mëngjesit është të kthehen në kutitë e votimit,” tha Veliaj.
11:35: Berat: Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Beratit, Ervin Demo sapo ka votuar në QV 3272 në Berat. Pas votimit, Demo deklaroi se procesi është duke vijuar pa probleme, por me disa parregullsi në identifikimin biometrik. Në lidhje me denoncimin e kandidatit të koalicionit “Bashkê Fitojmë”,Ervin Demo tha se ‘pretendimet e tyre janë të inskenuara’.
11:34: Fier: Eriselda Zotaj Çelaj, kandidate e Partisë Demokratike për Bashkinë e Fierit u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votime. Problematikat me identifikimin elektronik sipas saj janë zgjidhur dhe procesi vazhdon normalisht.
11:30: Gjirokastër: Policia kufitare e Gjirokastrës ka regjistruar 4452 qytetarë të ardhur në Kakavijë nga Greqia dhe 1400 qytetarë në dalje në 24 orët e fundit. Ardhja nga Greqia për votime duket më i ulët se në zgjedhjet e mëparshme.
11:19: Fushë Krujë: Në qendrën e votimit nr: 1302/1, një votues ka debatuar me anëtarin e komisionit të Qendrës së Votimit dhe për radhën dhe e ka goditur atë me grusht. Komisioni ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, e cila ka shpallur në kërkim shtetasin me inicialet O.H.
11:17: Fier: Edvar Kodheli, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Fierit denoncoi praninë e grupeve të minorenëve që orientojnë votuesit në hyrje të qendrave të votimit. “Kam bërë denoncim pranë grupeve të vëzhguesve të OSBE dhe KQZ,” tha ai, duke shtuar se do të ishte vetë në terren për të verifikuar çdo rast.
11:08: Vlorë: Armando Cakrani nga shtabi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Vlorë akuzoi Partinë Socialiste se po tenton të prishë procesin. “Procesi po zhvillohet në shkelje të vendimit të orës 9:00 të KQZ-së. Partia Socialiste po tenton të proshë procesin. Janë në panok, po sjellin me detyrim personat për të votuar,” tha ai duke u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të lirë.
11:07: Elbasan: Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann bëri thirrje nga Elbasani që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë politikën më e mirë për 4 vitet e ardhshme të qeverisjes vendore. “Gjërat deri tani kanë shkuar qetë. Urimi im për sot sa më shumë zgjedhës të shkojnë të votojnë dhe dita të vijojë kështu pa probleme,” tha ajo. E pyetur mbi deklaratën e kandidatit opozitar, Luçiano Boçi, se ka presion për administratën, ambasadorja e BE tha se nesër OSBE/ODIHR del me një raport për gjetjet për zgjedhjet që po mbahen sot. “Jam e lumtur që OSBE të ketë ekip vëzhgues këtu dhe kanë ndjekur situatën. 10 ditë më parë, OSBE/ODIHR nxori raportin paraprak për gjetjen e tanishme. Do presim nesër për konferencën e tyre pas zgjedhjeve për të parë gjetjet e tyre,” tha ajo.
10:57: Këlcyrë: Posta e policisë së Këlcyrës ka shoqëruar dy punonjëse të Zyrës së Ndihmës Ekonomike, pas një kallëzimi të shtetasit me incialet A.B se i kishin ofruar punë djalit të tij në këmbim të votës. Dosja është referuar në prokurori, ku ka nisur procedimi penal për të dy punonjëset e administratës.
10:56: Gjirokastër. Raportohen probleme me pajisjen e identifikimit në rreth 25 qendra votimi. Probleme ka pasur në 5 qendra në Libohovë, në 4 qendra në Telepelenë, në 4 qendra në Memaliaj dhe në 12 qendra në Dropull. Votimi ka vijuar manualisht.
10:54: Durrës: Në Qendrat e Votimit, si ajo në qendër të qytetit me nr. 1501/1, raportohet për probleme teknike, si mungesa e karikimit të pajisjes “PEI” dhe funksionimit të kamerave regjistruese. Nga 759 votues në këtë qendër, deri më tani kanë votuar 75 persona, kryesisht të moshës së tretë.
10:52: Elbasan: Kandidati i koalicionit opozitar, Luçiano Boçi në Elbasan deklaroi pas votimit se problemi kryesor ka qene pajisja PEI, e cila sipas tij nuk ka funksionuar në shumë zona. “Eshtë raportuar, është pritur ora 10:00 dhe më pas identifikimi është bërë manual,” tha Boçi. Ai denoncoi gjithashtu presionin që sipas tij po i bëhet administratës për leximin dhe sigurinë e votës. “Dua të siguroj të gjithë votuesit që vota nuk lexohet,” tha Boçi.
10:45: Tiranë: Në daljen e parë për mediat të dielën, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se KQZ nuk ka informacion nga 533 qendra votimi nëse janë vendosur në punë pajisjet e identifikimit biometrik.
“Nuk kemi informacion nëse pajisjet funksionojnë plotësisht apo pjesërisht apo identifikimi po bëhet manualisht,” tha ai.
Sipas Celibashit, në 4464 qendra identifikimi i zgjedhësve po bëhet në rregull, ndërsa në 205 qendra pajisja funksionon, por nuk ka informacion në kohë reale nga sistemi për ecurinë e votimit. Sipas tij, problemi është teknik.
10:44: Durrës: Qytetarët raportojnë vështirësi për të votuar si pasojë e mosfunksionimit të pajisjes “PEI” dhe identifikimit elektronik, i cili del nga funksioni herë pas here dhe komisionerët i udhëzojnë qytetarët që të shkojnë përsëri për të votuar pas 30 minutash.
10:39. Tiranë: Kandidati i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori votoi në mëngjes në qendrën 1729 pranë Liceut Artistik në Tiranë. Jashtë qendrës së votimit, Qori u bëri thirrje qytetarëve të merrnin pjesë masivisht në votime.
10:37: Kolonjë: Kandidati i opozitës, Ethem Lumani e quan të turpshëm incidentin e ndodhur me kryebashkiakun aktual, Erion Isai. “Erion Isai më ka fyer me fjalorin më banal. Kam 37 vite mjek dhe më njohin të gjithë. Kur shkova aty ka qenë duke fyer disa persona te tjerë dhe unë kam hyrë për t’i ndarë. Duhet të më jetë falenderues dhe jo te shkonte të bënte denoncim,” tha ai. Edhe Isai ngriti akuza ndaj rivalit të tij, duke deklaruar për mediat se ngjarja dëmtonte Kolonjën. “Ngjarja është e turpshme, sepse fushata ka qenë qytetare. Nervozizmi tregon panik,” tha ai.
10:30: Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci votoi mëngjesin e së dielës dhe i shmangu komentet politike. “Kemi folur shumë gjatë fushatës. Sot është një ditë e rëndësishme për Shkodrën,” tha ai.
10:29: Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Beratit, Zija Ismaili, sapo ka votuar në QV 3275/1. Pas votimit me familjen, Ismaili ka deklaruar se situata ka qenë problematike në 24 orët e fundit. Ai ka denoncuar prezencën e forcave policore, që kanë qarkulluar gjatë natës sipas tij të shoqëruar nga automjete që nuk janë nga Berati. Ismaili i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme që të tërheqë menjëherë nga Berati forcat e shtuara të speciale dhe ato të repartit Shqiponja të ardhur nga Tirana. Ismaili deklaroi gjithashtu se procesi ka nisur me disa problematika të vogla, por është duke vijuar normalisht dhe pjesëmarrja ka qënë e kënaqshme.
10:22: Në qendrën Himarë Fshat, shtabi i kandidatit Alfred Beleri denoncon një punonjës të bashkisë, i cili sipas tyre po mbledh karta ID. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Beleri ndodhet në masë arresti i akuzuar nga Prokuroria për korrupsion zgjedhor.
10:22: Fier: Deputeti i PD-së Luan Baci: “procesi ka nisur me shumë parregullsi”. Baci ka denoncuar mangësite në komisione dhe plotësimin e komisionerëve të PD me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Mosfunksioni i pajisjeve elektronike e mungesat në fletet e votimit sipas Bacit kanë sjellë vonesa në proces.
10:20: Elbasan: Banorët e njësisë administrative Grabovë, në Gramsh kanë vendosur të mos marrë pjesë në votime. Shkak janë mungesa e investimeve gjatë 4 viteve te fundit dhe ndërtimi i një HEC-i që i merr ujin banorëvë të fshatrave.
10:10: Shkodër: Në pjesën më të madhe të vendvotimeve nuk ka rampa të dedikuara, në ndimtë të personave me aftësi ndryshe.
10:06: Himarë: Raportehet se punonjës së administratës, bashkisë Himarë, por edhe vete bashkëshortja e kandidatit socialist Jorgo Goro, prej fillimit të votimit po qëndrojne duke vëzhguar procesin, duke folur me votuesit, në një lokal, në distancë minimale 50 metra, larg qendrës së votimit. Sipas vendimit të KQZ-së punonjësit e administratës, familjarët e kandidatëve duhet të qëndrojnë 150 metra larg qendrave të votimit.
10:04: Në një dalje për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka denoncuar problematika në disa qendra votimi në Durrës, në të cilat ai pretendon se po ushtrohet presion mbi zgjedhësit nga drejtues lokalë dhe të institucioneve të tjera shtetërore në Bashkinë e Durrësit. Ai bëri apel që të ndalojë procesi i votimit kur konstatohen situata të tilla dhe të ndërhyjë Policia e Shtetit. Bylykbashi theksoi se këto sistuata janë konstatuar kryesisht në zonat periferike.
10:01: Shkodër: Rreth 80 QV në qarkun Shkodër raportojnë probleme me pajisjen PAY për identifikimin elektronik të votuese. Në disa qendra komisionerët nuk janë të trajnuar siç duhet, ndërsa në disa të tjera nuk funksionon pajisja.
9:55: Tropojë: Votimet ne bashkine e Tropojës kanë filluar normalisht, por gjatë procesit janë regjistruar probleme me paisjet e identifikimit. Kujtim Rexha, nënkryetar i KZAZ nr.09 ne Tropojë i tha BIRN se në shumë QV kemi probleme me paisjet e identifikimit. “Në të tilla raste procesi nuk ndërpritet. Mbahet një procesverbal dhe votimi vazhdon manualisht”, u shpreh Rexha. Numri i QV-ve për bashkine Tropojë është 38, ndërsa numri i zgjedhesve është 22 mijë. Në këtë bashki kandidojnë, Besnik Dushaj i koalicionit ” Bashkë Fitojmë” dhe kandidati i PS Rexhe Byberi, që kërkon një mandat të dytë.
9:51: Edhe në bashkinë e Hasit zgjedhjet kane filluar qe ne oren 07:00 në të 28 QV-të që numëron kjo KZAZ-ja nr 10 e Hasit. Edhe në këtë KZAZ ka probleme me paisjet e identifikimit. “Në 2-3 vende kemi probleme me paisjet e identifikimit, por anetarët e KZAZ janë në terren, aty ku janë vërejtur këto probleme” -tha për BIRN Sahit Jaku, nënkryetar i KZAZ nr.10 në Has. Në këte bashki kandidojnë Miftar Dauti i “Bashkë fitojmë” dhe Beqir Mula i PS.
9:47: Mallakastër: Kanosi me fjalë, kryetarin e njësisë administrative Fratar, procedohet penalisht 54-vjeçari. Mbrëmjen e datës 13.05.2023, pas njoftimit të marrë nga shtetasi Sh. K., 56 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fratar, se në fshatin Fratar, e kishte kanosur shtetasi Sh. K., 54 vjeç, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar të dyja palët e përfshira në konflikt. Në lidhje me konfliktin është njoftuar menjëherë edhe prokurori i gatshëm. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. K., 54 vjeç, pasi dyshohet se për qëllime elektorale, në favor të një kandidati për kryetar bashkie, ka kanosur me fjalë, shtetasin Sh. K., 56 vjeç, kryetar i njësisë administrative Fratar. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Kanosja”.
9:45: Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 QV nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar procesin manualisht.
9:45: Në Bulqizë janë hapur të gjitha qendrat e votimit, ndërsa nuk ka filluar votimi në 6 qendra, për shkak të problematikave me lexuesit elektronikë. Në Mat janë hapur të gjitha qendrat por nuk ka nisur votimi në 7 qendra, për shkak të problemeve me lexuesit elektronikë
9:41: Ka nisur procesi i votimit në Qarkun e Dibrës. Ka disa problematika dhe nuk ka nisur procesi në disa qendra votimi. Në QV. 1101 Maqellarë mungon procesverbali për hapjen e QV-së. Në Kastriot një QV s’ka energji elektrike. Në 4 qendra votimi nga 99 nuk punojnë paisjet e indetifikimit të zgjedhësve.
9:38: Kukës: Kandidati i PS, njeheresh edhe kryetar aktual i bashkise ka votuar ne oren 09:00 ne QV nr.0646101 ne Shkollen “Lidhja e Prizrenit”ne Kukes. Gjici e ka vleresuar situatën si të qetë dhe ka bërë thirrje për pjesmarrje në zgjedhje. ” Deri tani çdo gjë ështe e qetë. Sot është një ditë e veçantë. Uroj që sa më shumë qytetare të vijnë e të votojne se është dita e tyre”, u shpreh Gjici.
9:35: Vlorë: Ne qendrën 4401, në fshatin Mifol, njësia administrative Novoselë, akoma s’ka nisur procesi i votimit . Shkak për këtë është mosfunksionimi i pajijes së indetifikimit të zgjedhësve.
9:26: Berat: Procesohet penalisht kandidati I PD në Kuçovë Lefter Maliqi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).
9:25: Berat: Probleme në 1 Qendër Votimi në KZAZ-n me numër 63 në Bashkinë Dimal. Kandidati i PD, Dritan Sula pretendon se kryeplaku i fshatit Hinkë në këtë bashki është futur dhe ka qendruar në një Qendër Votimi. Po kështu është denoncuar dhe një rast votimi në grup në këtë KZAZ.
9:20: Kukës: Në bashkinë e Kukësit kutitë e votimit janë hapur ne orën 07:00. Edhe në këtë bashki ka probleme me paisjet e identifikimit. “Kemi probleme me paisjet e identifikimit, por kjo nuk ndikon në vazhdimin e procesit, pasi votimi vazhdon manualisht përmes listës së zgjedhësve”, tha për BIRN Kreshnik Elezi, anëtar i KZAZ nr.11 në bashkinë Kukës. Në këtë bashki janë 73 QV, ndërkohe që numri i zgjedhesve është 43,885 zgjedhës. Në këtë bashki kandidojnë Admir Sinamati i ” Bashkë Fitojmë” dhe Safet Gjici i PS, i cili kerkon një mandat të dytë.
9:10: Durrës: Në KZAZ-në nr. 24, të vendosur në Shkollën “Neim Babameto” në Spitallë, persona të paautorizuar dhe në grupe me mbi 20 persona shkojnë herë pas here në dyert e qendrave votimit sa herë që njoftohen për parregullësi, si raste kur qytetarë nxjerrin celularin për të fotografuar votën. Pas ndërprerjes për pak çaste jo zyrtarisht, procesi rifillon dhe prania e policisë nuk është në asnjë ambient të KZAZ-së.
9:05: Berat: Berati gati për proçesin e zgjedhjeve vendore. Berati si Bashkia më e madhe qarkut dhe katër bashkitë e tjera ka 6 KZAZ. Në KZAZ-së me numër 65 do të administrohet proçesi për qytetin dhe në atë me numër 66, procesi zgjedhor i njësive administrative.
8:52: Vlorë: Disa qendra votimi në bashkinë Vlorë kanë probleme me pajisjet elektronike. Deri në orën 7:45 nuk ka nisur procesi i votimit në disa qendra. Nëse pajisjet nuk do të rregullohen, pritet që procesi i votimit të filloj pa indentifikim elektronik.
8:51: Vlorë: Në orën 7 nisi procesi i votmit në 226 qendrat e votimit ne bashkine e Vlorës dhe 42 qendrat e votimit ne bashkine e Selenicës, ku prej mbremjes së djeshme janë shperndarë materialet zgjedhore. 172,529 është numri votuesve ne listat zgjedhore për bashkinë e Vlores dhe 27,053 votues për bashkinë e Selenicës. Sot do të votohet per kandidatet per kryetar bashkie ku ne Vlorë përballet Ermal Dredha, nën siglën e PS dhe Hysni Sharra për koalicionin Bashkë Fitojmë. Në bashkinë Selenicë përballen, Nertil Bellaj nën siglën e PS dhe Leonard Rakipaj për koalicionin Bashkë Fitojmë.
8:50: Kolonjë: Raportohet së është goditur kandidati i PS-së, Erion Isai gjatë orëve të mbrëmjes të së shtunës nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Eshë shoqëruar nga policia Esmerald Kacolli, i dyshuar si agresori.
8:48: Qarku Gjirokastër: Në disa qendra votimi, sidomos në bashinë Dropull, raportohet një mungesë sporadike të komisionerëve të Partisë Demokratike, por sipas ligjit, procesi i votimit ka vijuar.
8:47: Në Bashkinë Durrës rezultojnë 266.159 votues dhe nga këta rreth 3500 votojnë për herë të parë. Janë 337 Qendra Votimi, ndërsa procesi i numërimit do të zhvillohet në 4 ZAZ, ato nr. 21, 22, 23 dhe 24 (tek Pallati i Sportit dhe tek shkollat “Marie Kaçulini”, “Jan Kukuzeli” dhe “Leonik Tomeo”).
8:45: Problemet me pajisjet e indentifikimit elektronik mbajnë mbyllur një nga qendra e votimit tek Parku Olimpik, në bashkinë Tiranë, e cila nuk ishte e hapur deri në orën 8:00.
8:35: Në Lezhë raportohen probleme në disa qendra votimi, per shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit e elektronik. Si rrjedhojë e kesaj situate është bllokuar votimi në disa qendra.
8:30: Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 mbahen në 61 bashki të vendit, për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë për katër vitet e ardhshme. Në zgjedhje janë ftuar të votojnë 3.65 milionë shqiptarë për të zgjedhur 3222 anëtarë të këshillave bashkiake dhe 61 kryetarë bashkish. Në garë për këto vota janë formalisht 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë.
Fushata zgjedhore është shoqëruar me dhjetra denoncime nga organizatat e shoqërisë civile dhe opozita për përdorim të burimeve publike, investimeve dhe administratës shtetërore, në favor të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në pushtet.
PS-ja kontrollon 60 nga 61 bashkitë e vendit pasi mori drejtimin e tyre në 2019-ën, në një palë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës.
Edhe në këto zgjedhje ka pasur kandidatë me probleme me të shkuarën që përfshihen në ndalimet e ligjit të dekriminalizimit. KQZ ka dërguar për verifikim të thelluar në prokurori 10 kandidatë për kryetarë bashkie dhe dhjetra emra të listave për këshilltarë.